Ahmet Qeriqi

Sa çudi me kokëfortësinë e disa politikanëve shqiptarë me adhurimin deri në nënshtrim për të huajt, aktualisht për Ukrainën

Pavarësisht se Ukraina është në luftë me Rusinë, pavarësisht se ajo nuk e ka pranuar as e pranon pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se Zelenski, në Athinë,   nuk foli asnjë fjalë  me Albin Kurtin, por bisedoi  përzemërsisht me Vuçiqin, “kushëririn” e brezit të dytë për nga prejardhja racore, kombëtare e fetare,  pavarësisht se humbja as fitorja e Ukrainës nuk i sjellin asnjë dobi Kosovës, nuk ndalet dot simpatia përtej kuptimit të fjalës,  që shprehin disa  politikanë dhe disa drejtues mediesh për këtë shtet të ish Bashkimit Sovjetik.

Po të bazohesh në shkrimet e deklarimet e  tyre plot gënjeshtra të disa medieve te ne, del se Ukraina qysh moti e ka mundur Rusinë dhe ka vrarë gati një milionë ushtarë rusë, edhe pse dihet realiteti.

Ky glorifikim donkishotesk vështirë se gjendet te popull tjetër i botës. Nuk di edhe në Ukrainë a ka aq shumë entuziazëm për “fitoren” e sigurt, madje edhe për mposhtjen e Rusisë, shtet të cilin në historinë e vet  nuk e ka mposhtur asnjë fuqi botërore  deri sot. Jo për simpati ndaj regjimit,  por dihet botërisht se Rusia e ka mposhtur Napoelon Bonapartin, gjeneralin më të famshëm të kohës. Rusia e ka mposhtur edhe Perandorinë Osmane në Sevastopol dhe në Krime, më vonë në Plevne. Rusia e ka mposhtur edhe Rajhun e Tretë me Adolf Hitlerin në krye,  dhe ishte  fituesja e pakontestueshme e Luftës së Dytë Botërore, e cila  më pas e ka ndarë botën  në sfera interesi pa e pyetur aleatët e vonë, Amerikën e Anglinë.

Sot të gjithë krerët e institucioneve dhe të politikës në Kosovës, me ndonjë përjashtim e kanë  uruar Ukrainën për ditën e pavarësisë, po nuk dihet cili ka qenë dhe e ka pasur fare  telegram të Ukrainës për urimin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti.

Cilët kanë qenë zyrtarët e lartë, të këtij shteti aq të adhuruar nga politikanët shqiptarë,  që e kanë uruar pavarësinë e Kosovës, të paktën këto nuk i kemi parë në medie.

Nga kjo del se Ukraina do të mund  të na uronte, por ka pengesë kushtetutën e saj, sepse nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kështu arsyetojnë servilët dhe vasalët tanë.  Kjo na kujton atë deklaratën e Albin Kurtit se do të bashkonte trojet shqiptare, sidomos Kosovën me Shqipërinë,  por  pasi e mori qeverisjen me kauzën e gënjeshtrave, hiq pa të keq dhe krejt panatyrshëm  tha se  nuk e kishte harruar premtimin,  por këtë nuk e lejon kushtetuta e Kosovës, ndërsa atë kushtetutë, ai dhe Qeveria e tij e shkel sa herë që mendojnë të përfitojnë.

E kemi borxh ndaj opinionit që si gazetarë profesionistë e korrektë,  ta shpalosim të vërtetën, pavarësisht se i shërben Rusisë, apo Ukrainës. Duhet të shpalosen faktet se Shtetin e Ukrainës për herë të parë e krijuar dhe e ka themeluar Bashkimi Sovjetik. Po ashtu dihet botërisht se Rusia ka aneksuar krahinën e Donbasit dhe territore të tjera ku shumica e popullatës është rusisht-folëse. Mirëfilli dihet realiteti historik e faktik se ukraniasit janë popull  i racës sllavë, vëllezër me rusët, serbët, bjellorusët, bullgarët,  e shumë të tjerë. Ata kanë zakonet dhe fenë e përbashkët edhe degën gjuhësore të përbashkët.

Mendjet e trullosura e një dimensionale nuk e pranojnë këtë realitet, por i turren  me fjalë Rusisë agresore, madje më shumë se Ukrainasit, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, kishin ikur nga regjimi vrastar i Millosheviqit, për të shpëtuar.

Ukraina nuk ka kurrfarë dobie nga Kosova. Ajo,  për fatkeqësinë e popullit të vet pretendon se   ka dobi nga shtetet e perëndimit, që po i dërgojë armë dhe të holla, për të marrë pjesë  në një luftë që kurrë nuk mund e fitojnë, të paktën jo me këtë raport forcash. Ukraina është mish për top dhe këtë nuk është se nuk e dinë ukrainasit. Tash për tash Perëndimi përmes Ukrainës është në luftë me Rusinë.  Këtë e di tërë bota.

Ka madje analistë “aq të mençur” të disa medieve tona, që kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin, e krahasojnë me Stalinin, duke menduar të ngjallin urrejtje dhe ta barazojnë me një, sikur i thonë, diktator . Po ku ka  rus e bir rusi që e urren apo e ka urryer Stalinin, apo Putinin?.

Stalini, për shumicën ruse për historinë ruse, që mësohet në  tekstet e shkollave,  është heroi kryesor i Rusisë, bashkë me Leninin e të tjerë. Disa nga shqiptarët dikur lindorë e tani perëndimorë e urrejnë Stalinin, që dikur e kishin adhuruar dhe i cili e kishte shpëtuar Shqipërinë nga gllabërimi i Jugosllavisë.

Territori i Ukrainës ka qenë çështje pazaresh politike në kohën e Bashkimit sovjetik, çështje e marrëveshjeve të brendshme dhe kurrsesi çështje aneksimesh, sepse të dyja vendet ishin pjesë e një Federate të madhe dhe të fuqishme botërore.

Rusia, meqë e ka forcën ushtarake, ekonomike por edhe tendencën e hapur për t i bashkuar, në mos sllavët, atëherë rusët, bën punën e vet dhe nuk lejon që viset rusisht-folëse t i bashkohen NATO-s as BE-së, si pjesë e Ukrainës. Ka apo nuk ka të drejtë, është çështje krejt relative. Dihet se po të kishte pasur  qëndrim pro rus  Ukraina kurrë nuk do të sulmohej nga Rusia.

Përkrahja e Kosovës dhe e Shqipërisë për Ukrainën është parimore, është veprim politik diplomatik, por kjo nuk e mbulon dot realitetin, historik, strategjik të shteteve sllave dhe mosmarrëveshjet, apo nesër marrëveshjet ndërmjet tyre.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 8. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Erion Veliaj: Ali Ahmeti një personalitet politik që nderon edhe Tiranën

Një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë i ka kthyer …