Vojsllav Sheshel

RKL: Programi sadist i Partisë Radikale të Sheshelit për Kosovën (dokument)

Lirimi nga akuzat për krime kundër njerëzimit i ish-kryetarit të Partisë Radikale Serbe, Vojsllav Sheshel, është pritur me deklarata të zbehta në Kosovë dhe jo me një qëndrim të zëshëm të Qeverisë, ku do të dënohej vendimi skandaloz i Tribunalit të Hagës. Përderisa është çështje kohe kur Shesheli do të vizitojë Kosovën dhe institucionet shtetërore do ta ngrisin prapë flamurin e bardhë të dorëzimit, Radio ‘Kosova e Lirë’ sjellë ekskluzivisht fragmente nga programi i Partisë Radikale Serbe, e cila në vitin 1999 ishte pjesë e koalicionit qeveritar me Millosheviqin. Ky program i Partisë Radikale Serbe, i hartuar me 23 shkurt 1991 në Kragujevc, bazohet në traditën e radikalizmit serb që zanafillon me Nikolla Pashiqin. Pjesë qendrore e këtij programi është dëbimi i 360 mijë shqiptarëve nga Kosova si dhe ndërmarrja e një sërë masash ushtarake. Ky program, siç nënvizon Maya Shatzmiller, dallon nga programi i Drashkoviqit dhe i lobit serbo-amerikan, vetëm në shpalljen pa kurrfarë ekuivoki të qëllimit të Beogradit për të zbuar shqiptarët nga Kosova. Në pikën 25, me një gjuhë sadiste piketohen qëllimet kryesore të radikalëve serbë ndaj Kosovës:

25. Shtypja e kryengritjes separatiste shqiptare në Kosovë dhe Metohi me të gjitha mjetet e mundshme, dhe me qëllim të pamundësimit të kryengritjes, ne jemi të shtrënguar të zbatojmë pa humbur kohë masat si vijon:

  • të përjashtojmë me efektshmëri çdo etablim të çfarëdo autonomie politike territoriale në Kosovë dhe Metohi,
  • të dëbojmë pa humbur kohë 360 mijë emigrantë shqiptarë dhe pasardhësit e tyre,
  • të parandalojmë çdo financim shtetëror për pakicën nacionale shqiptare, dhe t’i ndërrojmë kahjet e këtyre fondeve, për financimin ekskluziv të kthimit të serbëve në Kosovë dhe Metohi;
  • të shpallet gjendje lufte në Kosovë dhe Metohi dhe të instituohet një qeverisje ushtarake për jo më pak se 10 vjet,
  • të mbyllen menjëherë agjencitë lokale të autoritetit civil dhe institucionet e financuara nga buxheti i shtetit, që veprojnë në gjuhën shqipe, si Universiteti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, librat dhe botuesit e gazetave,
  • të mbyllen menjëherë të gjitha fabrikat dhe njësitë e tjera prodhuese, që veprojnë në mënyrë jo-ekonomike për shkak të sabotimit sistematik të shqiptarëve të punësuar,
  • të ndahen pasaporta emigrimi për të gjithë shqiptarët (në tekst përdoret termi pejorativ ‘Šiptari’ – shën. RKL), që shprehin një dëshirë të tillë,
  • siç ndodhë që Shqipëria është një shtet vazhdimisht armiqësor ndaj Serbisë, një brez prej 20 deri në 50 km përgjatë kufirit me Shqipërinë, duhet të shpallet si hapësirë me rëndësi strategjike për shtetin tonë, dhe të gjithë pjesëtarët e pakicës nacionale shqiptare duhet të largohen prej tij, me një shpagim të drejtë financiar,
  • të gjithë shqiptarët, me shtetësi serbe dhe që banojnë jashtë, që veprojnë nga pozicione separatiste, duhet menjëherë t’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi,
  • të gjitha përfitimet sociale për shqiptarët, veçmas ato që nxisin shkallën e lartë të lindshmërisë, duhet të ndalohen menjëherë
  • mbledhja me forcë e të hyrave komunale duhet të bëhet pa vonesë, dhe të gjithë qiraxhinjtë që jetojnë në banesa të shtetit, duhet të largohen,
  • të gjitha pronat e serbëve të Kosovës dhe Metohisë, të cilat ishin zaptuar nga fashistët ose gjatë regjimit komunist titist, do të kthehen menjëherë të pronarët e tyre legjitim ose trashëgimtarët,
  • të mos mbahen kurrfarë zgjedhje parlamentare në këtë territor derisa struktura etnike e popullatës të kthehet si në gjendjen e prillit të vitit 1941,
  • të gjitha akademitë ushtarake dhe politike si dhe institucionet ushtarake që nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me komandën e distrikteve individuale ushtarake, si dhe krejt vargu i institucioneve të tjera shtetërore, duhet të ri-shpërndahen në territorin e Kosovës dhe Metohisë, përderisa ne do të sigurojmë kushtet për rivendosjen e disa mijëra oficerëve, policëve, shërbyesve civil, familjeve të tyre si dhe krejt infrastrukturës shoqëruese. Të gjithë serbëve, që duan të jetojnë në këtë territor, duhet t’u jepen të drejta pronësore mbi tokën bujqësore dhe toka që të ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe gjithë hapësirat e tjera industriale. Për të gjithë ata që i zhvendosin bizneset dhe njësitë prodhuese në këto toka, dhe punësojnë jo më pak se 10 punëtorë, ne do të sigurojmë përfitime kruciale si dhe lirim nga të gjitha taksat për jo më pak se 10 vjet,
  • të gjithë punonjësve që kanë vende pune në Kosovë dhe Metohi duhet t’u garantohen paga mesatare, dyfish më të larta sesa pagat mesatare në pjesë të tjera të Serbisë,
  • oficerëve të pensionuar, oficerëve të rangjeve të ulta, policëve dhe shërbyesve civil duhet t’u ofrohen banesa me hapësirë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, si zgjidhje afat-gjatë e problemeve të tyre,
  • kushtet për të studiuar në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhet të bëhen sa ma të favorshme që të jetë e mundur. rkl/

Kontrolloni gjithashtu

Borut Pahor

Ish-kryetari i Sllovenisë, Borut Pahor thotë se është i gatshëm të bëhet emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-kryetari  i Sllovenisë, Borut Pahor, ka gjasa të emërohet  emisar i Bashkimit Evropian për dialogun …