Sabit JAHA: PLOJA E GRYKËS SË KAÇANIKUT E VITIT 1910 I

Sabit JAHA: PLOJA E GRYKËS SË KAÇANIKUT E VITIT 1910 I

Masat e ndërmarra të xhonturqve për osmanizimin a turqizimin edhe të mëtejmë të viseve të pushtuara nga kjo Perandori, në një formë a metodë më “moderne” nuk u pritën as me “lepe e peqe” dhe as me “lule e pekule”nga popullata shqiptare e Kosovës, revoltë kjo që u manifestua me kryengritje të armatosura gjatë muajit prill 1910, pothuajse në gjithë Kosovën, gjë që kjo bëmë famëmadhe bëri jehonë të shumëfishtë jo vetëm në Kosovë e gjithandej trojeve shqiptare, por edhe më gjerë. Kështu rapsodi popullor këndoi:

“N`Kaçanik dej n` Boletin,

Tanë Kosova a` mlue n`tym,

A mlue n`tym, i ka dalë flaka,

E dogj me topa Dërgut Pasha.

Ç`a kanë retë ç`i vetojnë?

Dy dragoj po luftojnë.

N`Kaçanik e n`Cërnalevë

Isa Begi e Idriz Seferi

Dërgut Pasha me niqin mij`

Isa Begi me shqiptari.

– Kadal, pashë, se s`je n`xhami

Tash po sheh burrë me sy.

Ç`i djeg vetin, t`përvëlon ty!

………..

Kaçanikut i raftë pika

Nuk po e di se çka asht friga

Shtatë sahat tue u therë me thika

U therën me thika shtatë sahat,

Derisa ra kali me not në gjak.”

 

Sipas të dhënave kryekomandanti turk Shefqet Turgut Pasha, kah gjysma e muajit prill 1910, ishte përgatitur të nisej nga Shkupi, drejt Grykës së Kaçanikut, për ta shuar kryengritjen shqiptare. Por i dërguari i sulltanit kishte bërë “hesapin pa hanxhinë”, meqë në Grykë të Kaçanikut, më 23 e 24 prill 1910 i kishte zënë pritën Kreshniku i Karadakut, Idriz Seferi, me bashkëluftëtarët e tij nga Karadaku, Lugina e Preshevës, Anamorava, Kaçaniku dhe nga fshatrat e komunës së Kaçanikut: Kërbliqi, Drenogllava, Begraca, Stagova, Nikoci, Gjurgjedelli etj.

Gryka e Kaçanikut, për nga konfiguracioni, nga bashkëkohësit u quajt “Termopile shqiptare”, ku prijësi i Lëvizjes Kombëtare dhe i luftës për pavarësi, Idriz Seferi, udhëheqës popullor bashkëvepronte me krerët si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Islam Spahiu, Hasan Hysen Budakova, Ramë Avdyli e sa e sa prijës të tjerë.

Kryengritësit shqiptarë në Grykën e Kaçanikut, prill 1910, Foto Fred Boissonnas

Marrja e Grykës së Kaçanikut nga Idriz Seferi, te Guri i Shpumë, me bashkëluftëtarët e tij të paepur, shkaktoi pezm tek gjenerali turk, i cili kërkoi ndihmë nga Stambolli me qëllim për ta shuar, me çdo kusht dhe me çdo çmim kryengritjen e shqiptarëve, të cilët kishin zënë pozita të duhura në Grykë të Kaçanikut, ku u zhvillua kjo betejë e përgjakshme, që mori namin në popull si Ploja e Grykës së Kaçanikut. Në saje të strategjisë së tij Idriz Seferi u quajt Kreshniku i Karadakut, duke zgjuar kureshtjen edhe sa e sa historianëve, publicistëve, shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve këngëtarëve, që bëmat e tij prej luftëtari shembullor të përjetësohen e të kujtohen brez pas brezi me krijimet e bëmat e tyre në fushëveprimtari të shumta shënuan, kush më pak e kush më shumë, për këtë Betejë – të njohur si Ploja e Grykës së Kaçanikut.

Në këtë përvjetor, të 111-të të Betejës së Kaçanikut e shohim të arsyeshme t`i themi disa fjalë për Njeriun – Idriz Seferi: strateg, udhëheqës dhe patriot i shquar, i cili krahas udhëheqësve tjerë shqiptarë, së bashku ishin për një gjuhë – komb – shtet të përbashkët shqiptar, duke qenë të gatshëm të japin edhe jetën e tyre, që brezat që do të vinin pas tyre të jenë të lirë, kudo në trojet e veta denbabaden shqiptare.

Pra, në këtë vështrim përmbledhës për Plojën e Grykës së Kaçanikut, me rastin e 111-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike, mbase është e udhës që t`i themi shkurtimisht disa nga të dhënat më karakteristike, për personalitetin e Idriz Seferit.

Pra, Idriz Seferi apo Kreshniku i Karadakut, u lind në fshatin Sefer të Karadakut, më 1847. Qyshkur ishte i ri u shqua për guxim, duke qenë luftëtar i pakompromis ndaj padrejtësive e posaçërisht ndaj pushtuesve turq, serbë e bullgarë. Kështu, duke qenë i gatshëm që t`iu kundërvihet në vazhdimësi pushtuesve të pareshtur, ai ishte pjesëmarrës i rregullt i tubimeve e kuvendeve të burrave atdhetarë, që bënin marrëveshje për organizim të kryengritjeve. Prandaj, duke qenë përherë aktiv ai qe burgosur, së pari nga autoritetet osmane, më 1875. Megjithatë, ai mori pjesë, pa u ndalur dhe pa frikë se do të mund të burgosej pareshtur edhe më vonë. Kështu, i mishëruar me dashurinë për atdheun e tij, ai iu përkushtua me zell të pashoq çështjes së kauzës kombëtare. Falë angazhimit të vazhdueshëm atij i takoi atributi i tribunit popullor – Udhëheqës i Kryengritjes së Kosovës, ku më 1910 u shqua për strategji luftarake në Grykën e Kaçanikut, përballë forcave të armatosura të kryekomandantit turk Shefqet Turgut Pasha.

Kreshniku i Karadakut, jo vetëm më 1910, por edhe më vonë do të jetë në fushëbetejat e pareshtura si në Karadak, Moravë, Shkup, Preshevë, Gjilan, Kumanovë, Ferizaj e gjetiu.

Idrizi qysh i ri ishte përballur me çetat çetnike serbe, ku në Hogosht të Kamenicës ishte plagosur, por që nuk ishte zmbrapsur, duke luftuar edhe kundër trupave ushtarake osmane, duke u plagosur sërish dhe kapur e dënuar me 101 vjet burg, nga i cili u lirua pas luftës ruso-turke.

Kurdoherë, në rastet më delikate të kohës, përherë ishte në shërbim të atdheut, duke qenë i gatshëm së pari të sakrifikojë veten. Prandaj, në saje të gatishmërisë së tij të pareshtur, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), duke mbajtur lidhje me Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Ali Ibër Nezën etj. Vlen të theksohet se Idriz Seferi mori pjesë edhe në Kryengritjen e Drenicës, në atë të Shalës së Bajgorës (1893), në Kuvendin e Pejës (1899), përkrah Haxhi Zekës dhe Bajram Currit. Në korrik të vitit 1907, në Pasjak të Gjilanit u përballë me çetat e çetnikëve serbë. Po ashtu, vlen të theksohet se Idriz Seferi luajti rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt (1908) si dhe në organizimin e disa tubimeve kundër pushtuesve xhonturq, ku ishte burgosur e liruar pastaj. Por meritë e jashtëzakonshme e tij ishte bashkëveprimi me Isa Boletinin, më 1910, duke qenë të dy udhëheqës të Betejave të përgjakshme, njëri në Grykë të Kaçanikut e tjetri në Grykë të Caralevës. Pastaj, veprimtaria e tij prej atdhetari të shquar u dëshmua edhe në udhëheqjen e kryengritësve të trojeve verilindore të Kosovës, në betejat e Drenogllavës, Pozharanit, Smirës, Nikocit, Kurbalisë etj. Kështu, vit pas viti, por me vullnet e përkushtim të lartë vazhdoi edhe më tej përkrah Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit etj. Po ashtu, vlen të vihet në pah se ai ishte edhe pjesëmarrës në Kuvendin e Junikut (1912), ku mori pjesë në çlirimin e disa qyteteve të Kosovës si dhe të Shkupit etj.

Duke qenë njeri atdhetar i dëshmuar dhe strateg i pakrahasueshëm i sa e sa luftërave ndaj pushtuesve të njëpasnjëshëm, Idriz Seferi organizoi dhe udhëhoqi kryengritjen e armatosur të shqiptarëve kundër deportimit të ushtrisë serbe, në tetor të vitit 1912, në vijën e kufirit Merdar – Kumanovë. Kështu, në nëntor të vitit 1912 u kap nga ushtria serbe, diku në rrethinën e Shkupit dhe u mbajt në burgun e Beogradit, deri në vitin 1913. Po në këtë vit (1913) kundërshtoi me ngulm të madh vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, mbajtur në Londër (1913), që faktikisht u copëzua Shqipëria, duke lënë disa vise shqiptare jashtë Shqipërisë Etnike, me sa e sa kufij shqiptaro-shqiptarë!

Gjithashtu, vlen të theksohet se Idriz Seferi edhe gjatë Luftës të Parë Botërore, gjatë periudhës 1913-1915, ishte luftëtar i pakompromis ndaj pushtetit serb, sikurse që ishte edhe gjatë viteve 1916-1918 ndaj pushtetit bullgar që sundonte aso kohe në këtë pjesë të Anamoravës, Karadakut dhe Kosovës Lindore.

Pra, Idriz Seferi asnjëherë, kurrën e kurrës, nuk iu gjunjëzua asnjërit pushtet, duke i qëndruar përherë përballë dhe pa kurrfarë marrëveshje ai qëndroi stoik dhe shembullor me të gjitha virtytet prej një atdhetari sypatrembur.

Ai vetëm ndërroi jetë, më 1927, në moshën 80-vjeçare, në Zhegër të Gjilanit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në analet e historisë sonë kombëtare, për t`u përkujtuar e rikujtuar përherë nga brezi në brez, gjeneratë pas gjenerate, duke qenë shembull se si dhe sa duhet At(Mëmë)Dheu, të cilit asgjë nuk i mori, pos dy metra tokë (dhé) por ia dhuroi jo vetëm djersën, mundin, gjakun, por mbi të gjitha dashurinë prej atdhetari të përbetuar në tokë, qiell, ujë e ajër, për të gjitha viset shqiptare që deshi t`i shihte përherë të bashkuara, të gjitha – Një, ku shqip bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë.

Bëmat e shumta dhe të mëdha, për çështjen e kauzës sonë kombëtare, të Idriz Seferit, gjatë 80 vjetëve jetë, janë të brumosura me domethënie të vlefshme dhe gjithmonë udhërrëfyese për të gjithë ne, sidomos udhëheqësit se si e sa ta duan Atdheun e tyre të Shenjtë.

Prandaj, sot me emrin e Tij janë të emërtuara sa e sa institucione e asociacione, rrugë e sheshe, ku shihen shtatore, buste, obeliskë, piktura, portrete, vepra letrare (monografi, romane), kaseta, CD dhe filma dokumentarë për Idriz Seferin – Kreshnikun e Karadakut – Tribun Shembullor i Shqiptarisë.

 

PLOJA E GRYKËS

(Prill 1910)

 

Bubullimë, oshtimë e rrëmujë…

Plot e përplot trazira si tërmeti

Ushtria si lavë kishte marshuar

Dallgë – dallgë vinte si deti.

 

Krisma pushkësh s`pranin fare

Shqipeve t`malit u dhimbsej Toka

Tym e flakë qe mbushur Gryka

Shkrumb nga ploja e hi në boka.

 

Kushtrimit iu përgjigjen malësorët

“Kokë për Tokë!” – thanë këta shqiptarë

Tok qenë bërë zogjtë e shqipes

Idriz Seferin e kishin të Parë.

 

Në ballë të Burrave qe Idriz Seferi

Kryengritësve zëshëm u thërret:

– Zini pritat, rrnofshi Burra!

Secili plumb nga nji… ta vret`!”

 

Vargmaleve jehoi Kushtrimi

Logu i Burrave te Guri i Shpuar

Për Plojën e Grykës s`Kaçanikut

Kënduan rapsodët, poetët kanë shkruar.

 

Krismat e pushkëve shtoheshin

Gjithnjë e më shumë derdhej gjaku

Shqipet e malit mbi xhonturqit

Luftonte Kreshniku nga Karadaku.

 

– “Heeej! Heeeeej!” – oshtinte Gryka

Kryengritësit suleshin si luaj

Mbi pushtuesit – breshër i plumbët

Vdisnin njerëz e shkallmoheshin kuaj.

 

Uji i Lepencit qe turbulluar

Si uji i Nerodimes – i kuq

Shqiptarët e njihnin vetveten

S`pranonin të bëheshin turq.

 

Sa shkrihej një togë ushtarësh

Togat e tjera i kapte lemeria

Urdhër pas urdhri jepte pashai

Ardhur nga larg, nga … Turqia:

 

“Vrani! Preni! Therni!

Të mitur, të rritur a pleq…

“Kaç!” nga ky farë “mileti”

Ç`sherr na zuri, o … dreq!?”

 

Stagova, Begraca, Bobi, Runjeva,

Kërbliqi, Nikoci,… dhe Drenogllava

Mizorisht u dogjën n`atë plojë

Ashtu siç qe djegur edhe Anamorava.

 

Grykës së Gurit mësynte ushtria

Nëpër kreshta shkëmbinjsh dërrmohet

Në Stamboll vajti edhe ky lajm:

“Grykës së Kaçanikut s`kalohet!”

 

Grykës së Gurit sogjonin skifterët

Bashkë me ta edhe Idriz Seferi

Turgut Pashën e kishte kapur marazi

Deshi të pëlciste nga vreri…

 

Në jug të Kosovës qe mbyll PORTA

Tek Grykë e Gurit të Kaçanikut

Ç`PORTË e kyçur pa farë dryni?!

Ndaj pushtuesit turk – armikut.

 

Legjenda e PLOJËS SË GRYKËS…

KUVEND BURRASH… në KARADAK:

“NË KAÇANIK DO TA ZËMË PRITËN,

PËR TOKËN TONË S`KURSEJMË AS GJAK!”

 

 

PLOJA E GRYKËS mori Dhenë

Anekënd … SHQIPTARISË

Zogjtë e Shqipes mbrojtën Folenë

Përballë Përbindëshit të Azisë.

 

Stagovë, 1980    Sabit JAHA

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …