Isa Ferizaj: Dy libra për heroin e kombit, Rexhep Mala

Qysh se kur mendon dikush të shkruajë diçka për një dëshmor, për një hero, a për një ngjarje të lavdishme të historisë së kombit të vet, gjithë secili nga këta, ka trokitur fort në ndërgjegjen e vet, për të marrë prej andej “bekimin”, guximin e vendosmërinë për t’ia hyrë një rruge shumë të veshtirë, rrugë e cila do të të ngjasojë në shumë raste me rrugëtimin e gjatë e të mundimshëm të heronjve, a ngjarjeve historike. E, në këto raste njeriu sikur bën kompromisin me veten, për të jetuar njëkohësisht në dy botë, në botën e sotme reale, botë e cila në jo pak raste na bën të skuqemi dhe, në botën që “jeton” brenda neshë, larg e afër nesh, njëkohësisht e shkëputshëm me kohën tonë e, që nga kjo “botë” në pothuajese të gjitha rastet ndjehemi më krenarë, ndjehemi më të plotësuar, ndjehemi më të fortë, më të paepur, si heronjtë e dëshmorët e Atdheut e të Kombit tonë; ndjehemi sikur të ishim një copë shkëmbi nga shkëmbi i heroizmit, qëndresës e lavdisë së tyre të madhe sa malet më të larta të kësaj toke.

Autori i dy librave, “Rrugëtimi i një vigani” dhe “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, vellai im i idealit kombetar dhe Enverjan, Agim Sylejmani, ishte dhe është njëri nga qëndrestarët e orëve të para të rezistencës antiserbe e, antipushtuese, luftëtari aktiv për realizimin e ëndrrës gjithëkombëtare, asaj të çlirimit e të ribashkimit  të trojeve e të kombit tonë, në një shtet e, nën një flamur; njëri nga ish të burgosurit politik të regjimit fashist të ish shtetit gjenocidist jugosllav; njëri nga ish të burgosurit e bashkëvuajtësit e dënimeve çnjerëzore, me Heroin Rexhep Malaj. Herë si veprimtar i luftës guerile në Kosovë, qysh në moshë shumë të njomë, herë si organizator i veprimeve të rezistencës masive shqiptare kundër pushtuesit, herë si propagandist e, herë si luftetar me armë në dorë, deri në Luftën Çlirimtare të Kosovës, si luftëtar e komandant në formacionet e asaj lufte lavdimadhe e heroike, të mbuluar përjetësisht me flamurin e lavdisë, autori i këtyre dy librave na shfaqet në kohën e paqes së paplotësuar ende edhe, si njëri nga veprimtarët e të gjitha formave të të gjitha etapave që kërkon lufta jonë në rrethanat e reja pas çlirimit nga Serbia, të Kosovës, si një Marathonomak nolian që ende s’e ka ndaluar vrapin e vet, për të na dhënë lajmin e fort pritur: “E fituam! Atdhe e Komb, i bashkuam”! e, nuk e di se si më duket kur mendoj se si ky “Hero” i gjallë, ende nuk i ka thënë krye heroit të UÇK-së, komandantit të tij, Adem Jashari, “BAC U KRY!”, por as bashkëluftëtarëve të tij, të rënë në altarin e lirisë, por edhe të gjallë, këtë togfjalësh të shumë përdorur ndoshta në të shumtën e rasteve edhe me qëllime jo të mira, me qëllime mashtruese, shuarëse të shpirtit të një kombi për qëndresë e liri; si mashtrim historik që e vë në gjumë shpirtin liridashës dhe e zvetnon qëllimin dhe misionin e paplotësuar të UÇK-së, qëllim i fiksuar në Betimin Ushtarak të saj.

Shkrimi i këtyre dy librave të mëdhenj artistik e shkencor, mbushur plot me fakte, dokumente, të dhëna nga burime parësore për Heroin Rexhep Malaj, nuk ka ardhur si një frymëzim i çastit, si një muzë artistike e një shkrimtari, në një moment frymëzimi artistik, por si një ndjeshmëri e shpirtit të mbushur plot me mllef e duf kundër pushtuesit serbo-sllav e veglave çorre në shërbim të tij, fatkeqësisht me gjak shqiptar, nga njëra anë e, nga ana tjetër si një ndjeshmëri, si një detyrim moral e domosdoshmëri për ta përjetësuar jetën e veprën e plot lavdishme, jetën e veprën si të uraganit natyror, të Heroit me përmasa të madhërishme, Rexhep Malaj, jetë e vepër që sado që të shkruhet, flitet e krijohet në shumë format e artit, përsëri kushdo, do të ngelet borxhli ndaj kësaj figure emblematike kombëtare.

 

Romani “Rrugëtimi i një vigani” nuk mund të konceptohet si i përfunduar pa lexuar me shumë vëmendje edhe librin monografiko-shkencor, “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”. Nëse në librin e parë, e shikojmë Heroin Rexhep Malaj që nga lindja e tij, në rritjen heroike e, deri në përjetësimin e pavdekësisë së tij, me rënien heroike, në librin e dytë, marrim vesh, mësojmë, përjetojmë e mbushemi me krenari kombëtare, kur shikojmë “shkollën” nëpër të cilën u mësua, u formua, u kalit e u bë Hero, ndonëse nuk i tha kurrë vetes, as nën zë, se “duke luftuar kështu, – si frymëzuesit e tij, si të parët e trungut të vet familjar, – edhe unë, do të bëhem një hero”!

Rexhep Malaj, në të dyja librat e autorit Agim Sylejmani, është njëri nga njerëzit më njerëzor të racës shqiptare; është njëri nga prijatarët më të patrembur të aksionit politik e luftarak të shqiptarisë; është njëri nga qëndrestarët më të pathyeshëm të heroizmit atdhetar; është njëri nga njerëzit më të urtë të mendimit politik kombëtar; është njëri nga frymëzyesit më të mëdhenj të shpirtit të kombit nga i cili lindi; është njëri nga flamurtarët që kurrë nuk e dorëzoi flamurin dhe nuk e la të bie për toke, ose në duart e lyera me gjak shqiptarësh, të armikut çnjerëzor serb. Në të gjitha faqet e të dyja këtyre librave tepër të çmuara, sidomos për kohën në të cilën po jetojmë, si komb, autori me shumë mjeshtri artistike na i nxjerr në pah e, na i jep, si një mësues i madh, tiparet që duhet të na karakterizojnë sot si komb e, vlerat që duhet ta ushqejnë shpirtin tonë kombëtar, shpirt i cili fort është i lënduar e i lodhur në këto kohërat pseudemokratike, çorientuese e çmobilizuese. Agim Sylejmani, si njohës i mirë i Heroit e bashkëvuajtës në jo pak raste në të njëjtat burgje – ferr të ish Jugosllavisë titiste antishqiptare, na ka dhënë skena ngjarjesh aq reale e, aq heroike, sa ne që lexojmë në ato faqe të këtyre dy librave, e kemi të veshtirë ta mendojmë veten jashtë atyre skenave e, atyre përjetimeve, ku në jo pak raste urrejtja na bën që  instinktivisht t’i shtrëngojmë aq fuqishëm grushtat sa bëhemi gati të qëllojmë dikë, a diçka, por nuk mund të shmangim në ndonjë rast as vërshimin e ndonjë pike loti kryeneqe tek vërshon faqeve me vërtik për t‘u shuar diku afër zemrës. Ja kjo është mjeshtëria e autorit dhe ndjeshmëria e shpirtit të Agim Sylejmanit, mjeshtri e ndjeshmëri që mendon t’i ndajë me ne lexuesit e këtyre dy librave.

Këto dy libra, mendoj unë, nuk duhet t’i mungojnë asnjë biblioteke shqiptare, pasi janë balsam shpirti në kohë të vështira dhe flakë shpirti që nuk shuhet kurrë, për ta mbajtur kombin gjallë, në jetë të jetëve. Ja, kjo është letërsia e kohës së madhe që lind edhe shkrimtarët e veprat e mëdha. E tillë duhet të jetë pjesa dërmuese e krijimtarisë së autorëve shqiptarë, pasi koha në të cilën po jetojmë është e mbarsur me vlera të mëdha historike, vlera që mund e duhet t’i thithim si oksigjenin, për të lindur “foshnjën” e shumëpritur, Bashkimin Kombëtar. E kjo jetësohet vetëm po ditëm ta kapim “orën” historike, orë e cila po troket më fort se kurrë për veshët e shurdhët të pseudo-politikanëve të sotëm shqiptarë. Dalja e këtyre dy librave në dritë dhe paraqitja e tyre kudo nëpër botë, ku jetojnë shqiptarët, i ngjanë lindjes se dy vëllezërve binjakë, sepse Kombi ynë i ka simbolet dyshe: Shqiponjën e Flamurit Kombëtar me dy kokë, gjuhën me dy dialekte, lavdinë me dy Herojn Kombëtar. Dalja e këtyre dy veprave merr vlera domethënese e historike, sepse kështu, si rilindësit tanë e veprat e tyre, në ato rrethana që zgjuan shpirtin e fjetur të shqiptarëve dhe formuan Kombin tonë, edhe sot vepra të tilla rizgjojnë ndërrgjegjen e trazuar e të çorientuar të shqiptarëve dhe, e drejtojnë “timonin” e anijes gjithëshqiptare drejt brigjeve të sigurta, drejt bërjes realitet të ëndrrës gjithëkombëtare.

Tiranë, më 25. 7.2014

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …