Pas takimit me nënsekretarin amerikan për Çështje Politike, David Hale, liderët shtetëror nuk e thonë as edhe një fjalë

RKL: Rriten e forcohen financiarisht krerët e Shtetit të Kosovës me paga të dyfishuara dhe staf të katërfishuar

Kryetari i Kosovës do të jetë zyrtari më i paguar në vend, sipas Projektligjit të ri për pagat, rritjen e enorme të së cilave e ka lejuar Gjykata kushtetuese, meqë kryetari i Gjykatës merr pagë po aq sa tre krerët e Shtetit.

Kryetari, Hashim Thaçi do të marrë pagë mujore 2. 868 euro.

Zyrtarët shtetërorë me pagat më të larta do të jenë kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, të cilët do të marrin pagë mujore 2. 390 euro.

Duke iu referuar këtij projektligji, paga e ministrave do të jetë 1. 792 euro, po kaq edhe e deputetëve. Kurse zëvendësministrat do të marrin pagë mujore 1. 434 euro. Pastaj radhitën kryetarët e komunave, komandanti i FSK-së dhe kryetari i Prishtinës. Paga mujore e këtyre dy zyrtarëve shtetërorë do të jetë 1. 673 euro.

1. 314 euro do të paguhen shefi i kabinetit në Kuvendin e Kosovës, në Presidencë dhe në Zyrën e Kryeministrit. Po aq do të paguhen edhe këshilltarët e lartë politikë në Kuvend, Presidencë dhe në Zyrën e Kryeministrit. Në këtë shumë të zhvatjes hapur të parasë publike nuk hyjnë mëditjet, rrugëtimet zyrtare, qëndrimet nëpër botë me javë e muaj të tërë, pastaj telefonat dhe të ardhura e favore të tjera, të cilat ia mundësojnë njëri-tjetrit.

Rritja qind për qind e pagave, trefishimi i stafit në organet më të larta të Shtetit, prishja arrogante  e parasë publike, në mos më shumë tregon mungesën totale të moralit dhe përgjegjësisë në radhë të parë njerëzore e pastaj edhe kombëtare të këtyre qeveritarëve, të cilët krejt hapur i shpalosin qëllimet e tyre, meqë Shtetin e konsiderojnë si plaçkë e cila duhet të zhvatet sa më shumë që është e mundur.

Për të arritur deri te këto paga, këta krerë të lartë të Shtetit me stafet e tyre nga 16.000 veteranë të vërtetë të luftës së UÇK-së e rritën numrin në rreth 60.000 mijë, me qëllim që ta blejnë paraprakisht paqen sociale, të vetmen kategori e cila do të kishte moral dhe kredibilitet për ta kundërshtuar këtë akt të pushtetarëve aktualë, të cilët përveç pagave të dyfishuara kanë të ardhura nga bizneset, pronat, shtëpi të shtrenjta në Kosovë dhe në Bregdetin e Shqipërisë, kanë para të deponuara në bankat e Zvicrës dhe kudo nëpër botë.

Kjo klasë politike nuk e ndalon dot korrupsionin, sepse paraprakisht ka blerë me rroga të majme kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, i ka blerë me rritje pagash gjyqtarët, prokurorët, gjykatësit, kryepolicët dhe të gjithë ata që duhet të merren me plaçkitjen, tashmë hapur, që i bëhet Shtetit.

Në këtë histori të trishtueshme të tërë kësaj babëzie dhe uzurpimit hapur të pushtetit, është vetëm një përjashtim, është veprimi burrëror  vetëm i një ministri me stafin e tij, edhe pse veprimi i tij u quajt veprim burracak nga kryeministri i Kosovës. Vetëm një ministër nuk pranoi dyfishimin e pagave dhe tërë  kjo tregon më së miri se sa kanë degraduar qeveritarët në luftë për pasurim të ligjshëm në mënyrë të paligjshme, fillimisht duke krijuar dhe duke aprovuar  ligje, që mundësojnë pasurimin e tërë klasës pushtetare, kuptohet mbi kurrizin e taksapaguesve të vendit.

Kjo zhvatje e pamëshirshme e parasë publike, trefishimi i zyrtarëve të lartë në Qeveri, me qëllim që të mbahet baraspesha mes partive të koalicioni aktual, nuk mund të llogariten suksese të Qeverisë, por dështime kapitale të saj, të cilat do ta kenë çmimin e vet, qoftë në zgjedhjet e parakohshme, apo të rregullta. Ky koalicion duhet të ndëshkohet, në radhë të parë me votat e atyre që i kanë votuar, nëse edhe ky popull i mjerë nuk është korruptuar në shpirt dhe i voton, vetëm sepse janë të korruptuar. Po nuk duhet harruar edhe faktin se vetëm dyzet për qind e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote marrin pjesë në zgjedhje, pjesa tjetër,   60 për qind, nuk ka marrë as merr pjesë, sepse  e ka humbur besimin në sjelljet dhe veprimet e atyre që premtojnë mirëqenie e begati, por sapo vijnë në pushtet të dyja këto i gëlltisin  për vete.

Duket se fjalët: “turp e marre” nuk janë fare pjesë e etikës morale të këtyre pushtetarëve, nuk janë fare fjalë të fjalorit të tyre edhe ashtu krejt të varfër e të gjymtë  në komunikim, por shumë të zellshëm në veprim dhe grabitje hapur të Kosovës, shtetit në të varfër të Evropës, madje më i varfër sesa edhe shumë nga shtetet më të pazhvilluara të botës.

Është me vend dhe shumë ilustruese  të përsëritet me këtë rast, një aforizmë e njohur e humanistit dhe iluministit francez, Mishel Montenj i cili thotë: “Qeveritarët mendojnë se bota është krijuar vetëm për ta, në mënyrë që ta qeverisin sipas bindjeve e pikëpamjeve të tyre”. Ja që të parët e Kosovës me këtë rast nuk bëjnë ndonjë përjashtim. Përkundrazi, ata janë më se të bindur se ata mundën pa Kosovën, por Kosova kurrsesi nuk mundet pa ta.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MBAJTJA E AKADEMISË PËR GAZETËN E LËVIZJES -ZËRI I KOSOVËS

U konstatua në këtë Akademi se dy numrat e parë të kësaj gazete janë dalë …