MIT KS
Fillimi / Analiza / Shefqete Gosalci: Pak ankesa për të “ankuarit”
Shefqete Gosalci: Pak ankesa për të “ankuarit”

Shefqete Gosalci: Pak ankesa për të “ankuarit”

Këto ditë pandemie kur secili prej nesh po mundohemi t’u përmbahemi masave parandaluese dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për ti ikur më të keqes, po dëgjojmë e lexojmë ankesa të shumta nga më të ndryshmet, të arsyeshme e të paarsyeshme, të drejta e të padrejta, të vogla e të mëdha. Përderisa secili po sakrifikojmë diçka nga përditshmëria e deridjeshme për ta mundur më të keqen për të gjithë, ankesat veçse po “lulëzojnë” duke filluar prej atyre që s’po mund dalin për kafe e deri te ato që s’po mund të shkojnë te frizeret për grim, menikyr e pedikyr, etj, etj. deri në banalitete…

Ka dhe prej atyre që s’po mund të rrinë dot në shtëpi, apo u pëlqen të rrinë kudo tjetër veç shtëpisë.

Halli i vërtetë është krejt diku tjetër!

A mendojnë këta “njerëz” për një kategori tjetër njerëzish që s’ ankohen kurrë, që s’dinë apo s’duan, apo edhe më keq, që s’kanë ku e as kujt ti ankohen?

Sa fëmijët jetim mbetën pas

luftës, u rritën e u bën burra e gra pa thirr asnjëherë emrin Babë, e Nanë, u rritën në kushte shumë të rënda ekonomike, u shkolluan e u poqën para kohe pa u ankuar kurrë, se baballarët ju ranë në Altarin e Lirisë,(benificionet e së cilës ata i gëzuan më së paku, apo si gëzuan fare), shumë prej tyre edhe pasi diplomuan nuk u punësuan kurrë, (sepse nuk pat kush të intervenoj tek punëdhënësit, siç e do zakoni i ri), derisa baballarët e nënat e bashkëmoshatarëve të tyre punojnë në disa vende pune, falë prindërve të të parëve që u flijuan për ta, disa edhe mërguan dhe morën mbi supe fatin e vet dhe të familjes, se për fatin e Atdheut ishin kujdesur prindërit e tyre.

Sa nënat dhanë djemtë e vajzat për liri, e mbetën në vetmi të përjetshme me prehrin thatë e s’patën as për kënd ta shtrojnë më sofrën. Ato as lot më nuk kanë…

Sa vajzat i dhanë të dashurit e sa djemtë të dashurat e tyre në lule të rinisë, edhe pse ju thyen zemrat e ju përmbysën ëndrrat e jetës, dhe e çanë jetën vetëm e s’u ankuan kurrë…

Sa familjet e të pagjeturve të kidnapuarve, (të “zhdukurve” të luftës e kam fjalën, se ata nuk janë të zhdukur), jetojnë keq, në ankth e trishtim për t’ua ditur së paku varret…

Sa familje dhanë Heronj e Dëshmorë që ne dhe ju të kemi liri dhe shtet…

Sa familjet e të rënëve për Liri jetojnë edhe sot pas më shumë se 20-vitesh nëpër podrume të mykta e e kalojnë jetën me rrisk, sot për nesër, pa pasur mundësi të bëjnë plane 24 orëshe…

Sa familjet e veteranëve e kalojnë muajin me 170 euro, e rrisin e shkollojnë fëmijë, kanë edhe prindër për të cilët duhet të kujdesen…

Sa invalidët e luftës, mbetën përjetësisht nëpër karroca, pa gjymtyrë, disa edhe pa sy, e se panë më diellin t’u lind, disa vuajtën shumë për ta siguruar një protezë për këmbën e humbur betejave…

…dhe duhet tu flasin fëmijëve të tyre si luftohet e vdiset për liri…

Sa luftëtarë të UÇK-së, vuajtën (dhe kalben) burgjeve, pa pikë faji, pse luftuan për liri…

Sa gratë dhe vajzat shqiptare të Kosovës, u dhunuan, u gjymtuan e poshtëruan nga policia e ushtria serbe, dhe mbetën margjinave të jetës si silueta, të stigmatizuara e të izoluara në familje e shoqëri…

Sa njerëz u çmendën nga traumat e luftës dhe përfunduan spitaleve psikiatrike…

Sa mërgimtarët shqiptarë u bënë kuban i familjeve, duke punuar anëve të botës pa u ngi kurrë gjumë, e të djegur malli, që ne ti kemi të gjitha kushtet për jetë të dinjitetshme, e të mos i dorëzohemi armikut…

