Brickos

Salih Gjuka – Dukagjini (1876 – 1925)

Veprimtari dhe atdhetari i mirënjohur, Salih Gjuka ka qenë jurist, mësues i popullit  dhe njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912. Tërë jetën e tij ia kishte kushtuar arsimimit të popullit dhe çlirimit e bashkimit të trojeve shqiptare. Duke qenë në kontakt me parinë atdhetare të kohës, në Kosovë, Shqipëri, Mqedoni e më gjerë, Salih Gjuka do të shquhet për një aktivitet intensiv në të gjitha segmentet ku ai arriti ta ndihmojë e ta avansojë çështjen kombëtare shqiptare. Me punën dhe angazhimin e tij ai radhitet në mesin e adhetarëve të të shquar të Kosovës, krahas  Bedri Pejanit, Ali Kelmendit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit  e shumë të tjerëve.

 Salih Gjuka lindi në Pejë, në vitin 1876. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Më vonë u  regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, kishte filluar të punonte  punën në gjykatën e Selanikut. Në vitin 1909, pa lejen e autoriteteve vendore osmane,  punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës shqipe në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini u bë mësuesi i parë i shqipespër nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale  të Elbasanit e më vonë edhe në  Gjimnazin e Shkupit. Në këtë mision të shenjtë, aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri Pejani. Mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, klubi “Bashkimi”, në favor të edukimit të ndjenjave atdhetare dhe përhapjen e gjuhës shqip.

Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljes e pavarësisë kombëtare dhe firmoi aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë (Senatit). Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali Gjuka ishte ndihmës i Luigj Gurakuqit për problemet e arsimit. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar në gazëtën “Përlindja e Shqipniës”.

 Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit. Menjëherë hapi shkollën Normale të përkohëshme. Pjesa më e madhe e nxënësve ishin nga Kosova, të cilët më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy puna e zelli i madh i tij për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe në ato zona. Po kështu, ishin të shumtë artikujt e tij, publikuar në shtypin e kohës për çështje të gjuhës, etnografisë e tjerë.

 Edhe pse  ishte emëruar  drejtor i arsimi, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës dhe përkrahu Lëvizjen e Qershorit 1924.

 Në vijim të përndjekjeve të mëparshme, në vitin 1920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për këtë e dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.

Pas fitores së Revolucionit të Qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, Salih Gjuka punoi pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Patrioti i madh Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike të asaj kohe: “Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të mëdhe dëshirën që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vet të sakrificave, që bëri populli ynë…Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës”.

Vdiq nga tuberkulozi më 25 tetor 1925 në Berat.

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …