Rrustem Geci: H E R O I K A – poemë për Kryengritjen e 11 Marsit, 1981


Tek po pija kafenë e mëngjesit


një zë shumëzohej nga qyteti


lashë kafenë, dhe dola në rrugë


në Prishtinë kudo kryengritje


 


Ajo këngë e zëshme e Kosovës


ai zemërim gjigand i studentëve


bekimin e kishte nga populli


që të ndjek udhën e historisë


 


O sa na gëzoi ai himn i rinisë


O sa na gëzoi neve Prishtina


Në tëra ato duar të bëra grusht


unë pashë urtësinë e një vullkani


 


Unë, më i vogli poet i Kosovës


një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj


i mblodha vet disa pika të gjakut


që ky marsh i lirisë të shkruhet!..


 


2


 


Studentët, loçkat e shpirtit


më të mirët e kombit, më të


dashurit; më të patremburit


më të zgjedhurit, faqekuqët


thyen xhama, pasqyra, orendi


goditën figurën e pushtuesit


për ta nxjerrë në shesh të


vërtetën, dhe atë ferr të bërë


Në kryengritjet 1968 – 2000


mbi rininë trime të Kosovës


u sul e gjithë ushtria e serbit


individ të muzgut, karkalecë


polic me medaljone krimesh


njerëz me urejtje të pëtejme


specialistë të ndëshkimeve


titistë me babë dhe me bir


Udbëistë të çajtoreve, berberë


miq të armiqve të sofistikuar


drejtorë bankash, sindikalistë


gjykatës me pozita në shtet


iu sulën rinisë së Kosovës


moshës sonë më trimërore


 


3


 


Në ato vite të kryengritjeve


dhe të urtësisë së vullkanit


Një natë në Prishtinë ; në


Tavnik e në Ferizaj; në Pejë


e Prizren ; në Gjilan dhe në


Gjakovë; në Tetovë e Ulqin;


në Prizren e Skënderaj, në


Preshevë e Kumanovë; në


Mitrovicë dhe në Medvegje


edhe ëndërrat kullonin gjak


 


Prej se njihen të mbjellat


dhe prej se njihen të korrat


Kosova të bukurën e ka


në gjuhë, në armë, në luftë


flisnin gjyshet dhe gjyshërit


Në traktet e viteve 1981


të çdoditshme ishin thirrjet;


vullneti popullit nuk shkilet


vullneti i popullit nuk jepet


vullneti popullit nuk shuhet


as me tanke, e as me burgje


 


4


 


Në ato vite të pushtimit serb


shqiptarët ishim të kërcënuar


natën, ditën, në rrugë, në punë


sulmoheshin shkollat shqipe


sulmohej mielli dhe buka, uji


dhe pemët, mësuesi dhe libri


emri dhe mbiemri, prejardhja


sulmoheshin veshjet, dasmat


kostumi dhe veturat, punët e


ditës, ndenjat e vona, njerëzit


e zakonshëm, të mbjellat dhe


bujku, të drejtat e festave, dhe


fëmijët tanë arrestoheshin, sa


herë festonin festat e betejave


Në ato vite të pushtimit serb


serbët pakicë na gjenociduan


të përkrahur nga Beogradi


shtienin në çdo gjë shqiptare


vrisnin që të shpërnguleshim


nga tokat tona stërgjyshore


Në ato vite të gjenocidit serb


në sofër të familjes shqiptare


mungonin fëmijët, shija dhe


ngjyra, e një Kosove të lirë!


 


5


 


Në Kosovën e atyre viteve


Prishtina, kryengritësja jonë


u ngrit lotët t´i kthejë në gurë


në grushte, në armë, në beteja


 


Zullumi këputet prej s´trashi


shkruan në librin e urtësisë


Prishtina , trimja e Kosovës


pështynë ekranin e televizorit


natën e zezë pis, dhe ngritet


shtypjen me grusht ta mbys!..


 


Vlimeve e mëdha të Kosovës


militantë të luftës thërrisnin


të bëhemi me më shumë duar


të bëhemi më shumë grushta


që lirinë ta ngrejmë me gjak


 


Preshevë, Shkup dhe Tetovë


të mblidhemi në sheshet tona


që Kosovën ta bëjmë të lirë


të bukur dhe të përbashkuar


 


 


6


 


Kosovë, bëje dorën grusht


është çasti i sprovës sonë


mbaje sqimën, mos u tremb


Prishtina sonte s´ ka gjumë


ajo do që të jetë në betejë


kudo që ka një prangë


kudo që shkilet një varg


 


Unë, më i vogli poet , më i


vockli, një banor i Kosovës


i mblodha këto pika gjaku


kjo poemë të mos humbet


 


Kosovë, sonte s´ jam poet


sonte jam i njëjtë s´ i ju


dhe kam aq gjak në trup


të jemi së bashku për liri


 


Prishtinë,e bukura Kosovës


këngën mos e le të të ikë


mbaje fort, dhe shtrëngoje


është gjakja jote e shpirtit!


 


7


 


Algjebra, Zjarri, Shkëlqimi


Kosovën e thërrisnin me zë


Bjeri daulleve kundër armikut


zgjoni ata që nuk janë zgjuar


trokitni në shtëpi të gjithsecilit


në të gjitha shkollat dhe qytetet


mbushni rrugët me vehten tuaj


të dëgjoj toka, ajri, dhe qielli


se këtë jemi! Dhe gjallë jemi!..


 


Liri, unë e ti jemi Kosovë


liri, unë e ti jemi Shqipëri


liri, unë e ti jemi Iliridë


liri, unë e ti jemi Preshevë


liri, unë e ti jemi Ulqin


liri, unë e ti jemi Çamëri


liri né jemi më shumë se kaq


liri jemi të gjithë shqiptar


 


Prishtina të rënët i kënd


dhe e ruan kujtimin për


në himnin kuqezi të këng


në himnin kuqezi të fitores


 


8


 


O i plagosur që qan me shiun


 


Të gjitha kohërave gjak u dhamë


në beteja të luftës e burg të rëndë


gjak dhamë për tokë e për qiell


gjak dhamë që të rrojmë më mirë


 


Të gjitha kohërave gjak u dhamë


që atdheut t´i japim veten tonë


që diellit t´i themi mirëmëngjes


që lirisë t´i themi këtu të kem


 


Të gjitha kohërave gjak u dhamë


në Trojën e parë Trojën e ndanë


në Trojën e dytë Trojën e vranë


në Trojën e tretë turqit na ranë


 


Të gjitha kohërave gjak u dhamë


të lirë të rrojmë në vendin tonë


gjak dhamë për tokë e për qiell


gjak dhamë që të rrojmë më mirë!..


 


Rrustem Geci – Prishtinë, mars-prill 1981


 


 


 


 


 


 


 


 


 


 


Poezia e Rrustem Gecit  është poezi e angazhuar lirike me nota të theksuara atdhetare


 


Rrustem Geci është emër i njohur i letrave tona. I takon brezit të intelektualëve e veprimtarëve shqiptarë, të cilët në kohën e dhunës dhe robërisë serbe, sidomos në vitet ‘80-’90 të shekullit të kaluar, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të viseve të robëruara të Shqipërisë,  u detyrua të përcaktohet për rrugën e mërgimit, e cila poetit i hap edhe varrë të reja, jo vetëm  në botën e perceptimit dhe komunikimit poetik. Larg Atdheut, larg vendlindjes, brengat, shqetësimet sa vinë e shtohen. Atyre brengave u shtohen edhe shqetësime të tjera  nga jeta në mërgim, në një vend të huaj, pavarësisht sa mund të jetë mikpritës, sepse “guri i rëndë peshon në vend të vet, sepse guri i shkulur njëherë  vështirë ngulet sërish”. Pavarësisht nga këto mesazhe dokesore  shqiptare, jeta është dhënë për ta jetuar, qoftë edhe në dhe të huaj, madje qoftë edhe nën robëri, gjithnjë me aspiratë për çlirim.


 


Alfa dhe omega e krijimtarisë poetike të këtij poeti e veprimtari, ka qenë dhe po mbetet Shqipëria, e cila është një dhe e tërë në shpirtin dhe frymëzimet e tij, por vazhdon të lëngojë e ndarë dhe e përçarë në shumë pjesë, si moti e tani. Vazhdon të jetë zë i ngritur peshë në ndërgjegjen të tradhtuar të Evropës Plakë e njerkë në të njërën kohë, sepse:


 


Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
më shumë se një shekull
jam nën degë të rrufesë!..


 


Zemrën e kam të fortë


po trupin në pesë pjesë


e v r o p a t më copëtuan


kur Evropa s´ish e drejtë.


(Çka tha liria)


Poeti mediton e shkruan për një Shqipëri, që përballoi sunduesit më të egër të botës, fqinjët më grabitqarë e hileqarë që i njeh historia, një Shqipëri që edhe kështu si është nuk jepet, sado e mekur, sado e keqtrajtuar, sado e ndarë dhe e nakatosur. Me besimin e pa tundur për realizimin e aspiratave të natyrshme të bashkimit të pjesëve në një tërësi, me besimin e poetit që kurrë nuk e tradhtoi poezinë e fjalën e lirë, me entuziazmin e intelektualit që kurrë nuk dorëzohet ai porositë:


 


“Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës


ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës


ji shpërthim i flakëve të shpirtit


je lavdi e popullit të përgjakur”


(Antologjia e zemrës)


 


Rrustem Geci, duket se ka lindur me poezinë, për poezinë, me fjalët që “fluturojnë” lartë e ulët dhe janë prore në një sferë të preokupimeve të trurit. Ato fjalë që duhet prore të jenë të gatshme për t’i kapur  dhe për t’i  bërë zap mendimet në kohën e reflektimeve, fjalë që bëjnë roje për ta kapur motivin, që është bërë një me kuantet që janë kudo të pranishme, të lëvizshme, reflektuese. Janë fjalët fillim e mbarim, Kosovë, Shqipëri, Liri, pavarësisht se bota ecën me të veten, në trajektoret e saja, qoftë edhe në zjarrmi e theqafje, sepse koha për asnjë çast nuk ndalon…


 


Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi


Kosovës kudo ngulmon gjak i ri


arti i çlirimit nuk njeh kufij


në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..


(Antologjia e zemrës)


 


 


Jeta nuk do të kishte kuptim pa tokën, pa atë pjesë të tokës që quhet Atdhe, Mëmëdhe. As Atdheu nuk do t’i kishte hiret e veta pa lirinë, pa më të shtrenjtën e njeriut. Andaj toka dhe liria janë njëzuar në botën e poetit, ato janë si mishi e thoni, nuk bëjnë dot njëra pa tjetrën…


 


Imja është kjo tokë
foli liria, vetëtima e saj
unë jam e juaja, sa të më
mbroni, dhe të më mbani
(Çka tha liria?)


 


Poezia e Rrustem Gecit kryesisht është poezi lirike me nota të theksuara atdhetare, është poezi e angazhuar në kuptimin realist dhe motivues të fjalës, sepse ajo i drejtohet njeriut, brengave e shqetësimeve të tij, i drejtohet Atdheut, trojeve të lira, por edhe  atyre  ende të robëruara, i drejtohet Shqipërisë. Si e tillë krijimtaria e këtij poeti nuk mund të jetë ndryshe pos poezi e angazhuar me të gjitha tiparet pozitive, me tërë koloritin kombëtar, nganjëherë edhe me mesazhet  që nxjerrin kokë  larg në kohët e historisë, që nxjerrin zëra lirie nga Pirroja, Teuta, Skënderbeu e deri te Legjendari, Adem Jashari.  Në totalitetin e saj, kjo poezi e begatë së sasi e cilësi, i referohet sinkronisë dhe diakronisë shqiptare, së kaluarës e së tanishmes, kohës dhe hapësirës, sepse nuk ndahet dot e sotmja nga e djeshmja, nga e cila rrjedhë dhe në varganin e së cilës degëzohet e lidhet në tërësinë e saj.


Poeti, në tërë krijimtarinë e tij i ka kushtuar kujdes të duhur gjuhës, sepse poezia e tij buron  prej kësaj gjuhe “hyjnore” me të cilën   shprehet më së miri bota jonë, preokupimet e shqetësimet tona, gëzimet e hiret tona, vuajtjet e mjerimet, por edhe fitoret e ngadhënjimet.


Për dallim nga disa poetë që pretendojnë të jenë super të moderuar, futuristë e arrivistë, Rrustem Geci ndihet fare mirë duke qenë pjesë e traditës, e vargut të rimuar por edhe të lirë, pjesë e fjalës që thyen gurin, pjesë e trashëgimisë bashkëkohore poetike, pjesë e një tërësie të  kthjelltësisë së kështjellës poetike shqiptare.


Në rrugën e tij të gjatë, i preokupuar prore me poezinë, Fjalën e lirë,  Lirinë, Atdheun, me mallin e Roganës e të Dardanisë, të Kosovës,  Çamërisë, të tërë Shqipërisë, poeti ka krijuar stilin e tij të shprehjes poetike, mjaft origjinal si në formë ashtu edhe në brendi.


Karakteristikë e kësaj poezie është stilistika e pasur, fjalët e kursyera, fjalëformimi, poetik, gjuha e begatë, natyra e çiltër pa depresion e pesimizëm.


 


Ahmet Qeriqi


11 shkurt 2915



 


Rrustem Geci U lind në fshatin  Roganë të Dardanës më 6 janar të vitit 1950. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Gjilan e Dardanë. Më pas kreu Fakultetin Ekonomik. 15 vjet ka punuar  gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës. Pas mbylljes së këtij mediumi elektronik nga regjimi i Milosheviqit,  mërgon  në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton.


Rrustem Geci deri tani ka nxjerrë në dritë,  17 libra, 2 monografi, dhe 15 libra me poezi; 1.“Demonstratat e luleve“, 2.“Antologjia personale“ 3. „Jeta në letër“,4.”Mielli dhe uji“, 5. ”Afeida”“, 6. Arbdheu“, 7. “Dridhjet e barit“, 8. “Këngë qipshte“ 9.„Erdhëna“,10.„Një rrënjë ulliri jemi“, 11.“Shqipëri në çdo shtëpi”, 12.“Milenium”, 13. “Rogana”, 14. “Heroika”, 15. “Gacat e prushit”,16. “Pasha këtë tokë”, dhe 17.“Atdhetarët”, dhe së fundi, “Kanuni poetik”, një përmbledhje librash me 2 mijë faqe. Rrustem Geci viteve të fundit është prezentuar në 5 antologji të poezisë shqipe, dhe me një antologji të Gazetarisë shqipe. Dy antologji ku është prezentuar edhe Rrustem Geci, janë në poces të botimit. Rrustem Geci, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës prej vitit 1995. Këtë jetëshkrim të shkurtër,për poetin Rrustem Geci e mbyllim me një poezi të tij : Gjak u bënë vargjet / derisa erdhën tek ju / për të dhënë mesazhin / e një mesdite të bukur /. Këto dhe 23 mijëra vargje të tjera, janë bota poetike e Gecit, e përmbledhur në librin monumental ,“Kanuni poetik”. (Derada Gashi, Frankfurt)


 


Cikël poezish nga libri, “Kanuni poetik” !.


 


Antologjia e zemrës


 


 


Eja muzë e ngadhënjimit të artit


fletë e çdo dite, muaji dhe viti


kjo kohë më bën të vet-digjem


me bashkudhëtaren time, poezinë


 


Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës


ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës


ji shpërthim i flakëve të shpirtit


je lavdi e popullit të përgjakur


 


Në shpirtin vullkanor të poezisë


bërë i kam betejat e secilit varg


në jetën biologjike të këtij libri


je nënëmadhja e arbërimit tonë


 


Shqipëri, unë e ti jemi një gjak


që nga pellazgët e lashtë e Iliria


tokat tona qenë shesh i luftërave


dhe arenë gjaku e perandorive


 


Kosovë, kryengritëse e këngës


stërmbesë e dardanëve të Trojës


në trup ende ke plagë të gjakut


nga fqinjët që tokat na i grabitën


 


2


 


Liri, bëje dorën grusht, mos u jep


me emrin tënd u rritëm betejave


për ty dashurova mes plumbave


për ty i rashë grusht dallgëthyesve


 


Nuk ka paqe për lumin me vaj


nuk ka paqe për lumin e ndarë, me


pikën e gjakut i këndoj bashkimit


liri, këngës dua t´i shkojë në fund


 


Hënë është dhe pjesa që s´ndritë


diell është dhe nata që e jetojmë


me pellazgët jemi njëgjakësh


shqiptarët kudo janë një vëlla


 


Atdhe, hapi arkivat e dhimbjes


në pasqyrë i shoh armiqtë e mi


kjo botë qenka vërtet me përrallë


Shqipëri ka vetëm në gjuhën time


 


Digjet e piqet kjo botë n´zjarrmi


Kosovës kudo ngulmon gjak i ri


arti i çlirimit nuk njeh kufij


në të gjitha kohërat ka emrin, liri!..


 


 Dortmund, 2015




A D R E S A

Krejt në fillim ishte toka
ishte ajri, fryma dhe shiu
dielli, mëngjeset, mesdita
pemët e egra të fushave

Krejt në fillim ishte rëra
shkretira e territ të gjelbër
shija e bukës dhe kripës
zanafilla e plot fillimeve

Krejt në fillim ishte zjarri
mendja që s´ mbyll sy
e krejt më pastaj ia behën
lulet e kopështit,të lashtat

Krejt në fillim ishte ugari
mbjellja farërave në tokë
arbërimi i emërvendeve
dhe mbëltimi i të folmes

I burgosuri i idesë

Jam zë i fjalës së plagosur
jam zë i fjalës së ndaluar
dhe jetoj ku jeton Kosova
dhe jetoj ku jeton Shqipëria

Në flakët që vetëm rriten
goditem nga valë të ashpra
nga përsëritjet monotone
të akteve të konferencave

Jam zë i fjalës së murosur
jam vetja ime e paluajtshme
në këtë tokë të përjetshme
sa jam i lashtë, aq edhe i ri

Në luftën që kemi përpara
kam plot të pashpërthyera
jam arti që nuk mburrem
jam arsyeja që nuk jepem

GJUHA SHQIPE

Jam nënë e disa gjuhëve
mëmën e kam pellazge
ajo mua më trashëgoi
të jem e gjithmonshme

Ky mesazh i shekujve
10 mijë vjet pellazgji
dhe 3 mijë vjet Iliri
është gjuha jonë shqipe

Kosovë, Iliridë, Çamëri
trualli im g j u h ë s o r
me ju unë jam shqiptar
me ju unë jam Shqipëri

Gjuhë indoevropiane
bijë e gjuhës shqipe
sa gjuhë nga gjuha jonë
u bënë gjuhë më vete

A D H O A N I

Na ishte njëherë një zog
me qiell shumë të gjerë
Dardani e kishte emrin
Iliriane e kish mbiemrin

Në mbretërinë e tokës
atë zog të gjelbërimeve
të ngjashëm me kaçubat
mëllenjë atë e thërrisnim

Ai zog poetik i fushave
I motshëm 13 mijë vjet
rron Fushës së Kosovës
po s´ i një lirik i madh

Adhoani, një trim dardan
nga shkambijtë e Trojës
Trojën e pa si e varrosën
kufijtë Ilirisë t´ia tkurrin

ÇKA THA LIRIA?

Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
e v r o p a t më copëtuan
kur Evropa s´ish e drejtë

Kosovës shumë po flitet
se bisedat s ´ janë mirë
Kosovën e duam tamam
pa pranga e pa mynxyrë

Imja është kjo tokë
foli liria, vetëtima e saj
unë jam e juaja, sa të më
mbroni, dhe të më mbani

Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
më shumë se një shekull
jam nën degë të rrufesë!..

L U A R D I

Fjala e shkruar në letër
shprehë gjuhën, identitetin
të folmen shqip të popullit
artin në jetën e përditshme

Fjala e shkruar në letër
është krijimi më hyjnor
është qënia, është kultura
është gjaku ynë gjuhësor

Në shpirtin e një letërsie
ka frymë, ka personazhe
dhimbje të grumbulluara
udhëve të pavullnetshme

Fjala e shkruar në letër
dhe e pjesërishmja e jetës
janë shumëfishi i shpirtit
është përballja më sublime
që gjuhën e bëjnë të gjallë

R R Ë N J Ë Z A

Shoqe shoqe kallamoqe
misrin tim pse ma hoqe
misërin tënd pse se poqe
shoqe shoqe kallamoqe

Shoqe shoqe kallamoqe
posi bleta pas më ndoqe
posi rrodhe sot s´mu hoqe
shoqe shoqe kallamoqe

Shoqe shoqe kallamoqe
misërin ti pse s´e poqe
misërin tënd pse e dogje
shoqe shoqe kallamoqe

Shoqe shoqe kallamoqe
djemtë neve sot na duan
djemtë duan të na puthin
në misërishte këtu pranë

Lidhja e shkronjave

Jetojmë në të njëtën kohë
nën të njëjtin qiell me yje
ku e bukura dhe i bukuri
dihatin me të njëjtën frymë

Jetojmë në të njëjtën kohë
ku valë të ashpra të jetës
thyhen nëpër kundërthënie
dhe shpërndahen qyteteve

Jetojmë në të njëjtën kohë
me të njëjtën etje të shpirtit
ku koha është krejt pakëz
për të krijuar më shumë

Jetojmë në të njëjtën kohë
Me të njëjtin gjak të kohës
Ku bashkimi i shkronjave
Ngre zërin e përbashkimit

QERPIKËT E HËNËS

Poezia, lokja e gjitha këngëve
nënëemadhja e gjitha arteve
me gjak muzash është lindur
me gjak muzash është rritur

Kjo dritë e të gjithë zemrave
me mijëra vjet e qytetëruar
herë-herë e lënë mes udhëve
po ato rreze jete i shpërndanë

Në proceset e gjata të krijimit
poezia e ruajti frymën e saj
mardhënjen poetike me kohën
fal frymës poetike të shpirtit

Në prehërin e art të letërsisë
rritet më e bukura e arteve
më e portokallta e ndjesive
dhe më e shenjta e dhimbjeve

Kujtesa e diellit

Ky breg shkëmbor i detit
I ruan të gjitha kohët e tij
shijen e ajrit dhe erërave
lagështinë e mëngjeseve

Ky breg shkëmbor i detit
I veshur me rreze e hije
është shpresë e vetë detit
heshtja poetike e tokës

Ky breg shkëmbor i detit
është dritësim i lumejve
dhe shkon përtej anijeve
që ky det të ketë një jetë

Ky breg shkëmbor i detit
I ruan të gjitha kujtimet
të anijeve të skllevërve
dhe tregëtarëve të luftave

KËSHILLTARËT

Me ajrin e bardhë të fushave
me ajrin e bardhë të maleve
me ajrin e të gjitha dritareve
shqiptarët do të bashkohen
për aq sa ndarja na ka ndarë
Shqiptar të të gjitha trojeve
merrni frymë zjarrit që ndizet
historia shkruhet me të bëra
që nga e hëna në të djelen, që
nga mëngjesi, deri natën vonë
Shqipëri, e gjithë shqiptarëve
afrohu më pranë tokave tua
tokave që fqinjët ty t´i morën
bëhu bashkë me Kosovën
bëhu bashkë me Iliridën
bëhu bashkë me Çamërinë
për aq sa ndarja na ka ndarë

E DIELA E FJALËS

Vetmi,pse duhet të jetoj me ty
më mërzinë dhe shoqet tua
me rrapëllimat e erës tënde
me përsëritjet tua monotone

Ji më e kujdesshme me mua
mbretëria jote s´më pëlqen
hije, ti s´më bën dot të lumtur
unë çdo çast jam i burgosur

Në jetën time të përditëshme
unë nuk jam krejt i vetëm
ti je shqetësimi im i bukur
pse unë sot jam kaq i dehur

Poezi, ma hiq qafe vetminë
dhe aventurën e nënhijeve
muzë, pse më rri aq e heshtur
e më deh, me aq pak aromë!..

Shqipeve të lirisë
– Xhevës e Fehmi Lladrovcit

Kosova i deshi për vete
të vuajtur ishin të dy
ata deshën të vdesin në
këmbë, të vdesin për liri

Lirinë e kishin në zemër
një pushkë kishin të dy
ata jetuan për të vdekur
ata vdiqën për të jetuar

Në pamje ishin të fisëm
në luftë qenë të bukur
ata e deshën Kosovën
më shumë se veten e tyre

Xheva e Femi Lladrovci
që kur ishin fëmijë
fletoret i kishin me zogj
dhe duart me shqiponja

T R E P Ç A

Në Trepçë është palca e Kosovës
qenia që të adhmen ma cakton
le të çmenden gjitha perënditë
Trepça Iliriane mua s´më mohon!..

Në të dielat e arit dhe të argjendit
në të hënat e shiut dhe metaleve
u vetëlind plumbi , zinku, argjendi
dhe kristalet me flori të Trepçës

Hapini ballinat e faqeve të tokës
të shihni feldspathet,…manganin
në të reshurat…mes vullkaneve
u vetëlindën Trepça dhe Opali

Qahen thëngjillet, floriret e tokës
qahet humusi.. dhe argjilet blu
me gjunj të natës m´i bien tokës
qahen pemët për degët kërcu

Fol gjuhë e lashtë e kësaj toke
Trepça e Kosovës prindin e di
Në Trepçë Kosova ka një emër
Mëmë e baba ia quajnë, Shqipëri

Komandant Lleshi
Fjala e fundit e Ridvan Qazimit

Zotërinj të historisë
Zotërinj të Luginës
unë fjalën e mbajta
gjaku ynë të mos thaj

Mes heshtjes e pritjes
fjalën e armatosëm
që Pushka e Preshevës
të dëgjohet Evropës

Zotërinj të l u f t ë s
Zotërinj të historisë
O do të jemi të lirë
O lufta jonë s´ndalon

Miq, vëllezër, popull
të gjallë dhe të rënë
unë fjalën e mbajta
Lugina të jetë e lirë!..

B A B U S H I
poemë për Gjergj Kastriotin- Skënderbeun

Në bashkësinë e kombeve
dhe në historinë e luftave
nuk ka hero të ngjashëm
që mund ta ngrejë aq lart
emrin e dhéut dhe atdhéut
dhe emrin e popullit të tij
sa trimi, Gjergj Kastrioti
Në kohën e Babushit tonë
Shqipëria ishte një tërësi;
e zgjuar në çastet e kohës
E zgjuar për luftë dhe beteja
Nën qeverisjen e Gjergjit
edhe guri kishte kurajon
që atdheun e shqiponjave
askush të mos e lakmojë
Në atë epokë të ndritur
Gjergj Kastrioti, Babushi
i bashkoi gjithë shqiptarët
në luftë kundër armikut

2
Në takimet e tij në Durrës
në Gjirokastër , e Shkodër
në Shkup, Thanë, e Kosovë
Gjergji e thërriste popullin
që populli ynë t´i përgjigjej
proceseve të qytetërimit
Në Thanë, ai i foli popullit
“S´di çfarë ju bën të dashur
s´di çfarë ju bën të lumtur
por, nën tehun e shpatave
me shpatë duhet të luftojmë!”
Pra, para se t´ia behë lufta
përpara se të vijnë Osmanët
këtu ishte Gjergj Kastrioti
g j a k u ynë i l i r i s ë
Në ç a s t e t më të duhura
në çastin më të vështirë
Gjergji i dha shkëlqim tokës
dhe i çau të gjitha rrethimet
Shqipëria të mos shkilet

3
Në njëzet e katër luftëra
në njëzet e katër beteja
në njëzet e katër fitore
Gjergji ishte lavdia jonë
ai që i dha përgjigje kohës
të rrojë për jetë Shqipëria
Princa të mirë të Arbrit
i fliste Këshillit të luftës
mos u ligështoni, mbahuni
jini në detyrë të atdheut
kjo pasuri e vetëdijes suaj
për të mbrojtur Shqipërinë
veten dhe gjënë e gjallë
na bënë nder të gjithëve
që liria të jetë Shqipëri
që liria të jetë shqiptar
dhe që liria të jetë flamur
Princa të zgjuar të Arbrit
lufta është ekuacion , me
të papritura e të panjohura
kjo luftë kundër pushtimit
është luftë për Shqipërinë

4
Princa të nderuar të Arbërit
princa të paqes dhe të luftës
gjaku i lirisë sonë nuk tretet
edhe sikur të na vrasin , edhe
sikur të na mundin e therin
farë e huaj këtej s´do të mbijë
Shqipëria është gjak i moçëm
g j a k i shkruar nëpër libra
gjak i shkruar nëpër këngë
gjak i shkruar nëpër beteja
gjak i shkruar nëpër rrënjë
Në këtë vend shumë të pasur
me klimë të butë dhe me det
të gjitha parajsat janë këtu
për të lindur e të palindur
këtë pasuri të dhënë nga zoti
duhet ta ruajmë e ta mbrojmë
që shtetin ta bëjmë të fortë
të qëndrueshëm dhe modern
Shqipërisë sot i duhen fitoret
mbase vetëm me fitore,mund

5
të ndërtojmë atdheun tonë
Këtë tokë me det e me diell
që ne e quajmë Shqipëri
vetë duhet t´i dalim zot, për
këtë kam urdhër nga zemra
kam urdhër dhe nga ai lart
që humbjet të mos i ndjejmë
Shqiptarë të të gjithë vendit
mbajeni njëri tjetrin, duajeni
I munduri vet do të paguajë
gjobën e rëndë të pushtimit
Në këtë orë të proceseve
në këtë orë të historisë sonë
Shqipëria është gjaku ynë
adresa e jonë në këtë botë !..

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …