Sahit Abdurrahman Krasniqi (26.8.1975 - 29.1.1999)

Sahit Abdurrahman Krasniqi (26.8.1975 – 29.1.1999)

Pjesa dërmuese e djelmoshave të ilegales së Anadrinit, pothuajse tërë veprimtarinë e viteve ’80 – ’90 e pati përqendruar përreth fshatit Drinas (ish – Ratkoc). Këtë areale të Anadrinit okupatori serboçetnik e mbulonte me dy pika policore; në Drinas dhe në Xërxë, me më shumë patrulla mobile prej “Qafës së Gardhishtit” deri në Bardhatin e Kromnik dhe me grupet e “satelitëve” shqipfolës të cilët ishin të furnizuar e të sofistikuar me kohë nën komandën e Mladen Ceroviqit e të profesor Bogosav Shoriq. Formacionet serboçetnike forcoheshin për t’iu kundërpërgjigjur aktiviteteve të veprimtarëve të Anadrinit dhe shokëve të idealit që frymonin lirshëm jo vetëm në Drinas, por edhe në fshatrat Malësi e Vogël e Gexhë ku pati vepruar Dervish Çadraku, ndër veprimtarët e parë të burgosur në komunën e Rahavecit e Islam Krasniqi, dëshmor i kombit.

Aktivitetet asokohe i koordinonte LPRK – ja edhe pse në ato vite ishte ende e brishtë, por më 1993, tërë veprimtarinë e atyre rrethanave e merr LKÇK – ja dhe fillojnë veprimet e tresheve të para në krye të të cilëve gjendeshin: Ruzhdi Krasniqi, Smjal Latifaj, Qemajl Krasniqi, Sadik Krasniqi e Bahtjar Hoti të cilët u shpëtojnë kthetrave serboçetnike falë organizimit të mirë; konsekuencës, konspiracionit dhe devotshmërisë së përkushtuar për një ideal që i kishte bashkuar veprimtarët e hershëm të ilegales, e në këto radhë ishte angazhuar me kohë familja e mulla Emrushit, hoxhë i fshatit, veçanërisht Avdurrahmani me të bijtë dhe me tërë farefisin; babai i dëshmorit Sahit Krasniqi, axhë i dëshmorëve Naser e Islam Krasniqi, të rënë në Drinas, në Rogovë të Hasit e në Bogaj.

Sahit Avdurrahman Krasniqi, dëshmor i kombit, sot në Përjetësi së bashku me kushërinjtë Naser Veli Krasniqin e Islam Rexhep Krasniqin e me bashkëluftëtarët Jahë e Visar Hotin dhe Safet Latifin,  të rënë  prej  Majës së Zezë të Pashtrikut, në Bogaj e deri në Majën e Zezë të Zatriqit, është i lindur më 26 gusht të vitit 1975 në fshatin Drinas të Anadrinit të Rahavecit. Doli nga gjiri familjar i mulla Emrush Krasniqit, hoxhë i njohur për pikëpamjet kombëtare jo vetëm në fshatrat e Anadrinit, por edhe në shumë vise të Kosovës ku kishte shërbyer e në shumë pjesë të trojeve etnike që i kishte rënë t’i vizitojë. Në këtë vatër bujare e patriotike, Avdurrahmani me Qamilën rritën gjashtë fëmijë; katër djem e dy vajza; Halilin, Sahitin, Fatimen, Haxheren, Halitin dhe Hamitin, për t’ia dhënë të dytin, Sahitin, Kosovës së cunguar, të robëruar, të okupuar e të shkelur me shekuj nga turk Sulltani e shka Dushani.

Shkollën fillore Sahiti e mbaroi në vendlindje, aty ku sot qëndron i derdhur në bronz duke shkëlqyer me emrat: Sahit, Visar, Safet e Naser – Shkolla Fillore “Dëshmorët e Drinasit”, ndërsa mësimet e mesme i bëri në Shkollën Teknike, dega e makinerisë në Prizren. Si nxënës i teknikumit të Prizrenit e kuptoi rrezikun në të cilin ra Kosova, veçanërisht pas “Kushtetutës së Gazimestanit”, në “Vidovdan”, ku kryekrimineli Slobodan Milosheviq promovoi projektin për spastrimin etnik të Kosovës. Për t’iu kundërvënë zbatimit të këtij projekti, sipas të cilit Kosova nuk po “humbte” asgjë, anembanë Kosovës strukturat organizative të LPK – së dhe të LKÇK – së shtrinë rrjetin organizativ dhe më 1994, Sahit Krasniqi organizohet në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, e cila asokohe në kushtet shumë të vështirësuara veprimi ishte tejet aktive edhe në fshatin Drinas. Kushtet për punë në fshatrat buzë Drinit të Bardhë u bënë halë në sy, prandaj edhe u fokusuan nga strukturat e sigurimit serb që vepronin në Prizren, në Gjakovë e Rahavec e sidomos pas mbetjes së Shkëlzen Hashim Krasniqit e Jahë Hotit në Majën e Pashtrikut. Sahiti, i ndjekur si edhe e tërë ilegalja e Anadrinit, braktis vendlindjen dhe me trastën e kurbetçarit në krah e me ëndrra për formimin e instrumentit të forcës me të cilin do të çlirohet Kosova,

më 4 prill të vitit 1997 vendoset në qytetin Kehl të Gjermanisë dhe bashkëvepron me Shukri Klinakun, Nuhi Berishën e Isak Hotin.

Atje, në kontakte veprimi, shtrin dhe forcon aktivitete në mjediset e bashkëqytetarëve. E kishte të qartë se Kosova ishte lodhur prej iluzioneve, pazardhëçeve dhe prej fallit pacifist të mykur nga amullia e dekadës. Kyçet në struktura organizative për aktualizimin e nevojës për ushtri; vepron për organizimin e protestave dhe për mbledhjen e mjeteve që aq shumë iu deshën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç këtij fronti, Sahiti zhvillonte një luftë të ashpër edhe kundër dështakëve, defetistëve e pacifistëve me të cilët ishin mbushur koluaret dhe kafenetë e Perëndimit e që trumbetonin për çlirimin e Kosovës me dialog e konferenca. Kështu, krahas shumë barrave të rënda, gjeneratës së Sahitit i ra që të përballet edhe me bartësit e turpit.

Në anën tjetër, Kosova ishte shndërruar në zjarr; krismat e Jasharajve e të Haradinajve e kishin bërë jehonën anembanë; në Drenaj ishte formuar Shtabi Operativ Rajonal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rrafshin e Anadrinit, në Bardhatin ishin zhvilluar luftimet kundër forcave policore – ushtarake serbe, në Digën e Radoniqit luftohej kundër ushtrisë serbe, në Gardhisht me luftime ishte ndërprerë kontrollimi i rrugës Gardhisht – Kromnik e Drinasi granatohej prej të gjitha anëve kurse heroizmi i luftëtarëve të fshatit Drinas: Isak Hoti, Ruzhdi Krasniqi, Veli Hoti, Smajl Latifi,  Naser Krasniqi e Hysen Rexhepi, Hajriz Morina, Nysreti, Milaimi e Safeti, veç e kishte marrë dhenë. Forcat serbe tentonin që me granatime ta rrënojnë Drinasin, ta shkatërrojnë Batalionin e Drinasit dhe më 6 qershor, në qendër të fshatit të granatuar, merr Përjetësinë dëshmori i kombit Naser Veli Krasniqi, të cilin Sahiti e kishte djalë të axhës.

Më 25 qershor, të rinjtë e fshatit Drinas, të armatosur dhe të përgatitur mirë moralisht e profesionalisht, braktisin kurbetin dhe Perëndimin, ushtrojnë te instruktori Adem Shehu, në Durrës, thyejnë  Pashtrikun  Plak  dhe  depërtojnë  në  Has  e së andejmi në Drinas e Sahiti sistemohet në krye të batalionit për ta çuar në vend amanetin e kushërinjve: Milaim Krasniqi prej Rudine e Naserit prej Drinasi. Kështu, me arritjen e Sahitit, Batalioni i Drinasit shënon një rritje dhe shtrirje aktivitetesh luftarake anembanë fshatrave të Anadrinit dhe bëhet formacion stabil me disiplinë të madhe e moral të lartë luftarak. Kishte shtabin e batalionet dhe operonte në pikat më të zjarrta të luftimeve në frontin e Anadrinit.

Në korrik, Sahiti është në luftimet e Retisë dhe të Apterrushit, ndërsa Batalioni i Drinasit zhvillon përgatitje intensive, sepse forcat e thyera policore – ushtarake serbe pritej të përpiqeshin sërish ta marrin fshatin Drinas e së andejmi edhe Drenajt, duke shfrytëzuar “Lugun e Bardhatinit”. Më 18 korrik, pas arritjes së forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “Rrasat e Rahavecit”, Sahiti është në krye të shokëve për prerjen e aksit të rajonales Malishevë – Xërxë në fshatin Fortesë. Kompania e Sahitit e kishte të qartë rëndësinë strategjike për vënien e barrikadave në Fortesë, pa përjashtuar mundësinë që armiku mund të depërtonte në Rahavec nëpër kodrinat “Mellë”, “Kodër” e “Pajatat e Mullabazëve”.

Në “Betejën e Fortesës” që zgjati ag e terr të 18 korrikut, luftëtarët e lirisë mbeten pa Agim Kelmendin, pa Gani Paçarizin, pa Tafil Zyberajn e pa Skënder Jahë Kastratin, ndërsa Sahit Krasniqi depërton në pikat më të zjarrta të luftimeve në Rahavec. Lufton në harkun e parë të zjarrit dhe bën përpjekje për tërheqjen e trupave të pajetë të dëshmorëve: profesor Hamdi Berisha e të Afrim Fazli Krasniqit, të dytë luftëtarë të formacioneve “Çeliku”.

Me rënien e Skënder Jahë Kastratit nga Malësia e Vogël, për Sahitin u dobësua sektori i logjistikës andaj me kërkesën e Smajl Latifit, Sahiti tërhiqet në forcimin e pozicioneve: Maqinë, Burim i Epërm, Burim i Ulët e Sopaj vetëm e vetëm që popullatës së ndjekur, të vrarë e të djegur t’i mundësohet një tërheqje sa më e mbrojtur nga Rahaveci. Sahiti ishte mjeshtër i mirë për armatim, veçanërisht shkëlqente me minahedhësin 62 mm.

Në shtator forcat serboçetnike sërish përpiqen për ta marrë fshatin Drinas. Luftimet zhvillohen më 3 shtator dhe shtrihen në të gjitha fshatrat përreth Drinasit, madje deri në Zatriq, ndërsa në këto luftime marrin Përjetësinë dëshmorët: Afrim Bajraktari e Shani Hoti të Palushit, Mark Sopjani i Lugmirit, Esat e Mazllum Kastrati me Xhafer Vehapin e Zatriqit, ndërsa Batalioni i Drinasit nuk thërrmohet. Sahit Krasniqi, Visar Hoti e Safet Latifi qëndrojnë me forcën e çelikut e te “Ura e Katundit” marrin shumëfish hakun për shkokët dhe për Naserin e betejave të qershorit mu pranë kësaj ure ku sot shkëlqen lapidari për Naser Veli Krasniqin.

Pas rënies së fshatit Drinas, Batalioni tërhiqet kah fshatrat: Sopaj, Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe deri në fshatin Qëndresë (ish – Randubravë) me urdhër të komandantit Smajl Latifi. Sahiti vëhet në krye të një grupi logjistik me Sadik Krasniqin e Sabit Gashin dhe udhëton për t’u riarmatosur pas zbehjes logjistike gjatë betejave në frontin e Anadrinit. Në ditët e qëndrimit në Shqipëri, riarmatoset, takohet me Lleshët  e Vraniqit, Prenin dhe Memën, kthehet në Kosovë dhe vendoset në Zonën Operative të Rrafshit të Duakgjinit. Gjatë luftimeve në Shqiponjë, Sahiti së bashku me Haradinajt; Ramushin, Shkëlzenin e Dautin e më 21 shtator, komandanti Ramush Haradinaj, për respekt ia dhuroi një revole. Në këtë pikë Sahiti është së bashku edhe me luftëtarë të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Ooperative të Pashtrikut; me Xhelal Hajdën – Tonin, Selajdin Mullabazin-Micin, Bekim Sylkën, Skënder Gashin, Xhafer Kadirin, Selajdin Sokolin, Bashkim Gashin e Xhevat Elshanin, sot të gjithë dëshmorë, invalidë e veteranë të burgosur.

Më 27 janar të vitit 1999 Sahit Krasniqi gjendet në Shqiponjë. Pas luftimeve të ashpëra sa në vijën: Shaptej – Gramaçel – Baballoq e Gllogjan, aq edhe në Dushkajë e Cermjan të Fadil Nimanit – Tigrit e të Agim Zenelit, e deri te Gurëzit e Kralanit, komandanti Agim Zeneli – Çergashi, vendosi që edhe njëherë  të  udhëtohet  për  në  Shqipëri,  sa për t’i dërguar shokët e plagosur, aq edhe për t’u riarmatosur në ndonjërën prej punkteve për furnizim. Kështu, më 27 janar, thyejnë shtigjet luftëtarët e lirisë deri te Ura e Drinit. Së bashku i patën thyer pritat nëpër Dushkajë e Cermjan, Rakovinë e Kromnik , Çifllak e Bishtagjin, Lipavec e Goden. Sahiti plagoset dhe kështu, luftim pas luftimi, e fitore pas fitoresh, nëpër ditarë mbushi faqet për Urën e Terzisë, për beteja mbi ura e nën ura, vetëm e vetëm që të mos mbetet urë e vig, që të mos mbetet va e pa va. Por në çdo pritë bashkëluftëtarët e Sahit Krasniqit kishin të vrarë e të plagosur. Dimri i madh i janarit, numri  i madh i ushtarëve serboçetnikë dhe Drini i Bardhë, e detyrojnë njësitin që të kthen në Rogovë ku në luftime të pabarabarta merr përjetësinë Sahit Krasniqi i Drinasit së bashku me: Agim Zenelin, Agron Ramën, Sejdi Ramën, Emrush Çetën, Bahtjar Morinën, Daut Kelmendin, Gaspër Karaçin, Agush Gjocajn, Gëzim Ademajn, Hamdi Berishën, Pren e Memë Lleshin, Haxhi Kleçkën, Luan Smajlin, Ilir Merturin, Kasim Shalën, Naim Berishën, Valon Gashin e Vesel Abdylin, ashtu siç i ka ravijëzuar rapsodia popullore.

Sot nëna Qamë, nënë e dëshmorit, bashkëshorte e luftëtarit, rrit nipa e mbesa duke i përkundur me dëshirë që për burrëri e trimëri t’u ngjajnë mixhallarëve e dajëve, ndërsa poetët e vegjël të Drinasit thurin vargje për Sahitin, Naserin, Visarin e Safetin, bustet e të cilëve janë skalitur nga dora e skulptorit Vasiliev Nini dhe shkëlqejnë ashtu si rinia e dëshmorëve. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …