RKL: Viti 2014 në 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe

RKL: Viti 2014 në 36 shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe


 


 A. Ambiciet e partive politike e zhytën për pjesën më të madhe të vitit 2014, Kosovën në një krizë të paprecedentë politike, duke e dobësuar bazamentin e shtetit për hir të pushtetit.


 


B. Bashkësia e Komunave Serbe, pjellë e lëshimeve të palës së Kosovës në bisedime, rrezikon të shndërrohet në një entitet të ngjashëm me Republika Srpska në Bosnjë, duke e shkërmoqur edhe më shumë pavarësinë e Kosovës, meqë do të jetë i pushtetizuar me ingerenca të fuqishme.


 


C.  “Civilna Zashtita’, ky grupacion paraushtarak në veri të Kosovës, i shpëtoi shpërbërjes edhe këtë vit. Ky formacion ilegal që vepron në veri, vazhdon të diktojë rrjedhat politike në veri. Se ky formacion është mbi ligjin, dëshmon edhe vendosja e të ashtuquajturit ‘Park i Paqes’ në Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Barrikada e dikurshme me zall u zëvendësua me këtë park, i cili pas vetes fsheh ndarjen e qytetit si dhe pamundësimin e lëvizjes së lirë.


 


Ç. Çështje kryesore gjatë këtij viti  që po e lëmë pas, ishin bisedimet në Bruksel, ku adresohen vetëm nevojat e kërkesat e Beogradit por jo edhe interesat e Kosovës, ndaj të cilave bëhen vetëm lëshime ose nuk merren fare në konsideratë. Edhe gjatë këtij viti, në këto bisedime, qofshin në nivelin politik apo atë teknik, të gjitha temat u diktuan nga Beogradi.


 


D. Droni me hartën e Shqipërisë Etnike me portretet e Ismail Qemajlit dhe Isa Boletinit dhe mbishkrimin ‘Autokton’ që u valëvit në mbrëmjen e 14 tetorit në stadiumin e Partizanit në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ishte përgjigjja më dinjitoze e shqiptarëve kundrejt fashizmit serb.


 


DH. Dhjetori i këtij viti do të mbahet mend gjatë edhe për përpjekjen e terroristit serb, Sllobodan Gavriq për të kryer një akt terrorist midis Prishtinës. Ky diversionit serb, lidhja e të cilit me Shërbimin Informativ Serb mbetet e mundshme, pa kurrfarë kontrolli në pikën kufitare të Jarinjes arriti të futej me veturën e tij me targa të Beogradit duke bartur 13 kg lëndë të shpërthyese, të mjaftueshme për të shkaktuar një kasaphanë të vërtetë me dëme njerëzore e materiale të pallogaritshme. Edhe Ministria e Punëve të Brendshme e ka konfirmuar se serbi, Sllobodan Gavriq synonte të kryente një akt terrorist, përderisa hetimet e para bëjnë të ditur se në këtë komplot kanë gisht edhe disa policë kufitarë në veri që nuk e kanë kontrolluar të dyshimtin. Qëllimi i këtij terroristi ishte realizimi i këtij sulmi, që më pas do të përdorej nga Beogradi për të fajësuar shqiptarët duke i portretizuar si fanatikë religjiozë.


 


E. EULEX-i, ky mision i dështuar i Brukselit që thirret në emër të vendosjes së rendit dhe ligjit, është zhytur edhe më thellë në korrupsion, i cili ka prekur edhe majat e këtij misioni që shfrytëzon miliona euro të taksapaguesve evropian. Edhe gjatë këtij viti, EULEX është treguar i mefshtë ndaj kriminelëve serbë në veri, duke i lënë të lirë pavarësisht precedentëve kriminale.


 


Ë. Ëndrra ishin dhe do të mbeten premtimet pa mbulesë të partive politike për hapjen e vendeve të reja të punës, aq sa po të mblidhen dalin mbi 300 mijë sosh, por duke e njohur mirë mendësinë e punësimit fisnor, të gjitha këto vende pune mund të shumëzohen me zero.


 


F. Fitorja e parë politike në rajon e Qeverisë së kryesuar nga Edi Rama ishte vizita e tij në Beograd me 10 nëntor ku u takua me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. Kryeministri, Rama u bë shtetari i parë shqiptar që gjatë vizitës në Beograd, përmendi Kosovën e pavarur si një realitet i pakthyeshëm. Deklarata e tij u prit me admirim edhe në qarqet e huaja diplomatike, të cilat vlerësuan cilësitë e tij dhe kurajën prej burrështetasi të vërtetë. Fjalimi i tij u prit me pezmatim e egërsi jo vetëm nga kryeministri serb, Vuçiq por edhe mediat serbe. Edhe vizita e tij me 11 nëntor në Preshevë solli një ogur të mbarë për shqiptarët e Kosovës Lindore, sepse në mënyrë zyrtare shprehu mbështetjen e Tiranës për këtë rajon. Roli kyç i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor u pranua edhe nga Gjermania e Merkelit, kur Rama u zgjodh si përfaqësues i krejt Ballkanit Perëndimor megjithë kundërshtimin e zemërimin egërshan të Beogradit.


 


G. Gërmimet në varrezën masive të Rudnicës në Rashkë gjatë tërë këtij viti u sabotuan nga Beogradi përkundër presionit të butë nga ndërkombëtarët. Përderisa çështja e të pagjeturve nuk është adresuar sa duhet në bisedimet në Bruksel, familjarët e të pagjeturve në Kosovë po i ngrysin ditët në agoninë e pafundme të pritjes e të ankthit për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Me gjithë dëshmitë e shumta, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare nuk ndërmorën asnjë veprim për hulumtimin e një varreze masive në Petrovosello të Serbisë, ku mendohet se janë bartur me kamionë-frigoriferë trupat e shqiptarëve të vrarë.


 


GJ. Gjykata e Veçantë u përfol gjatë tërë këtij viti, kurse politikanët e zhytur në shantazhe e paudhësi të tjera, e tumirën këtë gjykatë e cila është ideuar nga Moska e Beogradi. Kjo gjykatë do të vë në bankën e të akuzuarit vetëm luftëtarët e UÇK-së, por jo edhe kriminelët serbë të cilët gjenden të sigurtë e të akomoduar në hierarkinë më të lartë të Policisë në Veri.


 


H. Hashim Thaçi, është emri që ka përcjellë një pjesë të madhe të ngjarjeve të këtij viti. Ai, prej kohësh është bërë epitoma e një politikani i cili e ka shndërruar në vlerë politike manipulimin me çdo lloj karte që i vjen n’dorësh. Prej takimeve të shumta në kapacitetin e kryeministrit në Bruksel, ku i solli vendit peshqesh një varg lëshimesh kapitale e deri te betejat politike, Thaçi është shndërruar në një nga politikanët më kundërthënës. Skandaloze mbetet deklarata e tij kur u distancua nga UÇK, duke thënë se asnjëherë s’ka marrë pjesë në luftime, gjë që u vlerësua nga syri opozitar si një përpjekje e tij për të amnistuar vetën në rast të krijimit të Gjykatës Speciale, pavarësisht se dëmin më të madh do ta pësojë imazhi i UÇK-së. Thaçi do të mbahet mend edhe si mos-përfillësi më i madh i vullnetit të zgjedhësve të PDK-së, sepse suksesin e shënuar në zgjedhjet e 8 qershorit e veniti me lidhjen e koalicionit me LDK-në, duke i dhënë asaj që për herë të parë pasluftës të drejtojë qeverinë e vendit.


 


I. Ikjet e të rinjve nga Kosova në drejtim të vendeve të BE-së, janë bërë skena të shpeshta muajve të fundit. Disa nga dëshpërimi, të tjerë nga varfëria e thellë, qindra të rinj po mësyjnë rrugëve të rrezikshme në kërkim të një jete më të mirë. Shumë të rinj po bien pre e trafikantëve ordinerë, të cilët u marrin shuma të konsiderueshme parash në këmbim të transportimit të tyre ilegal nëpër Serbi e Hungari. Ndërkohë, autoritetet policore të Hungarisë po i plaçkitin të rinjtë shqiptarë, duke u marrë të gjitha paratë e më pas duke i mbajtur kafshërisht nëpër kampe që gëlojnë nga papastërtia


 


J. Jeta e qytetarit në Kosovë është bërë gjithnjë e më e rëndë, gjithnjë e kërcënuar nga drapri i varfërisë. Çmime të shtrenjta të prodhimeve elementare, pasiguri, paqëndrueshmëri ekonomike ishin tiparet kryesore të këtij viti.


 


K. Kuvendi i Kosovës gjatë pjesës më të madhe të këtij viti ishte i paralizuar, kurse gjatë pjesës tjetër pati ndër paraqitjet më të padenja që nga paslufta. Deputetë të papërgjegjshëm, mungesa në paraqitje, dembeli ishin ndër skenat e zakonshme të Kuvendit, përderisa ky institucion legjislativ është bërë epitomë e luksit të shfrenuar të deputetëve, të cilët marrin pagat më të mëdha në vend përkundër angazhimeve minimale.


 


L. Luftëtarët e lirisë as këtë vit nuk u kursyen nga dhjetëra procese gjyqësore, të cilat edhe pse nuk faktojnë asgjë, janë të mjaftueshme për të njollosur imazhin e UÇK-së në sytë e keqdashëseve të shumtë. Ndonëse si sukses i shënueshëm mund të cilësohet miratimi i Projektligjit për Vlerat e Luftës, edhe ky vit ishte i zorshëm për një pjesë ish-luftëtarësh të cilët e shkojnë jetën në varfëri të thellë. Kjo shtresë e nëpërkëmbur është tipi heminguejan, një brez i zhgënjyer dhe i harruar, i mposhtur por jo i asgjësuar.


 


LL. Llomotitje pafund analistësh, portalesh e gazetash që përvijojnë agjenda para-politike. Këto segmente pa fije kredibiliteti moral a intelektual i japin vetës të drejtë të vihen në rolin e modeluesve të opinionit shoqëror, e që në të shumtën e herave s’bëjnë gjë veçse yshtin shkëndijat e smirës krahinore që lehtë përfton psikozën e vëllavrasjes.


 


M. Monstra, ky proces i montuar gjyqësor që ngjan me romanet e Kafkës, ishte ndër ngjarjet kryesore që shënjoi këtë vit Maqedoninë shqiptare. Ndaj 6 qytetarëve të pafajshëm shqiptarë u shqiptuan dënime drakonike me burgim të përjetshëm për gjoja vrasjen e disa të rinjve maqedonas në afërsi të Shkupit. Drejtësia e politizuar si dhe arroganca e organeve shtetërore nxiten të rinjtë shqiptarë në protesta, e të cilat u shtypen me dhunë nga policia, duke treguar se monstrumi i vërtetë në Maqedoni është klika sunduese e Gruevskit.


 


N. Ndërmarrjet publike dhe shoqërore në Kosovë edhe gjatë këtij viti, janë bërë plaçkë e lirë e cila u dorëzohet në dorë privatizuesve të dyshimtë e jo-serioz, të cilët me çmime qesharake blejnë pasuritë në Kosovë për t’i shfrytëzuar pastaj me nepsin e neo-kolonizatorëve. Kompleksi i Brezovicës, në shpatijet e vargmaleve të Sharrit, iu fal një konsorciumi francez i cili do ta shfrytëzojë edhe për një shekull (99 vjet). Ky konsorcium ka blerë një metër katrorë tokë në Brezovicë për 27 cent, gjë që flet se pasuria kombëtare në Kosovë po tretet në duart e privatizuesve lakmitarë dhe një Qeverie që i shërben më tepër Brukselit e Uashingtonit sesa popullit të saj.


 


Nj. Njohjet e reja sivjet kanë stagnuar thuajse krejtësisht. Vetëm gjatë këtij viti u shënuan 4 njohje të reja, përderisa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se janë të përqendruar në anëtarësimin e vendit në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Stafi diplomatik i vendit gëlon nga njerëz që janë emëruar jo falë profesionalitetit, por për shkak të afërsisë partiake ose familjare.


 


O. Orvatjet për të përhapur masovisht pretendimin absurd të trafikimit të organeve nuk reshten as gjatë këtij viti. Kulmi i këtyre absurditeteve arriti në korrik të këtij viti kur prokurori amerikan i Task-Forcës së BE-së, Clint Williamson, paraqiti ‘gjetjet’ e tij se janë kryer krime ndaj serbëve dhe se ka dyshime se trafikimi me organe mund të ketë ndodhur me të vërtetë. Ky raport, i cili vetëm sa përsërit në një formë tjetër absurditetet e raportit të senatorit zviceran, Dick Marti, më shumë u bë për të përligjur themelimin e Gjykatës së Veçantë sesa për të paraqitur ndonjë fakt për të provuar këto pretendime. Është e çuditshme, për të mos thënë e qëllimshme, sesi gjatë tërë punës së saj hetimore e ashtuquajtura Task-Forcë e BE-së nuk hetoi qoftë as edhe një pistë të vetme për trafikimin e organeve të shqiptarëve të vrarë ose të zënë rob nga vetë forcat serbe.


 


P. Papa Françesku me vizitën e tij historike në Shqipëri me 21 shtator, i dha përgjigjen më të mirë propagandave të huaja anti-shqiptare që përpiqen t’i paraqesin shqiptarët si fanatikë fetarë e si rrezik për paqen rajonale. Papa Françeskut iu bë një mikpritje e denjë shqiptarë, ku kishte shqiptarë të të gjitha besimeve. 


 


Q. Qentë endacak kafshuan për vdekje një fëmijë 7 vjeçar të komunitetit ashkali, i cili në kushtet e mjerimit të plotë po kërkonte ushqim në kontanjerët e hedhurinave në Fushë-Kosovë. Ai nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda nga kafshimi i qenve, duke e vënë në sprovë ndërgjegjen e të gjithëve. Autoritetet qendrore dhe ato lokale asnjëherë nuk i janë qasur këtij problemi, meqë për muaj të tërë, OJQ të dyshimta që marrin fonde nga jashtë, u bënë mbrojtëse të gjoja “të drejtave të kafshëve”, duke kërkuar rehabilitimin e tyre në qendra të posaçme në kohën kur Kosova është vendi më i varfër në Evropë. Asnjë nga këto OJQ nuk përmendi vdekjen e vogëlushit 7-vjeçar nga Fushë Kosova si dhe sulmet ndaj fëmijëve të vegël nga qentë endacak.


 


R. Reka e Epërme, kjo krahinë autoktone shqiptare në Maqedoni u rikthye në identitetin e vet shqiptar pasi intelektualë e veprimtarë të guximshëm si Branko Manojlovski dhe Branislav Sinadinovski ngritën për herë të parë çështjen e shqiptarëve të asimiluar ortodoks në Maqedoni, duke u bërë thirrje atyre që t’u kthehen rrënjëve shqiptare. Kjo punë këmbëngulëse solli fryte të mbara pasi shqiptarët ortodoks në Maqedoni për herë të parë do të kenë meshat në gjuhën shqipe.


 


RR. Rryma elektrike u shtrenjtua gjatë këtij viti dy herë radhazi në kundërshtim me çdo normë, duke dëmtuar edhe më shumë gjendjen edhe ashtu të drobitur të qytetarëve. Përkundër faktit që rrjeti i shpërndarjes së Energjisë Elektrike iu fal me një çmim qesharak një kompanie turke, shërbimet që ofron ajo janë skandaloze. Ndërprerje të vazhdueshme të rrymës, fryrje të faturave e vendosje ilegale të orëve nëpër shtylla elektrike, ishin disa nga shërbimet e kompanisë private turke që menaxhon me një aset kaq të rëndësishëm të energjetikës në Kosovë.


 


S. Serbia dhe zgjatimi i saj në Kosovë, Lista ‘Srpska’ kanë shtuar praninë e tyre në Kosovë. Ky ndikim ka marrë përpjesëtime të frikshme, aq sa Lista ‘Srpska’ duke përftuar nga përçarjet proverbiale të partive shqiptare’, në pjesën e fundit të vitit 2014 u bë përcaktuese dhe faktor me peshë në krijimin e Qeverisë Mustafa. Me akomodimin në Qeverinë e Kosovës, ky formacion çetnik do ta ketë më të lehtë zbatimin e agjendës së Beogradit që konsiston me krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe, një entitet ky që sfidon sovranitetin e institucioneve qendrore.


 


SH. Shëndetësia në vend po shkon drejt rrënimit të plotë, ku po krijohet një kategori kriminelësh me mantelin e bardhë që s’njohin Betimin e Hipokratit, por kanë vesin e hipokritit. Shkatërrimi i shëndetësisë publike po sjell privatizimin e këtij sektori, e manifestuar me hapjen e panumërt të ordinancave të dyshimta. Natyra kriminale e mafisë së me mantela të bardhë u pa më së miri me rastin e arrestimit të një grupi të organizuar kriminal prej 9 personash. Pas përgjimit të mesazheve telefonike nga Prokuroria, u pa se ky grup e kishte kthyer spitalin publik në një treg për të tërhequr myshterinjë e që më së shumti ishin pacientë të varfër e me probleme.


 


T.  “Trepça”, ndonëse nuk është as hija e kompleksit të dikurshëm metalurgjik, sivjet shënoi prodhimin më të lartë të xehes, një rekord që shënohet pasluftes. Por zhvillimi i këtij kompleksi, që do të ishte impuls i fuqishëm i ekonomisë kombëtare, është vënë në pikëpyetje, për shkak se Qeveritë në vend ende nuk kanë miratuar Ligjin për këtë ndërmarrje publike, por kanë lënë hapur mundësinë e faljes së saj, që për eufemizëm quhet ‘privatizim’.


 


TH.  Thirrjet “O sa mire me qenë shqiptarë” këtë vit kanë qenë më të dëgjuara se asnjëherë më parë. Mungesën e vullnetit të dy Qeverive për të lëvizur para drejt agjendës kombëtare, po e kompenson brezi i ri i të rinjve që po vendos themelet shpirtërore të bashkimit.


 


U. Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i lartë arsimor në vend, është bërë shesh-betejë e grupacioneve të ndryshme politike që mëtojnë kontrollimin e tij. Rektori i ri i sapozgjedhur, Ramadan Zejnullahu u bë cak i kundërshtive e përplasjeve. Ato arritën kulmin me ngurrimin e organeve drejtuese për të pranuar studentë nga kategoritë e dala nga lufta. Kërkesa e ligjshme për të pasur disa lehtësira në regjistrim për fëmijët e dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së u pasua me një propagandë të shfrenuar të OJQ-ve dhe disa medieve në vend, të cilat nxitën opinionin kundër gjithçkaje që asocion me UÇK-në.


 


V. Veriu edhe gjatë këtij viti mbeti i papashëm për institucionet qendrore të Kosovës. Kjo pjesë që mbahet e pushtuar nga strukturat ilegale të Serbisë, është bërë strehë e gangsterëve, kontrabandistëve e kriminelëve serbë të cilët kanë pamundësuar jetën normale si për shqiptarët ashtu edhe për serbët lokalë.


 


X.   Xehet e Kosovës edhe këtë vit kanë mbetur të pashfrytëzuara, ose ato që po shfrytëzohen siç është rasti me damarët e pasur të nikelit në Drenas, po shkojnë për fitimet e pronarit të huaj të ‘Feronikelit’.


 


XH. “Xhamadani vija-vija” është bërë një moto e vërtetë e shqiptarëve kudo që ndodhin, këngë që tejçon një mesazh të veçantë të bashkimit shpirtëror të brezave të rinj të shqiptarëve. Kjo këngë krenarie e cila këndohet më endje e emocion nga shqiptarët, është bërë simbol i mendësisë së re të shqiptarëve, ku gjithnjë e më shumë po përforcohet solidariteti gjithëshqiptar. Një problem për shqiptarët në Shkup po ndjesohet njësoj për bashkatdhetarët në Prishtinë e Shkodër, ashtu si një problem për shqiptarët në Plavë po ndjesohet si problem edhe për shqiptarët në Tiranë e Kumanovë.


 


Y.  Yshtja e elitave politike në Prishtinë e Tiranë për aspiratat për integrim në BE, bëhen thjesht për interesat e ngushta të tyre dhe jo për nevojat jetike të shqiptarëve në këtë epokë të re. Në kohën kur edhe në vendet e BE-së, euro-skepticizmi ka arritur majat, shqiptarët vazhdojnë të mashtrohen pas mirazhit se hyrja në këtë bashkim shtetesh, do të sjellë paqen e lumturinë, ndërkohë që harrohet përvoja jo e mirë e shteteve të reja që hynë në këtë entitet, si Bullgaria, Rumania, vendet baltike, etj, ekonomia e të cilave është rëgjuar si pasojë e vërshimit të mallrave nga vendet e fuqishme të BE-së.


 


Z. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit në vend të epilogut sollën prologun e një e krize politike që zgjati afër 6 muaj. Mbajtja e tyre kaloi në llupën e vëzhguesve të shumtë, qofshin vendor apo ndërkombëtar, ndërsa për shumëkë u vlerësuan si më të mirat që janë mbajtur që nga paslufta. Partitë kryesore në vend ndërtuan programe që shpesh përfundonin drejt groteskes e absurdit. Për fat të keq, në Kosovën e cila që nga viti 2008 frymon si e pavarur, qendra e rëndesës në kuptimin e vendosjes nuk janë zgjedhësit, qytetarët e lirë, por ambasadat e huaja si ajo e SHBA dhe Gjermanisë, që shpesh përzihen në allishverishe me politikanë të korruptuar vendor për ndërtimin e qeverive të dëgjueshme.


 


 ZH.     Zhagitja e konstitituimit të Kuvendit më së shumti u ka konvenuar deputetëve të kësaj legjislaturë të cilët për 6 muaj radhazi kanë marrë pagën e deputetit pa dalë as edhe një ditë në punë.

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …