RKL: Raporti i Wiliamsonit s’ dallon nga raporti i supozuar i Martit, as nga pretendimet e Pontes

Prokurori Special i së ashtuquajturës Task Forcë e BE-së, Clint Williamson, ka paraqitur më 29 korrik 2014, në një konferencë shtypi, në Bruksel, raportin e hetimeve të bazuara në Raportin e Dik Martit lidhur me trafikimin e organeve gjatë luftës, por edhe për vrasjet, gjithnjë të supozuara, për të cilat mendohet se janë  kryer nga struktura të UÇK-së gjatë dhe pas luftës.


 


Përpjekjet 15-vjeçare të lukunisë së prokurorëve, gjahtarëve e gjahtareve të Evropës për ta diskredituar luftën tonë çlirimtare dhe fitimtare kundër barbarisë serbe-ortodokse nuk kanë të ndalur. Kanë kaluar tashmë 15 vite qysh kur populli i Kosovës, me ndihmën e Amerikës dhe Anglisë ka përzënë përjetë barbarinë sllave nga trojet tona, ndërsa qarqet e shumta antishqiptare evropiane nuk e ndaluan për asnjë çast luftën për ta diskredituar UÇK-në, edhe për faktin se shumë nga të parët e shteteve të Evropës, pa dëshirën e tyre u detyruan të përkrahin intervenimin e NATO-s kundër regjimit të Milosheviqit, i cili ishte bekuar si regjim që përfaqësonte një segment të kryqëzatave evropiane kundër myslimanëve të Ballkanit, kundër shqiptarëve me shumicë islame dhe kundër myslimanëve të Bosnjës. Ishin vetë evropianët, të cilët me politikën e tyre pretekcioniste, gjithnjë prosllave e proserbe, pretendonin ta përforconin rolin e Serbisë në Ballkan, me qëllim që ajo të vazhdonte të mbetej shtet xhandar për rajonin, i tillë sikur ishte krijuar në Versajë, më 1918.


Pretendimet e këtyre qarqeve nuk u realizuan dhe pikërisht për shkak se Kosova u çlirua nga robëria shekullore jugosllave e serbe, zyrtarët e Evropës filluan një luftë tjetër, të cilën nuk e kanë pushuar për asnjë çast. Kjo luftë perfide e morbide në të njëjtën kohë, ka për qëllim barazimin e viktimës me xhelatin, ka për qëllim që luftën e UÇK-së kundër regjimit fashist të Milosheviqit ta paraqesë si luftë “terroristësh”, të cilën e kishte mbështetur, mbase aksidentalisht, Amerika, mikja tradicionale e shqiptarëve, por edhe Anglia mikja tradicionale e Serbisë deri në vitin 1989, kur drejtimin e shtetit e mori sodomisti dhe fashisti i kuq, Milosheviq dhe Mbretëria e bashkuar filloi t’ia kthejë shpinën Serbisë sodimiste.


Të gjitha shtetet e tjera të Evropës, me përjashtim të Austrisë, kanë ndjekur dhe aktualisht ndjekin një politikë perfide antishqiptare. Disa burra e gra shtetesh të BE-së, kanë një qëndrim paksa më të moderuar, për shkak të interesave të tyre me Amerikën, por kur është në pyetje Kosova apo Serbia, të gjithë, pa  asnjë dallim përkrahin Serbinë dhe oreksin e saj kolonialit e hegjemonist.  Evropa e Bashkuar dëshiron ta ketë një Serbi të fortë për ta ndërsyer kundër Turqisë dhe kundër Lindjes në përgjithësi. Për këtë qëllim Evropa mbanë mbi kurrizin e saj Greqinë e falimentuar ekonomikisht, moralisht e politikisht, vetëm për ta përdorur si forcë të mundshme kundër shtrirjes së Turqisë në Evropë. Pikërisht në saje të këtyre konstelacioneve politike, perfide dhe antishqiptare, BE-ja po bën përpjekje që ta shpërlajë Serbinë nga krimet, duke konsideruar se vrasja e myslimanëve nuk paraqet ndonjë krim, qofshin ata shqiptarë, boshnjakë, apo të tjerë.


Ky konstatim mbështetet në tragjedinë kolektive njerëzore, të shkaktuan serbët në verë të vitit 1994, në Srebrenicë të Bosnjës, ku në “besë” të forcave evropiane, serbët e Milosheviqit brenda një dite masakruan më shumë se 8 mijë boshnjakë myslimanë, të cilët u kishin rënë në duar forcave paqeruajtëse evropiane, duke besuar se ata nuk do t’i lejonin serbët ta masakronin popullatën  e pambrojtur civile.   


Evropa e qytetëruar e prejardhur nga mendësia e kryqëzatave dhe inkuizicionit, e cila kulmin e vet të sodomisë e arriti me Adolf Hitlerin, në vitet 30 e 40 të shekullit XX, nuk lirohet lehtë nga urrejtja, antisemitizmi  dhe ksenofobia, nuk lirohet dot nga dëshira për ta pastruar vendin nga myslimanët, edhe pse ata që janë venduar në Evropë  nga shtete të ndryshme të Lindjes, tashmë përbëjnë 10 për qind të popullatës së përgjithshme të kontinentit plak, të Evropës së Gjergj Fishtës. Pikërisht në këtë segment është ndërtuar edhe teoria e fajësisë së përbashkët, të viktimës dhe xhelatit, sepse tekefundit po të mos kishte viktima, nuk do të kishte nevojë as për xhelatë, po të mos kishte qengja të butë e të urtë nuk do të kishte as ujq.


Disponimi i tillë i Evropës ndaj shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti ndaj Kosovës, në radhë të parë ka të bëjë me qëndrimin institucional të Evropës, me qëndrimin e përhershëm dhe të unifikuar ndaj çështjes shqiptare, sepse BE-ja nuk lejon në asnjë mënyrë bashkimin e shqiptarëve në një shtet, për faktin se nuk dëshiron të ketë një faktor shqiptar në vendimmarrjen politike të Unionit. Evropa përkrah fuqishëm pretendimet e Greqisë ndaj Shqipërisë ashtu sikur pretendimet greke, bullgare e malazeze, por kur janë në pyetje aspiratat e ligjshme dhe të natyrshme të shqiptarëve për t’u bashkuar në një shtet, politika zyrtare e Evropës ka qenë dhe ka mbetur krejtësisht përjashtuese.


 


Përderisa në Evropë dominon një mendësi e tillë e urrejtjes mbi baza etnike, fetare e kombëtare, (edhe pse kjo nuk pranohet zyrtarisht), doemos se edhe lufta perfide kundër shqiptarëve nuk ka të ndalur. Shqiptarë të mirë për Evropën janë vetëm shqiptarët pa identitet dhe dinjitet kombëtar, janë kolaboracionistët e Serbisë, dëshmitarët e blerë me para për ta diskredituar luftën tonë çlirimtare, janë mbetjet e politikave të bashkim vëllazërimit të ish Jugosllavisë, janë pacifistët e të gjitha gjirizeve, por kurrsesi shqiptarët me dinjitet, shqiptarët që kanë luftuar dhe kanë derdhur gjakun e tyre rrëke, në përpjekjet e tyre shekullore për ekzistencë, ruajtje të identitetit, gjuhës, kulturës, traditës. Me këtë pjesë të shqiptarëve, Evropa kurrë nuk do të pajtohet dhe pikërisht në këtë segment ajo ka arbitruar krijimin e një Gjykate Speciale, për ato që ajo i kualifikon si krime të UÇK-së, gjatë dhe pas luftës. Me një Gjykatë të tillë, qarqet antishqiptare të Evropës pretendojnë ta veshin në zi jo vetëm UÇK-në por të gjithë shqiptarët liridashës, të cilët kurrë nuk do të pajtohen me qëndrimet e tilla dhe do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për t’i bashkuar trojet shqiptare në një shtet. Për të parandaluar këtë aspiratë historike, të natyrshme të shqiptarëve, BE-ja edhe në 10 vitet e ardhshme vazhdon t’i paraqesë shqiptarët si “bisha terroriste”, si xhihadistë, si talebanë, me qëllim për t i frikësuar dhe për ta thelluar dallimin mes atyre që i servilizohen Evropës dhe atyre që synojnë bashkimin e kombit, duke iu dhënë pushtet pa kufi të parëve dhe duke i anashkaluar në tërësi të dytët.


Përkrahja që qarqet evropiane u japin zyrtarëve shqiptarë me prejardhje nga ish politikat e bashkim-vëllazërimit dhe disa komandantëve të transformuar të UÇK-së, tregon më së miri se cilët shqiptarë i dëshiron Evropa dhe cilët i injoron. Nuk duhet shumë zgjuarsi për të kuptuar përse qarqet e caktuara të UNMIK-ut dhe EULEX-it, të gjithë mbështetjen e tyre pa rezervë ua kanë dhënë ish-zyrtarëve jugosllavë, bijve dhe bijave të ambasadorëve, të hafijeve, të inspektorëve të UDB-së, të ish policëve dhe milicëve, të ish ushtarakëve të ish-Jugosllavisë. Kjo mbështetje ka ndodhur krejt hapur. OSBE-ja, UNMIK-u dhe EULEX-i kanë investuar miliona euro për mbështetjen e medieve me prejardhje nga politikat e bashkim-vëllazërimit dhe ka krijuar një klasë “intelektualësh” dhe gazetarësh “të moderuar”, të cilët kanë marrë detyra të caktuara për njollosjen e luftës së UÇK-së dhe pretendimet për këtë njollosje nuk kanë pushuar asnjëherë nuk po pushojnë as tani, për qëllime që dihen dhe kuptohen fare lehtë.


Nuk ka shkrim të ndyrë, fyes e poshtërues që është botuar ndokund në botë kundër UÇK-së dhe të mos jetë përkthyer e të mos jetë prezantuar për opinion  nga Koha Ditore, Bota Sot, Je-ta Bi-rni, portali Ekspres në Kosovë dhe filialet e portalet e këtyre medieve. Me këta gazetarë të kësaj kategorie ka bashkëpunuar Karla del Ponte, Maurizio Salustro, Dik Marti e tani edhe z. Williamson. Nga kjo shtresë shqipfolësish të përbetuar në moton, (Druzhe Tito mi ti se kunemo, da sa toga puta ne krenemo), Shoku Tito ne të betohemi, se nga rruga jote kurrë nuk do të largohemi, janë dëshmitarët e mbrojtur, në deklaratat e të cilëve do të bazohet  Gjykata Speciale kundër UÇK-së, gjykatë e veçantë si ato gjykatat e aparthejdit    krijuara nga bardhët në shtetet e Afrikës.


 


Raporti i shumëpritur i prokurorit Williamson, për nga përmbajtja, i stisur me  ato që quhen gjetje të supozuara, për nga mungesa e fakteve relevante dhe dëshmive të paargumentuara është krejtësisht i njëjtë me raportet paraprake, të paragjykuara të Carla del Pontes, Dik Martit, Bruno Vekariqit ku edhe kanë gjetur mbështetje këta të parët, si dhe raporte të tjera gazetarësh shqip-shkrues dhe të huaj.


Williamson nuk është i kënaqur me gjetjet e deritanishme, ashtu sikur nuk ishte e kënaqur edhe Karla del Ponte, e cila tashmë ka shprehur edhe zhgënjimin e saj, por çuditërisht ka mbetur i kënaqur Dik Marti, sepse nga hiqi që kishte krijuar, nga përsëritja qindra herë e gënjeshtrave, më në fund doli se hetimet do të vazhdojnë, se ka pak të dhëna, por ndërkohë priten edhe të dhëna të tjera, se do të merren në pyetje edhe qindra dëshmitarë dhe diçka megjithatë do të dalë. Ka mbetur shumë e kënaqur edhe Serbia zyrtare, sponzoruesja e idesë të trafikimit, kanë mbetur të kënaqur gazetarët shqipfolës proserbë dhe tërë soji i spiunëve të dikurshëm dhe të tanishëm të Serbisë.


 


Williamson nuk ka zbuluar asnjë fakt për të ashtuquajturën “Shtëpi të verdhë”, asnjë fakt për trafikim organesh të serbëve nga UÇK-ja, nuk disponon asnjë emër serbi, të cilit iu kanë marrë organet për së gjalli diku në malet e Shqipërisë apo në plevica fshatarësh. Fakti se munguakan të dhënat për rreth 500 serbë të zhdukur gjatë luftës në Kosovës, është tepër i thjeshtë për t’ u shpjeguar. Dihet fare mirë se gjatë luftës kanë vdekur shumë serbë, të cilët Serbia, në kushte dhe rrethana lufte nuk i ka çregjistruar, as është kujdesur kush për ta. Dihet po ashtu se disa serbë janë vrarë në rrethana enigmatike, por nuk është vërtetuar se kush i ka vrarë. Dihet po ashtu edhe botërisht  se ushtria dhe policia serbe gjatë luftës ka vrarë bashkatdhetarë të vetë, me qëllim për ta fajësuar UÇK-në sikur është rasti në lokalin serb “Panda” në Pejë, në Grackë të Lypjani dhe në shumë vende të Kosovës. Por pista që shpie në Beograd për hulumtimin e krimeve të tilla, nuk është në planin e hetimeve të Villiamsonit dhe të gjithë atyre që kriminelët e fajtorët për luftën kundër shqiptarëve i kërkojnë t’i gjejnë në mesin e luftëtarëve të lirisë dhe kurrsesi në Beograd, edhe pse rastin e Pejës e ka pranuar edhe vetë  Qeveria e Beogradit zyrtar.


 


Gjykata Speciale kundër UÇK-së nuk do të merret me trafikimin e organeve të 1700 shqiptarëve që ende evidentohen si të pagjetur, edhe pse jo pak gazetarë dhe humanitarë serbë kanë dëshmuar djegien e kufomave të shqiptarëve në disa shkritore të qyteteve e lokaliteteve të  Serbisë.


Kjo nuk është pistë e hetimeve të Villiamsonit, sepse ai mbanë anën e xhelatit. Atij dhe të tillëve si ai iu intereson të vazhdojnë fushatën kundër UÇK-së, të paktën edhe fushatën verbale, fyese, denigruese e diskredituese, sepse edhe me një propagandë të tillë arrihet shumë. Të paktën arrihet të dëmtohet imazhi i luftës çlirimtare, me qëllim që të rrinë urtë e butë katalonasit, baskët, sicilianët, hungarezët e Vojvodinës dhe të Transilvanisë, sanxhaklinjët, e popuj të tjerë të shtypur nga padronë të Evropës. Por rrjedhat historike të luftës dhe paqes, të luftës së drejtë për liri e barazi, kundër shtypjes dhe shfrytëzimit, nuk kanë ndaluar as do të ndalojnë.


Lufta e UÇK-së ka qenë dhe do të mbetet nderi dhe krenaria e kombit, pavarësisht  sulmeve, etiketimeve, satanizimit, pavarësisht yshtjeve, pavarësisht dëshmitarëve të mbrojtur  e të shitur me para.


E drejta mënon, por nuk harron.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova edhe më tutje në Gjermani kategorizohet si rajon me rrezikshmëri të lartë për virusin korona

Ambasada gjermane: Dorëzimi i projekt-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, është hap konkret për anëtarësim në KE

Për t’i mbështetur përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shtetet perëndimore i …