Sa mjekët ikën nga ky vend pasi nuk arritën të gjejnë një vend pune në Atdheun e tyre, dhe pas gjitha investimeve disa vjeçare që kishin bërë, shkuan si kuadro profesionale të profileve të ndryshme, të kualifikuara dhe natyrisht u detyruan ti mësojnë edhe gjuhët e huaja, dhe “shitën” dijet e tyre për ti mbajtur gjallë dhe ushqyer familjeve të tyre, dhe shtetet e huaja i pranuan të “gatuar”, pa pikëvinvestim në ta, t’ju shërbejnë atyre…

Sa familjet e Kosovës, (fatkeqësisht janë shumë) u ballafaquan pas luftës me fëmijë të sëmurë me sëmundje të rënda (kancer, leokimi, vrima në zemër etj,) dhe hoqën të zitë e ullirit, shitën edhe prona e çka patën, për ti shëruar fëmijët e tyre nëpër spitale jashtë Kosovës, (kuptohet me çmime marramendëse)…

Sa e sa dhimbje…

Sa mjekët po luftojnë sot me pandeminë globale dhe po rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre, për ti shpëtuar jetët tona, timen, tënden, të familjeve tona dhe tuajat dhe nuk po ankohen…

Sa njerëz po vdesin sot nëpër spitale nga kovit19, pa praninë e asnjë familjari afër, dhe duhet varrosur pa praninë e më të dashurve…

Sa policët po patrullojnë rrugëve për ta ruajtur rendin e qetësinë publike, kur po rrëzohen edhe perandori…

Ka edhe shumë e shumë arsye, por po e mbylli me kaq.

Në këtë ditë të parë të Ramazanit të sivjetëm (2020), duke ju uruar nga zemra agjërim të lehtë e duke dëshiruar të mos ju mungoj asgjë në sofrat dhe familjet tuaja. Të jeni të shëndetshëm e të vëmendshëm dhe vigjilent për situatën që po kalojmë.

Të kujtojmë kohërat me ceremoninë iftareve e sofrave të mëdha e të begata, ku gjithë familja, burra e gra, pleq e fëmijë, të rinj e të reja prisnim me kënaqësi kohën e iftarit, e

shtëpia mbushej me aromën bukës së gatuar e gjellërave tradicionale.

Kur papritur trokiste zilja dhe vinin mysafirë pa na lajmëruar, gëzoheshim e rrinim bashkë deri në orë të vona duke fol e qesh, duke dëgjuar, respektuar e nderu njëri-tjetrin.

Ju që s’po dini të rrini dhe ndoshta nuk po doni të rrini në shtëpi, apo nuk po dini çka të bëni nëpër shtëpitë tuaja, sepse rrallë mund të keni ndejt nëpër to, (edhe mund t’i keni nga disa shtëpi), sigurisht nuk i keni përjetuar asnjërën nga këto…

Ju që po ankoheni…gjatë qëndrimit në shtëpi mos rrini kot, kryeni  ndonjë punë, ndihmojuni anëtarëve të familjes në kryerjen e punëve të shtëpisë,

(shtëpia ka shumë punë për ata që duan), mbillne ndonjë lule, lexoni ndonjë libër, pastrone shtëpinë, sistemoni bibliotekat (nëse i keni), dhe rrobat tuaja, mbase jeni mësuar t’ua sistemojnë të tjerët, siç thotë populli, t’ua sheh hajrin edhe shtëpia…

Tani kemi kohë ti kryejmë punët për të cilat s’kemi pasur kohë.

Nëse nuk mund t’i bëni asnjërën nga këto, ju lutem heshtni, së paku mos i pengoni të tjerët ti bëjnë ato.

Ata që ankohen aq shumë, gjithmonë dhe për gjithçka, as që e dinë çka janë mungesat…

Në këtë ditë të bardhë që po zbardhë, lutunu në qetësi, për vete, familjet tuaja, dhe për shërimin e atyre që po vuajnë nga kovid19.

Ju lutem lëreni hipokrizinë, së paku deri sa të kaloj pandemia.

Pak durim…

Lëreni pak vend edhe shpirtit, në shpirtrat tuaj të “pa shpirt”…

LUTUNI!

Besoni në Zot dhe në vetvete!

Ditë më të mira do të vijnë!

Kontrolloni gjithashtu

RKL: Murat Jashari, do të duhej të ishte kryetar i Kosovës, i krejt qytetarëve, jo i manipulimeve të partive politike

RKL: Murat Jashari, do të duhej të ishte kryetar i Kosovës, i krejt qytetarëve, jo i manipulimeve të partive politike

(Vetëvendosja, me qëllim për të shpëtuar, “kapet” për Murat Jasharin, të cilin vështirë ta ketë ...