Sadik Halitjaha ka reaguar ashpër ndaj mungesës së reagimit nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me, siç e quan ai, cenimin e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut. Përmes një reagimi publik, Halitjaha e cilësoi heshtjen e institucioneve në Prishtinë dhe Tiranë si “mospërmbushje të detyrimit kushtetues dhe kombëtar”, duke theksuar se çështja e gjuhës shqipe prek drejtpërdrejt identitetin dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai kritikoi ashpër edhe qeverinë maqedonase dhe partinë VMRO, të cilën e përshkroi si strukturë me qasje shoviniste dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve. Sipas Halitjahës, reagimi i Kosovës dhe Shqipërisë do të duhej të ishte i menjëhershëm, jo vetëm për shqiptarët, por për çdo komunitet në Evropë të cilit i mohohen të drejtat gjuhësore dhe kulturore. Në reagimin e tij, ai rikujtoi se në Kosova gjuha serbe gëzon status zyrtar dhe mbrohet me ligj, ndonëse komuniteti serb përbën një përqindje më të vogël të popullsisë, ndërsa shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, vazhdojnë të përballen me pengesa dhe mohime. Halitjaha bëri thirrje për reagim të përbashkët kombëtar, duke theksuar se heshtja ndaj kësaj çështjeje përbën neglizhencë ndaj interesit kombëtar të shqiptarëve në rajon. Në fund të reagimit të tij, ai paralajmëroi se përgjegjësia politike për heshtjen do t’u mbetet përherë Kryeministrit Albin Kurti dhe Kryeministrit Edi Rama.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
