Maqedonia

Rreth 50 mijë shqiptarë në Maqedoni pa nënshtetësi

Rreth 50 mijë vlerësohet të jetë numri i shqiptarëve në Maqedoni të cilët u mohohet e drejta e nënshtetësisë. Ky problem nuk po trajtohet nga autoritetet e këtij shteti, të cilat para diplomatëve të huaj mburren se ligji për shtetësi është harmonizuar sipas standardeve evropiane. Shqiptarë që kanë jetuar me dekada të tëra në Maqedoni u mohohet e drejta për t’u pajisur me nënshtetësi nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë, me arsyetimin se ata janë me origjinë nga Kosova apo edhe Kosova Lindore. Eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadriu duke folur për këtë problem, ka thënë se çështja e nënshtetësisë është politizuar, meqë Ligji mbi shtetësinë i takon ligjeve diskriminuese. Sipas tij, në procedurën për aplikim për nënshtetësi vihen kushte e formalitete rigoroze, madje në këtë proces përfshihet edhe Sigurimi Shtetëror. Kadriu ka shtuar se Sigurimi Shtetëror ka dhënë mendim negativ për shumë aplikacione të shqiptarëve. Mungesa e shtetësisë po kthehet në problem serioz, veçmas për shqiptarët e Malësisë së Kumanovës. Ata ndodhen në një pozitë të palakmueshme për shkak se si pasojë e mungesës së nënshtetësisë nuk kanë as sigurim shëndetësor dhe shërbime të tjera. Në anën tjetër, mohimi i nënshtetësisë reflekton edhe në dobësimin e peshës politike për shkak se nënkupton më pak votues shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …