Kongresi i Berlinit

Samiti i Berlinit, 141 vjet pas Kongresit të Berlinit

Pavarësisht se në dukje nuk kemi të bëjmë me ngjarje historike si ajo e para 141 viteve, fakti se një takim i tillë mbahet në Berlin, nuk si të mos na sjellë në kujtesë Kongresin famëkeq dhe antishqiptar të Berlinit, të vitit 1878,  i cili jo vetëm që copëtoi trojet shqiptare, por mohoi edhe kombin dhe njësinë etnike shekullore në trojet e veta. Asokohe, Malit të Zi iu dha Ulqini, Anamali, Plava e Gucia sa për fillim, duke lënë të kuptohet se në Ballkan do të respektoheshin interesat sllave ortodokse mbi ato shqiptare, të cilat edhe ashtu ishin nën Perandorinë Osmane.

Pas Kongresit të Berlinit, më 10 qershor të vitit 1878, ideologët e Lëvizjes Kombëtare themelojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila kishte për qëllim krijimin e një shteti autonom shqiptar, që do të përfshinte katër vilajetet e Shqipërisë së kohës, ku shumica dërrmuese e popullsisë kishte qenë shqiptare.

Pastaj filloi sulmi i pandërprerë i Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë për të uzurpuar e përgjakur  sa më shumë toka shqiptare, për të vrarë e shfarosur shqiptarë, të cilët trajtoheshin turq dhe për ta reduktuar Shqipërinë në 28.ooo km2, nga 110.000 sa kishin pasur katër vilajetet.

Për këto 141 vite në dukje ka ndërruar shumëçka, por në esencë ka mbetur e njëjta politikë antishqiptare e shumicës së shteteve evropiane, e cila kurrsesi nuk harron interesin sllav mbi tokat shqiptare dhe “ndërgjegjen e rënduar” sepse kishte qenë e detyruar, që me Aleancën Veriatlantike, që udhëhiqej  nga Amerika dhe Anglia, në vitin 1999,    ta bombardonte Serbinë ortodokse, të cilën e kishte krijuar vetë, për ta pasur xhandar në Ballkan kundër shqiptarëve, boshnjakëve, turqve e popujve jo sllavë.

Tani nikoqir të këtij takimi janë Gjermania dhe Franca, dy shtete të cilat ndër të parat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk kanë hequr dorë edhe nga interesat e Serbisë, sepse u duket se ajo ka humbur shumë. Të dy këto shtete edhe sot e kësaj dite mbajnë po thuajse  të njëjtin qëndrim ndaj shqiptarëve, të cilëve nuk u lejohet integrimi në BE, shqiptarëve të Kosovës nuk u lejohet as liberalizimi i vizave, shqiptarët në Maqedoni nuk trajtohen si popull shtet-formues, ndërsa në Mal të Zi dhe në Serbi trajtohen si pakica kombëtare. Vetëm Greqia në këtë mes “ka zgjidhur” përfundimisht problemet me Shqipërinë.  Ka zhdukur, ka vrarë, masakruar, likuiduar ndjekur, të gjithë shqiptarët e besimit islam, ka shpërbërë Çamërinë ka konvertuar arvanitasit, ka greqizuar Kishën ortodokse shqiptare, ka ngritur monumente për grekët e vrarë, të cilët kishin bërë përpjekje ta pushtonin  jugun e Shqipërisë, ndërsa Shqipërinë, ekonomikisht e  ka kthyer në një njësi koloniale të veten.

Dikur para 141 viteve  kishim një Bizmark gjerman  i cili thoshte se Shqipëria nuk ekziston por është vetëm një shprehje gjeografike, tani kemi një  Angela Merkel, kancelare gjermane, e cila pranon se në Ballkan janë dy shtete shqiptare, pavarësisht se të dyja këto shtete nuk arrijnë as 40.000 km2. Nga 110 mijë km. para 141 viteve tani kemi këto që kemi por në Serbi, Mal të Zi e në Maqedoni janë edhe 10.000 km të tjera, të cilat doemos se një ditë do të shtrohen për zgjidhje, ndoshta edhe pas shumë dekadash.

Samiti i Berlinit, në asnjë segment nuk do të jetë në dobi të Kosovës as të shqiptarëve, por do të jetë një përpjekje për t’u bërë preson shqiptarëve që të përfillin interesin serb në Kosovë, të krijohet Bashkësia Serbe me fuqi ekzekutive, të lidhen me këtë bashkësi të gjitha enklavat serbe, të cilat do të dirigjohen përgjithmonë nga Beogradi. Edhe pse kësaj fillimisht nuk do t’i thuhet sovranitet i dyfishtë, apo paralel, aty do të jetë qëllimi dhe Kosova ashtu si çdo herë dere tani do të lëshojnë pe, sepse tekefundit as ka ndonjë rrugë tjetër, as ka fuqi për të bërë diçka më shumë, përveç se të kënaqet me aq sa i japin. Gjermania e Franca, në mënyrë diplomatike mund t’ i kërkojnë Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës, edhe pse e dinë mirë se Serbia derisa ka prapa Rusinë dhe Kinën kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e vendit tonë.

Samiti i Berlinit nuk ka nevojë të  jetë Kongresi i dytë i Berlinit edhe për faktin se shqiptarët gjenden po atje ku ishin 141 vite më parë, të pranuar  e të papranuar, të shfrytëzuar nga të gjithë dhe të keqtrajtuar nga çdo anë. Ata nuk kanë arritur të bëhen faktor i njësuar politik, ekonomik, ushtarak e diplomatik, as zotë të vetes, as do të arrijnë ndonjëherë, sepse politikanët tanë servilë denbabaden ndaj të huajve, me ndonjë përjashtim,  iu nënshtrohen dhe iu servilosen atyre   deri në tokë ndërsa njëri tjetri bëjnë përpjekje t’ ia nxjerrin sytë.

Ahmet Qeriqi

28. 4. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …