RKL: UÇK-ja është e pranishme në çdo vend ku sulmohen fëmijët, gratë e nënat tona

“Kumanova sot është gjaku ynë që nuk mund të falet, që nuk ka të drejtë ta falë askush…

 

Intervenimi i policisë sllavo-maqedonase në qytetin e Kumanovës kundër shqiptarëve, ishte një skenar i pritshëm i Qeverisë Gruevski, me siguri se i parapëlqyer edhe nga kryeministri i Serbisë, Vuçiq,  i përkrahur fuqishëm nga Rusia, pikërisht në ditën e 9 majit, që shënon edhe 70-vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë fashiste. Sulmi mbi shqiptarët ka qenë i paralajmëruar qysh prej javësh. Ndërsa zbulimi i  aferave vrastare të Qeverisë Gruevski nga Opozita e LSDM, ishte një “momentum” për t’ ia mbyllur gojën opozitës, për ta homogjenizuar nacional-fashizmin e egër sllavomaqedonas dhe si gjithnjë në raste të tilla, për ta ndërsyer kundër shqiptarëve, të ndarë të përçarë, të armiqësuar   me njëri tjetrin në të gjitha segmentet jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovës e në Shqipëri.

 

Tani për tani, në mungesë të të dhënave të dorës së parë, meqë sulmi i policisë nuk po ndalet, dihet vetëm se shqiptarët po i vrasin, madje po u vrasin edhe gratë e fëmijët e  mitur, tetë vjeç, sikur ka ndodhur dhe po ndodh në çdo luftë a përleshje të shqiptarëve me sllavët e Ballkanit. Kumanova sot na përkujton intervenimet e shumta të ushtrisë e policisë serbe në Kosovë gjatë luftës së UÇK-së, ku në kërkim të luftëtarëve të lirisë, barbarët serbe vrisnin fëmijë, gra plaka e pleq dhe çdo kënd që e takonin në rrugë, në fshat apo në një lagje qyteti.

 

Kumanova sot na përkujton edhe rezistencën, Grykën legjendare të Llapushnikut, të cilën do ta përkujtojmë në rrjedhën historike të luftërave të shqiptarëve për mbijetesë.

 

Ishte dita kur njësitë luftarake të UÇK-së, Guri, Lumi, Pëllumbi dhe Çeliku kishin ndërmarrë një aksion të përqendruar për të sulmuar forcat ushtarake e policore serbe. Atë ditë, forcat serbe pas humbjes që kishin pësuar ditë më parë, në fshatin Gjergjicë, kishin filluar një ndërmarrje ndëshkuese  kundër fshatrave Llapushnik, Vuçak, Arllat, Negrovc, Tërpezë.  Fillimisht focat serbe kishin marrë  pikën strategjike në vendin e quajtur, “Guri i Llapushnikut”, afër shkollës fillore të fshatit, me qëllim për ta mbrojtur dhe për ta siguruar magjistralën prej Komaranit ku ishte postblloku më i përqendruar i forcave të tyre  e në drejtim të Grykës. Me një aksion të organizuar mirë, në orët e pas ditës forcat e njësiteve të para të UÇK-së së kësaj ane, të cilat edhe më parë kishin ndërmarrë aksione guerile, filluan sulmin e koordinuar kundër forcave serbe, të cilat në pamundësi për të rezistuar ishin tërhequr me humbje në drejtim të Komaranit, ku edhe ishin pozicionuar. Zënia e Grykës nga forcat e UÇK-së zgjati deri më 26 korrik të vitit 1998. Gjatë asaj kohe forcat e UÇK-së kishin lëvizur nga një zonë në tjetrën dhe ishin konsoliduar në masë. Në sulmin mbi forcat serbe në Grykë të Llapushnikut ka rënë dëshmor, Besim Halilaj. Ai ishte  djali i mësuesit të popullit, Daut Halilaj dhe vëlla i dëshmorit, Alban Halilaj, të tre dëshmorë të kombit  nga fshati Tërdec. Po atë ditë janë plagosur disa luftëtarë të UÇK-së.

 

Sot në Kumanovë, forcat policore sllavomaqdonase kanë goditur në pritë, në befasi, me qëllim për të vrarë shqiptarët dhe për t’ i paraqitur para botës si terroristë. Do të gjenden shumë nga shqipfolësit që do t’ i quajnë edhe xhihadistë. Madje edhe më keq. Edhe politikanët shqiptarë të Maqedonisë si pozita ashtu edhe opozita kërkojnë maturi, kërkojnë të ruhet shteti i Maqedonisë dhe institucionet si gjëja e shenjtë, “që vret qytetarët e vetë” madje ajo polici vret gra e fëmijë, sepse kështu luftohet më lehtë. Deklaratat diplomatike të Ali Ahmeti, Menduh Thaçit, Hashim Thaçit, në këto çaste tronditëse janë uniforme të thata e servile nga përmbajtja, janë deklarata verbale që kanë për qëllim ruajtjen e status quosë me çdo kusht, sepse çdo tronditje që mund të sjellë nesër Kumanova dhe shqiptarët që nuk pajtohen të jetojnë përgjithmonë në robëri, do të tronditë edhe fronet e hyzmeçarëve të Shkupit, të Beogradit e të Brukselit.

Sulmi i egër sllavomaqedon kundër popullatës shqiptare në Kumanovë nuk është diçka e papritur. Kjo ka qenë e paralajmëruar, dhe kjo do të ndodhte pikërisht më 9 maj,  pati apo nuk pati UÇK në këtë anë, sepse 9 maji shënon ditën e fitores  kundër fashizmit. Kjo datë na përkujton edhe 13 majin e vitit 1981 në Prekaz, kur në ditën e Milicisë së Jugosllavisë ishte sulmuar Prekazi e veçmas familja Mehaj, me qëllim për të korrë edhe një fitore.

 

UÇK-ja kudo në Maqedoni, në Kosovë e më gjerë është kurdoherë e pranishme kur të sulmohen shqiptarët, gratë e fëmijët e tyre. Këtë  kod shqiptar të UÇK-së e di populli e dinë të gjithë idealistët, por nuk do të dëgjojë për të politika servile shqiptare, ashtu sikur nuk donte të dëgjonte dikur politika pacifiste shqiptare e Ibrahim Rugovës, derisa Drenica digjej e piqej ajo organizonte zgjedhje të lira nën Serbinë dhe luftëtarët e UÇK-së i quante dorë e zgjatur e Serbisë.

Mjerisht e  njëjta situatë po na përsëritet edhe tani, 16 pas mbarimit të luftës në Kosovë e 14 vjet pas mbarimit të luftës në UÇK-së në Maqedoni, luftën heroike  që e tradhtuan ata që sot ndodhen në koalicion me forcat vrastare sllavo-maqedonase. Në kohën e luftës në Maqedoni, ishte PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe Arbër Xhaferrit, e cila qëndroi anash, ndërsa sot po qëndrojnë anash, Ali Ahmet dhe si gjithnjë Menduh Thaçi, mjerisht edhe partitë e tjera shqiptare, të cilat janë gjetur të befasuara, edhe pse nuk do të duhej të ishin befasuar për asnjë çast derisa dihet fare mirë se shqiptarët në Maqedoni janë popullata më e diskriminuar në Evropë.

 

Edhe Thaçi ynë, tani ministër i Jashtëm i  Kosovës po bën thirrje për maturi, por nuk po ka guxim ta dënojë krimin, vrasjen e grave e fëmijëve, krimin  i cili ka një adresë të saktë dhe të tejdukshme.  Pse nuk dënohet krimi kur barbarët, në pritë, në shtëpitë e tyre kanë vrarë, tash për tash pesë shqiptarë, gra burra e fëmijë. Përderisa politikanët tanë fshehin kokën si struci, zëdhënësi i policisë së Maqedonisë, Ivo Kotevski në konferencën e parë për media ka thënë se dy grupet, të cilat ai i quan  terroriste paskan pasur për qëllim sulmin  ndaj institucioneve qeveritare. Informacionet të cilat i kemi siguruar më parë tregojnë se grupi ka hyrë në Maqedoni nga një shtet fqinj dhe nëpërmjet mbështetësve të tyre është strehuar dhe është përgatitur që të veprojë për sulmet e tyre terroriste. Policia ka arritur të gjejë lokacionin e tyre se ata fshihen në disa shtëpi të “Lagjja e Trimave”. Sipas të dhënave bëhej fjalë për një grup që është i armatosur mirë dhe e trajnuar për luftë në kushte të tilla”, tha Kotevski, transmeton “Zhurnal”. Kjo do të thotë se sulmi qenka kryer me qëllim të parandalimit të sulmeve kundër institucioneve.

 

Shqiptarët janë sulmuar dhe janë likuiduar sepse policia ka paragjykuar se ata paskan pasur plan të sulmojnë institucionet. Çdo shqiptar në Maqedoni mund të vritet me pretekste dhe paragjykime të tilla fashiste.

 

Ndërkohë bëhet e ditur se Qeveria e Serbisë ka dërguar qindra xhandarë në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë, gjoja si përforcime. Kjo nuk i brengos politikanë tanë në Shqipëri, sepse ata  janë të zënë me parapërgatitjet e fushatës zgjedhore, ndërsa këta  në Kosovë po bëjnë fushatë për themelimin e gjykatës kundër UÇK-së, e cila çuditërisht po ringjallet si zog feniksi. Me një anë po duan t i bëjnë gjyq për luftën e para 16 viteve, në anën tjetër ajo po rilind dhe do të rilind me qëllim për ta ruajtur qenien ashtu sikur e ka ruajtur 500 vjet kundër  aziatëve dhe 100 vjet kundër barbarëve sllavë, gjithnjë pa ndihmën e askujt dhe gjithnjë me një klasë kolaboracionistësh e pacifistësh të damkosur, në mesin tonë.

Shqiptarët sot edhe pse të ndarë e të fragmentuar politikisht e ekonomikisht, janë forcë popullore, e cila garanton mbijetesë. Vetëm kur na shtypin dhe na vrasin ashtu sikur po na vrasin sot, na bëjnë me dije se ende jemi nën robëri dhe me këtë na japin të kuptojmë se kështu do ta kemi deri sa një ditë nuk e marrin përsipër barrën për ta bërë një Shqipërinë. Pse presin atëherë? Kur armiqtë  na vrasin me pretekste se paskemi dashur t i vrasim, çka presim ne. Presim të na vrasin, sepse na paragjykojnë si vrasës.

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë çka humbin në përpjekjet e tyre për liri, përveç këmishës së robërisë. Dhe për ta shqyer  atë këmishë turpi, me të cilën po i mbulojnë vëllezërit tanë, të gjithë ne   kemi obligim jo vetëm folklorik, jo vetëm duke u kënduar trimave, por duke ndjekur rrugën e amanetin e tyre.

Kumanova sot është gjaku ynë që nuk mund të falet, që nuk ka të drejtë ta falë askush…

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmitari amerikan, Shon Bërns, shpjegon para trupit gjykues përmbajtjen e Komunikatës numër 63 të SH të UÇK-së

Në një dëshmi përpara trupit gjykues në Hagë, dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka …