RKL

RKL: Qëllimet antishqiptare që pretendon t’ i arrijë Gjykata Speciale, raciste, politike, kundër UÇK-së

Duke u nisur nga ideatorët dhe iniciuesit e krijimit të një gjykate speciale për sikur thuhet, hulumtimin dhe dënimin e krimeve të luftës në Kosovë nga Ushtria Çlirimtare e saj, që në fillim është menduar përpjekja për diskreditimin e UÇK-së, pastaj të NATO-s, e cila ndihmoi ushtarakisht dëbimin e regjimit kriminal të Milosheviqit nga Kosova  dhe në fund vënien në dilemë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, të cilën deti tash e kanë pranuar më shumë se gjysma e shteteve të botës.

Qëllimet kryesore të cilat tashmë edhe i ka shpalosur kjo gjykatë janë publikuar dhe ato janë përkufizuar me akuzë të rëndë kundër krerëve të UÇK-së, disa prej të cilëve edhe janë arrestuar, ndërkohë që ka filluar edhe procesi i procedurës paraprake kundër tyre. Ata nga Prokuroria e Gjykatës  Speciale trajtohen si “Ndërmarrje e organizuar kriminale” që  gjoja kanë kryer krime të luftës, duke përjashtuar faktin se ata kanë qenë në krye të një Lëvizje çlirimtare kundër okupimit serb, e cila ishte emërtuar  Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe  kishte marrë përsipër edhe luftën e armatosur për çlirim nga regjimi fashist i Beogradit.

Kjo Gjykatë raciste, politike,  pretendon të arrijë këto qëllime:

– Njollosjen me dimension ndërkombëtar të UÇK-së.

– Goditjen   e aspiratave të shqiptarëve për bashkim kombëtar.

– Frustrimin e shqiptarëve ndaj Evropës dhe kthimin e tyre kah Lindja.

– Goditjen e idesë së luftës çlirimtare si opsion i pranueshëm për baskët, katalunasit, venetët, hungarezët, sanxhaklinjtë, rumunët, shqiptarët në Greqi, e shumë popuj të tjerë të robëruar në Evropën e qytetëruar.

– Shtyrja e status-quosë në vend, me qëllim që Serbia në bazë të rezolutës 1244 të KS të OBB-së ta rikthejë “sovranitetin”  në një Kosovë të pacifikuar, nga ku do të mërgonte qetë një pjesë e madhe  e popullsisë shqiptare dhe ku do të rikthehej për të katërtën herë kolonizimi me serbë i vendit tonë.

– Lënia në harresë  e krimeve që ka kryer Serbia  dhe  heshtja e masakrave që ka kryer  regjimi  serb  në Kosovë dhe kudo në ish Jugosllavinë e kohës.

Themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, pesë vjet më parë,  me kohë ishte  paralajmëruar se do të bëhej pavarësisht se do ta pranonte Kosova apo jo. Mujsharët proserbë të BE-së, Zhbogar, Mogerini, Kocijançiq, Dik Martinoviq e të tjerë, kishin insistuar  që Gjykata Speciale do të themelohej, me apo pa pëlqimin e Kosovës.

Krerët politikë të vendit asokohe: Isa Mustafa, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Atifete Jahjaga arritën t’ i bindin shumicën e deputetëve se  ishte  në interesin e tyre, të votojnë pro gjykatës, meqë në të kundërtën do të krijoheshin shumë vështirësi procedurale për themelimin e kësaj Gjykate nga OKB-ja, pavarësisht se  kjo organizatë ndërkombëtare është e bindur se rezoluta 1244, ka humbur  në peshë me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe me pranimin  e saj nga afër 116 shtete të botës. Pastaj ka qenë dhe është  e pa  imagjinueshme të krijohej  një Gjykatë e tillë, një etnike, raciste, inkuizicionale kundër vullnetit të një populli. Ajo do të kishte qenë e pamundur  të themelohej nëse me të nuk do të bashkëpunonin institucionet e vendit. Në një rast të tillë, intervenimi për t’ i arrestuar të dyshuarit do të llogaritej okupim dhe shqiptarët me siguri se nuk do t’ i përgjigjeshin me vullnet këtij intervenimi.

Pse nxitonte Be-ja e OKB-ja për themelimin sa më parë të kësaj Gjykate?

Kërkesat për diskreditimin e shqiptarëve dhe luftën e tyre çlirimtare u sforcuan nga qarqet pro serbe,  pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 dhe verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila saktësoi se shpallja e pavarësisë nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Pikërisht kur Serbia kishte marrë dy goditje tejet të fuqishme, në Këshillin e Evropës raportuesi i atëhershëm i Këshillit të Evropës, Dik Marti kundërshtari i zjarrtë i bombardimit  të Serbisë nga NATO-ja, duke u bazuar në disa shkrime të gazetarëve, disa shkrimeve imagjinare të Karla del Pontes dhe i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Beogradit, paraqiti një raport ku saktësonte se:

“UÇK-ja ka mbajtur kryesisht të burgosur serbë në një rrjet të fshehtë në 6 objekte të paraburgimit në Shqipërinë veriore”. Nuk është fjala për individë, sikur deklaron kreu aktual institucional në vend,  por për UÇK-në.  Më tej thuhet Grupi i Drenicës i Thaçit “bart përgjegjësi të lartë për të burgosurit ‘ad-hoc’ dhe për fatin e atyre që i kanë mbajtur në burgje. Një “grusht” të burgosurish, “janë transferuar në një burg të improvizuar në veri të Tiranës, kur janë vrarë për t’iu marrë veshkat”. “Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa EULEX-i zbuloi rastin e klinikës “Medicus” në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.  Më tej shkruan se “kjo çështje për herë të parë u përmend në librin autobiografik të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, e cila flet  për trafikimin e organeve të njerëzve në kampet e UÇK-së, veçmas në Burrel, në vendin e njohuri “ Shtëpia e Verdhë”.  Të gjitha këto vetëm konstruktime, pa asnjë fakt apo argument relevant.

Të gjithë hetuesit, prokurorët, gazetarë shqipfolës dhe të huaj dhe vullnetarët që janë marrë dhe po merren me këtë çështje e dinë fare mirë se nuk ka pasur kampe të tilla për trafik të organeve, ashtu sikur e dinte fare mirë, Adolf Hitleri se Rajhstagut nuk ia kishin dhënë zjarrin hebrenjtë dhe komunistët, por ai e kishte kurdisur rrengun për hakmarrje kundër kundërshtarëve politikë, të cilën edhe ia kishte  arritur.

Por ky ishte karremi i Këshillit të Evropës për ta themeluar një Gjykatë të tillë, duke pretenduar në trafikimin e organeve, pavarësisht mungesës së fakteve. Në fund Gjykata Speciale hoqi dorë nga akuza për trafikim por mbeti akuza tjetër gjoja për krime lufte.

Gjykata Speciale e iniciuar e mbështetur fuqishëm nga Serbia është bërë me qëllim për të fshehur trafikimin e organeve të shqiptarëve të kidnapuar gjatë luftës nga policia dhe Ushtria e Serbisë dhe humbjes së gjurmëve të afër 1.600 shqiptarëve, që konsiderohen të zhdukur. As tani, afër 21 vjet pas luftës nuk është zbardhur fat i tyre, edhe pse shumë burime në Serbi kanë bërë dhe bëjnë të ditur se mijëra kufoma të shqiptarëve janë djegur në Trepçë, në Bor, në Maçkaticë e vende të tjera. Këto konstatime sa e sa herë i ka publikuar Fondi Humanitar i Serbisë, por asnjë analist proqeveritar apo organizatë politike në Kosovë nuk i ka marrë seriozisht këto fakte për t’i gjurmuar. Fakti pse regjimi serb i kanë zhdukur edhe mbetjet mortore flet se atyre paraprakisht u janë marrë organet.

-Formimi i gjykatës një etnike, i një gjykate raciste e cila ndjek vetëm shqiptarët bëhet me qëllim, jo për të zbardhur të vërtetën e luftës dhe tragjedisë së madhe të cilën e ka shkaktuar regjimi kriminal dhe fashist i Serbisë në kohën e Millosheviqit, por me qëllim që gjatë 10 viteve të ardhshme opinioni botëror të bombardohet me afera antishqiptare dhe të degradohet lufta çlirimtare e popullit të Kosovës si “opsion i pamundshëm” për popujt e shtypur të Evropës.

Po ashtu me themelimin e kësaj gjykate pretendohet që shqiptarët të paraqiten si entitet i veçantë njerëzor, si pjesëtarë të besimit islam që kanë urrejtje kundër krishterëve, meqë paragjykohet se ata u paskan marrë organet vetëm serbëve, dhe nuk qenka me rëndësi kush ua ka marrë jetën dhjetëra mijëra shqiptarëve e qindra mijëra boshnjakëve e kroatëve. Madje në aktakuza doli edhe një segment tjetër fyes kundër shqiptarëve, në përpjekje për ta thyer unitetin e tyre fetar. Kreu i UÇK-së akuzohet se ka vrarë shqiptarë katolikë për shkak të besimit të tyre të krishterë, edhe pse dihet botërisht se shqiptarët e këtij besimin kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së, në të cilën kanë rënë edhe shumë dëshmorë dhe janë vrarë mizorisht shumë të tjerë nga regjimi serb i kohës. Janë emrat, janë dëshmitë, janë monumentet fizike që dëshmojnë gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovës e më gjerë.

-Gjykata ka për qëllim që t’ i japë grusht të fortë aspiratave të shqiptarëve liridashës për bashkim kombëtar, sepse me një proces të tillë, të natyrshëm të cilin shqiptarët do ta bëjnë realitet deshi apo nuk deshi Evropa,  do të dëmtohej harta politike e gjeografike e konferencave evropiane antishqiptare, meqë pretendohet të mohohet përgjithmonë procesi i pa konsumuar historik i bashkimit të  shqiptarëve në një shtet, nga frika se  mund të faktorizohemi dhe mund  ta marrim fatin në duart tona.

-Akuza për krime të tilla, të paragjykuara, bëhen me qëllim që të zbehen apo edhe të harrohen, të paktën edhe për 10 vjet  250 mijë viktimat  që serbët e krishterë i kanë kryer  në Bosnje e Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë.

-Qëllimi i themelimit dhe funksionimit të kësaj gjykate ka të bëjë edhe një dimension tjetër, me një “mësim” drejtuar popujve të Evropës që kërkojnë liri, vetëvendosje dhe bashkim kombëtar. Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm se ka shumë probleme të pazgjidhura kombëtare në Evropë dhe po bën përpjekje që precedenti i UÇK-së të mos fitojë terren, për më tepër të dënohet si opsion që shkaktoi një luftë, në të cilën u përfshi edhe NATO-ja, me qëndrimin e fortë anglo-amerikan. Përmes gjykimit publik të UÇK-së do të pretendohet t’i jepet një goditje e fortë idesë së luftës çlirimtare si opsion për popujt e shtypur e të robëruar.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …