Shefket Nazim Fera (2.5.1969 – 9.4.1999)

Shefket Nazim Fera (2.5.1969 – 9.4.1999)

Shefket Fera u lind më 2 maj 1969 në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse degën e postëtelekomunikacionit e kreu në Prishtinë. Në pamundësi për t’i vazhduar studimet për shkak të mungesës së kushteve materiale, u detyra të mërgojë, ku qëndroi në Itali e në Gjermani. Në mërgim u njoh për së afërmi me hallet e punëtorëve tanë mërgimtarë dhe mori pjesë edhe në takimet e mbajtura në klubet e atjeshme shqiptare, ku diskutohej edhe për çështjen e Kosovës së robëruar. Mori pjesë edhe në manifestimet e organizuara në qytetet e ndryshme të Gjermanisë, Zvicrës e vende të tjera perëndimore, kundër shtypjes serbe në Kosovë. Në fillim të vitit 1997 la Perëndimin dhe u kthye në vendlindje.
Shefketi e priti me shumë gëzim daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj u interesua të bie në kontakt me pjesëtarët e saj. Këtë kontakt e vuri, përmes Abdurrahim Shehut, më 25 korrik të vitit 1998, kurse më 29 gusht 1998 u bë pjesëtar i saj kur edhe veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte pjesëtar i Njësitit në kuadër të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë ishin: Nejaz Fera, Besnik Bajra, Nexhmi Fera, Mukadeze Lika-Muhaxheri, Abdurrahim Shehu, Lulëzim Tirolli, Reshat Shehu, Sabit Raka, Reshat Topojani, Burim Bajra e të tjerë. Ishte pjesëmarrës i betejave në Ivajë e Gajre më 8 mars 1999; në Kotlinë e Ivajë më 24 Mars 1999; në Kaçanik më 8 prill 1999 dhe së fundi në betejën e 9 Prillit 1999 në Rakoc të Kaçanikut, ku dhe ra heroikisht.
Popullata e qytetit të Kaçanikut dhe fshatrave përreth ishte zhvendosur qysh më parë për në male, lugina e përroje. Një pjesë e konsiderueshme e saj ishte strehuar në luginën e përroit të Rakocit, kurse pjesa tjetër te Mrizet. Njësitet e Batalionit të Dytë ishin vendosur në mbrojtje të popullatës civile. Në kuadër të këtyre njësiteve kontribut të jashtëzakonshëm po jepte edhe luftëtari i lirisë Shefket Fera. Në këto luftime të ashpra, në krye të detyrës ranë 19 ushtarë të lirisë dhe 30 civilë. Bashkë me Shefket Ferën ranë edhe luftëtarët Kjani Bela, Ilir Zharku, Fadil Çaka, Nehat Çaka, Ejup Dushkaja, Faruk Dogani, Nexhmush Fera, Jehona Raka, Lumnije Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri, Nevzat Çallaku, Abdurrahim Shehu, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Adem Rakoci dhe Blerim Raka. Ndërsa nga popullata civile u vranë qytetarët: Nebi Topojani, Izahir Çaka, Ilfete Çaka, Jonuz Bajra, Murat Raka, Mendu Dallbani, Tefik Nallbani, Maksut Nallbani, Gjili Rexha, Hamide Rexha, Mine Gashi, Nezrike Dogani, Hamid Shehu, Haki Livoreka, Gyli Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka e Bajrush Axhami.
Trupi i dëshmorit Shefket Fera, i cili një ditë pas rënies ishte varrosur në një varr masiv në varrezat e qytetit në Kaçanik, u rivarros pas përfundimit të luftës ççlirimtare, më 22 shtator 1999, në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik. Në rrethin e gjerë familjar të Shefketit kanë rënë edhe Nexhmi Fera (xhaxhai i Shefketit), djali i dajës, Abdurrahim Shehu dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri (vajza e tezes).
Shefketi ka qenë i martuar me Imrane Gashin-Fera me të cilën kishte fëmijët: Muhametin dhe Xhenetën.
Në vendin e rënies, dëshmorit Shefket Fera dhe 18 dëshmorëve e 22 martirëve u është vënë pllaka përkujtimore në Rakoc të Kaçanikut. Familja Fera, në shenjë respekti për kontributin e Shefketit ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, SHP i UÇK-së, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut edhe nga komanda e Zonës së 6-të TMK-së. (H. K)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …