Ryzhdi Baloku

Ryzhdi Baloku: NJË HISTORI RRETH VARREZËS SË USHTARËVE TË MONARKISË AUSTRO- HUNGAREZE NË PEJË

Serbët ia kanë ditur hallin vetës çdoherë, kur kanë pasur punë me ndonjë shtet të fortë.  Shteteve, si Austria e Hungaria, as Jugosllavia e as Serbia si okupuese të Kosovës që ishin dikur, s’kanë pasur guxim t’ia zhdukin varrezën e ushtarëve të tyre në Pejë, varre të para një shekulli, edhe pse ka pasur ca tentime të fshehta, por pa sukses, nga “duart e zgjatura” të pushtetarëve lokal, serb e malazez, për t’i asgjësuar kryqet e varreve, pak nga pak, e në mënyrë tinëzare, si hajnat, natën, e jo siç kanë vepruar pa frikë e pa fije turpi mbi varret shqiptare, të cilat janë fshirë nga faqja e dheut, me një “lëvizje”, brenda ditës.

Ai pushtet, ngjashëm ka vepruar edhe me qytetin antik që graviton në hyrje të Pejës, i njohur në histori me emrat: “Siperana, Seperana, Separana, Separanta dhe Separantum”, me përhumbje gjurmësh, ngase objektet arkeologjike të gjetura aty, kishin të bënin me paraardhësit e shqiptarëve.

Lidhur me këtë temë, vlen për të cekur se në vitet e 60-ta, si nxënës i vijoja mësimet në Gjimnazin e Pejës, andaj, pothuajse çdo ditë më duhej të kaloja rrugës që shtrihej bri kësaj varreze të ushtarëve të Monarkisë Austro-Hungareze, të rënë në Luftën e Parë Botërore, gjatë viteve 1914-1918. E mbaj në mend mirë tablonë e saj plot kryqe betoni, të cilat qëndronin mbi varre që shtriheshin deri në stom të rrugës. Sot, shumë nga ato kryqe mungojnë, si tentativë e pushtetit lokal serbo-malazez të asaj kohe, që kishte për qëllim t’ia humbnin gjurmët e ekzistencës së varreve të cekura.

Sipas mendimit tim, në ruajtjen e kësaj varreze të ushtarëve Austro-Hungarez, rol të rëndësishëm kanë luajtur famullitarët dhe personelit i kishës katolike “Shën Katarina” të Pejës, e cila graviton shumë afër kësaj varreze. Kam bindjen se ata iu kanë kundërvu drejt për së drejti tentativave për tjetërsimin e kësaj sipërfaqeje tokësore. Mendoj se, angazhimi i tyre lidhur me ruajtjen e kësaj varreze është rezultat i mirënjohjes dhe njëkohësisht një mënyrë edhe e larjes së një pjese të borxhit që e kanë shqiptarët ndaj Monarkisë së përmendur.

Duke e ditur mirë se Austria dhe Hungaria si dy shtete të fuqishme do t’i dilnin zot priftit dhe personelit të kishës katolike shqiptare në Pejë, pushtetarët lokal të asaj kohe “e kanë ulur bishtin”. Pra, sipas mendimit tim, e gjithë kjo është edhe arsyeja përse ka arritur të mbijetoj kjo varrezë, brenda qytetit të Pejës.

Sa i përket varrezave të shqiptarëve, pushteti okupues i asaj kohe e ka ditur mirë se s’ka kush të reagoj për to, andaj edhe i ka zhdukur pa i lëvizur qerpiku.

Sot, banorët e lagjes, në të cilën graviton varreza e ushtarëve të cekur, tregojnë se, këtë varrezë e viziton herë pas here ambasadori i Hungarisë dhe personeli i asaj ambasade.

Në anën tjetër, lidhur me këtë çështje, të moçmit flasin se si në Pejë janë zhdukur shumë varreza shqiptare, e që ndër to përmenden ato në krye të lagjes Kapeshnicë, për çfarë banorët e saj ende e përdorin toponimin “Breg Vorre” si përcaktim orientues, pastaj “Vorret e Gjata”, ku deri në vitet e 60-ta të shekullit XX ishte fusha e futbollit, e cila më vonë u shndërrua në park, e që afër saj, mandej asokohe u ndërtua “Shtëpia e Kulturës”, në një pjesë të kësaj varreze.

Dikur në këtë qytet ka pasur varrezë shqiptare edhe në “Karagaç”, mu aty ku gjendet “Parku i Madh”, në të cilin vend funksionon objekti hotelier “Kampi” dhe në të cilat sipërfaqe janë ndërtuar sallat dhe fushat sportive, në të dy anët e saj.

Lidhur me varrezat që s’ekzistojnë më, mora vesh se brenda rrethojave të “ish-Dispanzerit” paska qenë një varrezë e shqiptarëve, ku pos tjerëve është varrosur edhe Gjon Augustin Gashi, i njohur si Gjoni i Vogël, si dhe tjetra varrezë më e hershme se kjo, së bashku me një kishë shqiptare paska qenë në lagjen “Asllan Çeshme” të Pejës.

Sa i përket varrezës së përmendur, aty ku prehen eshtrat e 208 ushtarëve të Monarkisë Austro-Hungareze dhe ushtarëve të shteteve tjera të rënë në Luftën e Parë Botërore, gjatë viteve 1914-1918, duhet të ruhet me fanatizëm nga shqiptarët, sepse mu ai shtet i asaj kohe ia vuri themelet e shtetit shqiptar, pas rënies së Perandorisë Otomane, përkundër ca shteteve me ndikim që asokohe ishin kundër, e që po ashtu në këtë pjesë të trojeve shqiptare, për herë të parë pas okupimit serb e malazez, ata në Kosovë i hapën edhe shkollat në gjuhën shqipe, për çfarë duhet t’ju jemi shumë mirënjohës.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …