Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

RKL: Shtëpia-Muze e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë, Oda e Asllan Berishës, Bunkeri te Kodra e Baliqit dhe në Majën e Pallanikut, Selia e parë Radios, në Krojmir janë vlera e monumente fizike të luftës së UÇK-së, që nuk mund të ndahen, as të tjetërsohen

Shtëpia-Muze e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë, Oda e Asllan Berishës, Bunkeri te Kodra e Baliqit dhe në Majën e Pallanikut, Selia e parë Radios, në Krojmir  janë vlera e monumente fizike të luftës së UÇK-së, që nuk mund të ndahen, as të tjetërsohen.

Kërkesa e pesë vetave, cilët i kanë dhënë vetës  të drejtë të vetëquhen “staf i luftës”, duke lënë anash dhe duke injoruar, 32 anëtarë të tjerë të stafit dhe bashkëpunëtorëve të Radios-Kosova e Lirë, bashkë me drejtorin e saj qe 25 vjet gjatë dhe pas luftës, dhe përpjekja  e tyre për ta boshatisur Shtëpinë-Muze duke ia marrë mjetet, pajisjet, arkivin për t i dërguar në Muzeun e Kosovës, ka ngjallur reagimin e ashpër të stafit të Radios, të shumë  eprorëve të UÇK-së, veteranëve, familjeve të dëshmorëve e qytetarëve liridashës.

Përkrahjet e shumta,  të adresuara për ruajtjen e pajisjeve dhe Shtëpisë-Muze të Radios-Kosova e Lirë, po marrin përmasa, në radhë të parë të veteranëve të luftës, por edhe të të gjithë liridashësve dhe liri-bërësve të Kosovës. Po dënohet përpjekja e pesë ish-anëtarëve e bashkëpunëtorëve, pa njoftim të Drejtorisë dhe pa pëlqimin e saj,   të cilët kanë nënshkruar një kërkesë drejtuar Muzeut të Kosovës për ta tërhequr teknikën, arkivin, dokumentet e të gjitha të tjerat, edhe pse ato ruhen në Shtëpinë-Muze të fshatit Berishë me roje dhe me pagë mujore. Shtëpia-Muze është ngritur pikërisht për këtë qëllim dhe kurrë dhe asnjëherë nuk është vënë në dyshim,  as është kontestuar deri më sot nga asnjë njeri. Së shpejti do të bëhet e ditur prapavija e tërë kësaj kurdisjeje të papërgjegjshme dhe të  neveritshme, që na ka shqetësuar tejmase ne në Radio dhe   publikun liridashës….

Selia e Radios-Kosova e Lirë, pas përgatitjeve përfundimtare në Krojmir në muajt: tetor, nëntor, dhjetor të vitit 1998, në fillim të janarit të vitit 1999 u vendos në Odën e Asllan Berishës, në fshatin Berishë , ku ka qëndruar deri më 8 prill të atij viti, kur është vendosur në tenda, në vendin  e quajtur “Kodra e Baliqit”. Prej fillimit e  deri në mbarimin  e transmetimit më 21 qershor të vitit 1999, familja e Asllan Berishës është përkujdesur  për stafin e Radios me ushqim, madje duke na e sjellë atë  në tendë, edhe nën breshërinë e armëve armike serbe.

Oda e Asllan Berishës pas luftës nuk u shpall Shtëpi Muze, edhe për faktin se ishte pronë private dhe e domosdoshme për familjen me shumë anëtarë.

Më 3 janar të vitit 1999, ishin bërë përgatitjet e fundit për fillimin e transmetimit të programit të Radios-Kosova e Lirë

Shtëpia-Muze  e Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë është ndërtuar në vitin 2005, me ndihmën e tre donatorëve, si dhe nga fondi i Radios, ndërsa punimet i kanë kryer gratis pjesëtarë dhe eprorë të  Brigadës 313 e TMK-së, në Malishevë, me lejen e komandantit, Elez Durmishi, ish komandant i Batalionit, “Ruzhdi Salihu” i Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova gjatë luftës së UÇK-së. I ngarkuar për mbikëqyrje të punimeve ka qenë anëtari i stafit të Radios prej 4 janarit 1999 e deri tani, Valdet Hoti. Ka punuar dhe ka ndihmuar pa kursim komandanti i Njësisë së fshatit Berishë, eprori i UÇK-TMK-së,  Fadil Berisha, pastaj Rizah Berisha, rojtar i objektit, vëllai i tij,  Milaim Berisha  e të tjerë.

Shtëpia-Muze është ndërtuar me qëllim që nënkupton vetë emërtimi.

Lejen për posedimin e pronës dhe ndërtimin e objektit e ka lëshuar Kuvendi komunal i Drenasit, qysh në kohën e Qeverisë Përkohshme të Kosovës në vitin 2000.

Në këtë objekt modest me 34 metra katrorë, kemi vendosur  dhe ekspozuar  mjetet dhe pajisjet e kohës së luftës, diktafonët, mikrofonët, miksetat, transmetuesin 250 vat, disa kamera, pastaj kasetat e transmetimit të programit dhe mjete të tjera. Arkivi origjinal, i shkruar me makinë shkrimi dhe me dorë, ndodhet në selinë e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë.

Tri  vjet më parë objektin e ka rinovuar gratis, Ismet Shamolli, nga fshati  Shalë me kompaninë e tij, ndërsa punimet i ka udhëhequr,  Epir Qeriqi.

Prej kohës kur e kemi përuruar, Shtëpinë-Muze e deri tani, roje dhe punëtor teknik ka qenë Rizah Berisha, i cili me lejen e Drejtorisë e ka shfrytëzuar objektin edhe për lidhje e shpërndarje të internetit, ndërsa të ardhurat  i ka shfrytëzuar për veten dhe familjen e tij, e tij, e cika ka dhënë krejt çka mund të jepet për stafin e Radios, gjatë kohës së luftës. Jo vetëm që nuk i kemi kërkuar një pjesë nga fitimet, me të drejtën i institucionit, por për çdo muaj ia kemi ndarë një rrogë modeste nga fondi i Radios. Për shumë vite me radhë Rizah Berisha ka marrë katërfishin  e pagës mesatare të një punëtori,  apo gazetari  të Radios.

Në disa vite të fundit ai jeton në Malishevë dhe nuk është i pranishëm i përhershëm në Radio, por deri tani nuk ia kemi ndalur të ardhurat mujore, ndërsa mirëmbajtën e bëjmë nga selia në Prishtinë, me shpenzime të shumëfishuara,

Nga Shtëpia -Muze  transmetohet programi ditor i Radios, i cili përgatitet në selinë e saj,  në Prishtinë.

Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

Në kuadër të Muzeut ndodhet edhe obelisku kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe pllaka përkujtimore për dëshmorët e rënë në mbrojtje të pozicioneve nga ku ka përgatitur dhe ka transmetuar programin e vet gjatë luftës, Radio-Kosova e Lirë. Me siguri se kërkesa nuk nënkupton edhe zhvendosjen e këtyre monumenteve fizike, përjetësore  të luftës së UÇK-së, nëse nuk është paraparë në fazën e dytë.

Ta vësh në pikëpyetje besimin e punës 20-vjeçare të Shtëpisë-Muze, të kërkosh nga Muzeu i Kosovës ta marrë teknikën e pajisjet, pa u konsultuar me Drejtorinë e Radios, ta emërtosh veten si “staf i luftës”, duke i përjashtuar edhe 32 anëtarë e bashkëpunëtorë të stafit, gjatë kohës në luftës, si dhe stafin  aktual që 25 vjet,  këtë e bënë, Martin Çuni, Nusret Pllana, Riza Berisha e dy të  tjerë, që u vënë pas për të cilët, Radioja  e pas luftës ka ekzistuar vetëm në kohën sa e kanë zhvatur e njëri nga këta edhe e ka plaçkitur.

Krejt kjo nuk është vetëm një nonses, sui generis, por është një komplot për ta arsyetuar përvetësimin e bunkerit të Radios në Pallanik, për të cilin Nusret Pllana kërkon ndihmë për asfaltimin e rrugës, madje në emër të bunkerit të radios, ndërsa nuk e njeh radion ekzistuese, nuk e pranon drejtorinë, por arbitron sikur të ishte ndonjë supermeni i stripve, një trim mbi trimat që edhe zërin e ka të trimit, duke besuar fortë në qenien  e tij se nuk do të kishte ekzistuar Radioja pa zërin e tij, sepse për të nuk është me rëndësi kush e ka përgatitur programin por kush e paska lexuar dhe kush ia paska “mbajtur në dorë” mikrofonin.

Kjo pesëshe famoze, nuk ka treguar publikisht për idenë, qëllimin, nuk kanë treguar me kë kanë biseduar në Muzeun e Kos0vës, por në mënyrë arbitrare, duke u vetë identifikuar si staf lufte kanë nënshkruar kërkesën, e cila me siguri se deri tanë është dorëzuar në Muze, dhe këtë do ta verifikojmë së shpejti,  në mënyrë që ta kuptojmë a ka kompetencë ky Muze ta tërheq  teknikën e radios nga objekti të cilin e ka pronë të veten, nga ku edhe transmeton programin ditor, pa e pyetur fare Drejtorinë e Radios, por vetëm me pesë nënshkrime…

Që në fillim, sqarohen lexuesit e dëgjuesit  e Radios-Kosova e Lirë se në Bunkerin e Pallanikut kemi transmetuar program  prej 8 prillit deri më 21 qershor të vitit 1999, dhe jo prej 4 janarit kur ka filluar transmetimi.

Pse anashkalohen 4 muaj të transmetimit në pika të tjera, dhe bunkeri te “Kodra e Baliqit” ku kemi qëndruar në muajt e fundit të luftës, vend i cili më 8 qershor të vitit 1999 është bombarduar nga forcat serbe më 16 raketa të tipit tokë-tokë. Ky  bunker tashmë i rrënuar ka kuptimin e mbijetesës, ndërsa bunkeri në Majën e Pallanikut paska  “namin a lavdin” e atij që i ka lexuar lajmet, nuk paska qenka me rëndësi fare kush i ka hartuar lajmet, komentet, analizat, vështrimet, shkrimet biografike për dëshmorët, por kush i paska lexuar ato. (!)

Dihet se plumbi kur del nga tyta e armës kërcet dhe bën jehonë, por nuk del vetë nga tyta po të mos i tërhiqet këmbëza, këtë ose nuk e ka kuptuar kurrë dr, mr.  Nusret Pllana ose e bën për qëllime,  që jo vetëm njëherë kanë dalë në sipërfaqe.

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” V

Edhe teksti i këngës së parë, të cilën e këndon Ilir Shaqiri, nuk ka të bëjë me Radion, por me spikerin e saj,  Nusret Pllana, duke iu referuar me vargjet e para, kush  je ti që flet nga mali, flet nga nëntoka, a mos je Hasan Prishtina, a mos je ky dhe ai… e nonsense të tjera, të cilat kanë pasur qëllim devijimin e së vërtetës, që në muajt e parë të pas luftës…

Janë edhe shumë të tjera që tani për tani nuk po i përmendim kësaj radhe.

Pretendimet e Nusret Pllanës për ta paraqitur veten si themelues të Radios, i ka deklaruar sa e sa herë në medie, pretendimet për ta përvetësuar  “Bunkerin e Pallanikut”, janë përpjekje e egos së tij ekscentrike, që në rastin k0nkret kanë dëmtuar pikërisht Radion-Kosova e Lirë, të cilën e kanë gjetur të gatshme, në selinë e sa në parë, në Krojmir, në dhjetor të vitin 1998 kur kanë ardhur Nusret Pllana e Martin Çuni.

Përpjekjet e Drejtorisë së Radios për ta rregulluar bunkerin te Maja e Pallanikut, atë te Rrezja e Baliqit, dhe në Gurishtë, nuk kanë reshtur për gjatë këtyre viteve, por duke qenë se Radios, nga institucionet e Kosovës  nuk iu ka pranuar  e drejta si  vlerë informative e luftës së UÇK-së, edhe pse këtë institucion e ka themeluar SHP i UÇK-së qysh më 13 nëntor të vitit 1998, kjo ka bërë që disa anëtarë të stafit të luftës, ta marrin një pjesë nga ajo që mendojnë se iu takon, pasi nuk e njohin Radion-Kosova e Lirë si institucion informativ e kulturor, me të drejtat, pronën dhe obligimet, edhe pse është medium i regjistruat në KPM dhe kryen të gjitha obligimet e detyrimet, konform ligjit.

Se me cilin vendim dhe  me lejen e cilit institucion është ngritur Bunkeri në Pallanik, nuk jemi të njoftuar, përveç faktit se Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve ka shpallur tender njëburimor dhe e ka rregulluar bunkerin.

Sqarojmë opinionin se kërkesa drejtuar donatorëve për rregullimin e asfaltimin e rrugë së  Bunkerit të Pallanikut nuk është kërkuar nga Radio Kosova e Lirë, as nga tërë Stafi i plotë i luftës por nga  Nusret Pllana, Martin Çuni, Rizah Berisha, e dy të tjerë. Andaj, të gjithë ata që duan të japin ndonjë ndihmë duhet ta kenë të qartë se nuk po e japin për Bunkerin e luftës së Radios-Kosova e Lirë, por për ata që e kanë përvetësuar jashtëligjshëm bunkerin, në Pallanik…

 

Ahmet Qeriqi

  1. 3. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …