RKL: Zgjidhja e përhershme e krizës në rajon do të duhej të bazohej në një zgjidhje unike në parimin etnik

 


Zhvillimet e fundit në veriun e vendit nuk i  kanë gjetur të përgatitur sa duhet disa  nga përfaqësuesit e opozitës, e cila në parim dhe në princip  shfrytëzon çdo dobësi apo lëshim të pozitës, për ta diskredituar atë dhe për ta marrë pushtetin. Kështu ndodh aktualisht në çdo vend të lirë të botës, por në kushtet dhe rrethanat tona kemi të bëjmë me një përjashtim “sui generis”, sepse kërkesa për dorëheqje të Qeverisë, pikërisht në kohë krizash, jo vetëm që është e dëmshme por në kushtet dhe rrethanat tona është krejtësisht e pamundshme, e pajustifikueshme, pse jo edhe e rrezikshme.


Kreu politik dhe institucional i Kosovës ka bërë shumë gabime lidhur me veriun gjatë 12 viteve të kaluara.


Po e zëmë se, në raste dhe rrethana të caktuara  edhe mund të ketë  pasur vullnet për ta kthyer qeverisjen në veri, por nëse logjikojmë me arsye të shëndoshë do të bindemi fare lehtë se shtrirjen e kontrollit të Kosovës  në veri në asnjë mënyrë nuk e ka lejuar administrata e UNMIK-ut dhe e EULEX-it. Jemi dëshmitarë të sa e sa konflikteve, incidenteve, vrasjeve, trafiqeve dhe veprimeve krejtësisht të paligjshme që kanë ndodhur dhe po ndodhin në veriun e vendit, ashtu sikur e dimë dhe e kuptojmë mirëfilli se shteti i Kosovës, pa lejen dhe miratimin e shumicës së faktorit ndërkombëtar, as ka mundur as mund ta bëjë qoftë edhe një hap të vetëm në këtë drejtim. Cili do hap i vogël apo i madh, që është ndërmarrë në këtë drejtim, paraprakisht ka pasur një leje nga një autoritet i një vendi mik.


Ka të tillë që besojnë se ka mundur të bëhet shumë më tepër, se është shtyrë për 12 vjet kjo çështje ende e mbetur pezull, se po ta kishte pushtetin ky apo ai qeveritar, Kosova  do ta kishte në kufirin e vet edhe veriun, por të gjitha këto konstatime hipotetike nuk kanë kurrfarë peshe, meqë realiteti faktik i demanton ato.


Qeveria e Kosovës, më 25 korrik 2011, megjithatë ka bërë një hap para, pavarësisht nga prapakthimi i shpejtë, sepse  në mos më shumë e testoi situatën aktuale dhe ofroi për zgjidhje çështjen e mbetur pezull qe 12 vjet.


Tani afër tre muaj më vonë, në veriun e Kosovës nuk është më gjendja sikur ka qenë më parë. Atje është homogjenizuar faktori serb, meqë edhe ashtu përbën shumicën dërrmuese të popullatës, por janë të pranishëm edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it, të EULEX-it dhe pak policë e doganierë të Kosovës. Po ashtu, problemi i veriut është rikthyer për një zgjidhje përfundimtare, jo ashtu sikur dëshirojmë ne, as sikur pretendon Qeveria, apo sikur dëshiron Beogradi, por  vetëm ashtu sikur do të ujdisen qarqet vendimmarrëse ndërkombëtare, në OKB, në Uashington dhe në BE, në rrugë për ta gjetur një kompromis, i cili në asnjë segment nuk përkon vetëm me interesat apo synimet tona. E them me keqardhje por çdo kompromis kurdoherë është bërë dhe bëhet mbi kurrizin e më të dobëtit. Kështu do të ndodh edhe kësaj radhe.


Prania e policëve dhe doganierëve të Kosovës në dy pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjakë dhe Jarinë, ka një simbolikë të fuqishme për Shtetin e Kosovës, por realisht nuk ka ndonjë dobi reale, me faktin se shumica dërrmuese serbe në katër komunat e veriut nuk do të qeveriset nga Prishtina, madje as me Planin famoz të Ahtisarit. Pretendimet për veriun e  Kosovës do të ushqehen vetëm me retorikë dhe me shpresë se serbët do të lodhen një ditë dhe vetë do t’i heqin barrikadat, ashtu sikur shprehet  ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi edhe pse ai do të duhej ta dinte  mirë se ata, të cilët nuk janë lodhur qe 12 vjet, nuk lodhen dot as për 120 vjet. Jemi ne shqiptarët që nxehemi e  ftohemi lehtë, që bëjmë turr përpjetë  e sakaq  lodhemi, por kjo nuk vlen për serbët.


Ata lëshojnë pe, vetëm kur forca i detyron dhe kur nuk gjejnë asnjë rrugëdalje  tjetër. Aktualisht, kjo shtrëngesë për serbët nuk do të ndodh, për faktin se edhe Serbia i ka të fortë miqtë në Be, në OKB, por jo aq të fortë në Uashington.


Tani do të shohim dhe do të bindemi në ultimatumin që i ka dhënë KFOR-i barrikaduesve  serbë në veri, të cilët duhet t’i heqin barrikadat deri ditën e diel më 17 tetor 2011. Nëse KFOR-i dështon edhe kësaj radhe, atëherë duhet të ballafaqohemi me të papritura të paparashikueshme.


E vetmja zgjidhje e lehtë, drejtë, e dobishme, e arsyeshme, pa gjakderdhje dhe përgjithmonë e qëndrueshme do të ishte zgjidhja paqësore mbi principe dhe parime etnike, në nivel të  tërë Ballkanit konfliktuoz dhe kurdoherë fuçi baroti. Me rishqyrtimin e kufijve, dhe përfilljen e parimit etnik, ne jo vetëm që nuk humbim asgjë, por fitojmë atë, që aktualisht është jona. Po ashtu do të fitonin edhe serbët, boshnjakët, kroatët, sanxhaklinjtë, timokasit, magjarët, bunjevasit e  Vojvodinës e shumë të tjerë. Po kjo tash për tash duket një utopi, sepse ky parim sfidon në radhë të parë OKB-në dhe politikat globaliste botërore.


Andaj, zgjidhja çështjes së veriut të Kosovës pa zgjidhjen e  çështjes së  Kosovës në Lindje, do të jetë e pamundshme dhe vetëm se do të zhvendoste konfliktin nga një vend në tjetrin. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni, çështja e veriut të Kosovës, e Kosovës Lindore, e Çamërisë, e Sanxhakut, e Vojvodinës, pse jo edhe e Bosnjës e Hercegovinës duhet të zgjidhen mbi parimin etnik, mbi principet e vetëvendosjes së shumicës për vetëqeverisje. Vetëm me një zgjidhje të tillë të përgjithshme dhe unike, Ballkani do ta fitonte paqen e përhershme dhe nuk do të kishte më arsye as nevojë t i bashkohej BE-së, meqë do të mund të bëhej një union “Sui generis” i të gjitha shteteve të rajonit, mbi parimet e njohura të reciprocitetit dhe përfilljes maksimale të të drejtave për të gjitha kombet në rajon, ashtu sikur janë zgjidhur këto probleme në shumicën e vendeve evropiane. Një zgjidhje e tillë tash për tash duket utopike, por realisht është zgjidhja e vetme paqësore, një zgjidhje historike  ku nuk do të kishte  vetëm humbës, sikur kanë qenë gjithmonë shqiptarët, dhe vetëm fitues, sikur kanë qenë gjithmonë serbët.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar kundër deklaratës së ministres, Donika Shvarc

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar në deklaratën e ministres së  Jashtme, Donika Shvarc, …