Brickos

Thaçi Kurtit

RKL: Urrejtja e Albin Kurtit kundër Hashim Thaçit është urrejtje cinike, e përzier me xhelozi e paranojë II

Po të kishte “peshojë” për ta matur  urrejtjen e Hashim Thaçit dhe atë të Albin Kurtit , me siguri se urrejtja e Albinit kundër Hashimit do të ishte shumë më e rëndë, sepse pavarësisht shkallës së urrejtjes, është vështirë ta bindësh opinionin liridashës të Kosovës, se për nga veprimtaria, pjesëmarrja në lëvizjet çlirimtare, në luftën e UÇK-së dhe 21 vjet në krye të institucioneve më të larta të shtetit, të Hashim Thaçit, si  mund  të maten me aktivitetin politik e patriotik të Albin Kurtit  dhe Qeverisë së tij 50-ditë të plota dhe ditët e qeverisjes në shkarkim, por në detyrë.

Vetëm dy net të Hashim Thaçit,  nga 400 e më shumë ditë efektive të luftës dhe bashkëluftëtarëve të tij, në kohë ofensivash serbe në vitet 1998-1999 kanë më shumë vlerë për historinë e kombit, sesa tërë klasa e politikanëve të pasluftës, të cilët iu gëzuan fitores, por pa derdhur djersë as gjak, pa e shkrepur asnjë plumb kundër forcave kriminale serbe.

Andaj lufta e Albinit kundër Hashimit, nuk është luftë “titanësh” as luftë legjendare e Davidit kundër Goliatit, nuk është fare luftë që i korrespondon fenomenit.

Ngritja e Albinit ka filluar me protestat e tetorit të vitit 1997, pastaj me aktivitetin e pamohueshëm në Zyrën e Adem Demaçit, ku ishte zëdhënës për informim, po ashtu qëndresa e tij e papepur në burgjet e Serbisë, kur kah fundi i luftës ishte kidnapuar me mijëra shqiptarë të tjerë nga regjimi kriminal i Milosheviqit, Askush dhe asnjëherë nuk mund t ia mohojë Albin Kurti dhe asnjë Albini tjetër kontributin politik dhe aktivitetin atdhetar.

Periudha e pas lirimit nga burgu e deri sot, duke u pozicionuar në opozitë, është vetëm luftë politike për pushtet,  ashtu sikur ka qenë dhe mbetet nga të gjitha partitë politike, jo vetëm në Kosovë,  por kudo në botë. Edhe lufta e Albinit dhe e Vetëvendosjes ka qenë luftë për ta marrë pushtetin dhe jo për ta çliruar Kosovën e çliruar nga lufta e UÇK-së dhe përkrahja e NATO-s, qysh në qershor të vitit 1999.

A mund të krahasohet dot lufta për çlirimin e vendit me armë në dorë, me luftën politike të pasçlirimit, të politikanëve  “të virgjër nga lufta” për të marrë pushtet?

A mund të krahasohet lufta politike pacifiste e Ibrahim Rugovës, me luftën e legjendarit, Adem Jashari e tërë familjes së tij dhe të konkludohet se të dytë kanë të njëjtën mëritë në çlirimin e vendit?

A mund të krahasohet kontributi i Veton Surroit në çlirimin e Kosovës me kontributin e Ramush Haradinajt, kur  Surroin, veshur me frak e kravatë,  gjatë luftës e ka ruajtur policia e Milosheviqit, në Prishtinë, ndërsa Ramush Haradinaj me dhjetëra mijëra luftëtarë ka luftuar ditë e natë, 24 orë në front, për 400 ditë pa pasur kohë as ta ndërrojë një këmishë të pastër në trup,  por duke e mbajtur ashtu të palarë me muaj të tërë dhe duke mos i rënë fare në mend se ka apo nuk ka rroba në trupin e tij, duke mbajtur mbi supe trupin e vëllait të vrarë e sa e sa bashkëluftëtarëve.

Këto krahasime nuk i bën një njeri normal, por i bën një “politikan normal” dhe që me rezonin e njeriut të arsyeshëm krahasohen me  gjelin  që hip në maje të plehut dhe kukuris për madhështinë e tij, duke i ndjellë pulat…

Urrejtja e Albinit për Hashimin është urrejtje me cinizëm duke u munduar të ia ulë vlerat, duke e trajtuar si noter, si kryetar jashtë detyrës, si njeri të korruptuar si një hiq, i cili qysh prej kohës kur është dënuar 12 vjet burg nga regjimi i Serbisë, në  aktakuzë për terrorizëm së bashku me Adem Jasharin e dhjetëra bashkëluftëtarë, paska qenë i dëmshëm për Kosovën, madje ka bërë edhe shkeljen e ligjit pse nuk e paska pyetur “gjelin” e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla edhe kur ka shkuar në spital për t u shëruar, apo në Shqipëri.

III

Urrejtja e Hashim Thaçit është urrejtje nga pozita e mujsharit  që ka 22 vjet stazh në institucionet më të larta të  Kosovës

Urrejtja e Hashim Thaçit është urrejtje nga pozita e mujsharit, nga pozita e njeriut i cili ia njeh meritat vetvetes, por disa herë duke i tejçmuar ato, disa herë duke treguar edhe naivitet e shpërfillje, që nuk i bëjnë nder, por meritat në luftë e pas luftës janë kredi që nuk shpenzohen lehtë. Ashtu sikur Albin Kurti që i ka gjelat e vet, mjerisht edhe Hashim Thaçi ka pasur e ka të tillë, të cilët më shumë ia ulin sesa ia rrisin autoritetin.

Hashim Thaçi urren duke pasur për bazë postin e postet e deritanishme, nga të cilat  në asnjë mënyrë nuk do të duhej të shpërfaqej, përkundrazi, në pozitën e të parit të Shtetit, do të duhej të ishte shumë më i matur me kundërshtarët politikë, sepse vetëm ashtu tregohet pjekuria, korrektësia e institucionit të cilin e përfaqëson.

Gabimet e Hashim Thaçit ( nëse kanë qenë gabime ndaj Shtetit e popullit) duhet të  tregohen dhe dëshmohen si të tilla me fakte e argumente,  jo vetëm me fjalë papagallësh si Svecla, abazët, shkëlzenët e soji i tyre.  Në të kundërtën do t’ ia rrisin vlerën dhe të gjithë ne që e kemi kritikuar, madje sa herë që e ka qelë gojën, duhet t’ kërkojmë falje, të cilën ai me siguri se nuk do ta pranojë  kurrë, sepse sedra e tij nuk ka kufi, as ka këshilltar  të vetin i cili guxon ta mësojë apo ta sugjerojë, sepse shefi i di të gjitha, edhe kur e pyet këshilltarin e tipit, lepe-peqe, ai bën si di e si do vetë.

Thaçi dhe çdo njeri normal e di se urrejtja nuk sjellë asgjë të mirë, se ajo pasohet me urrejtje dhe si  e tillë ka sjellë e sjellë dëm, por ja që disa politikanë, bazën e perceptimit, mendimit dhe veprimit të tyre politik  e bazojnë në urrejtje, cinizëm për kundërshtarin, që pasohet me nënçmim, sarkazëm  e poshtërim deri në groteskë, në mënyrë që vetë të shkëlqejnë, duke treguar se sa të zinj janë kundërshtarët e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: MBAJTJA E AKADEMISË PËR GAZETËN E LËVIZJES -ZËRI I KOSOVËS

U konstatua në këtë Akademi se dy numrat e parë të kësaj gazete janë dalë …