Shënohet 10 gushti- Dita e dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, janë organizuar një mori aktivitetesh për shënimin 10 gushtit- Ditës së dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Aktiviteti kryesor është mbajtur në Pallatin e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, përmes një akademie përkujtimore, ku janë përkujtuar dëshmorët e Komunës së Kaçanikut. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se 10 gushti mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase me 10 gusht 1998, dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht Komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj. “10 gushti- mbetet dita e përkujtimit të dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në Komunën e Kaçanikut. Kjo ditë, na kthen kujtesën tonë historike, për të kujtuar se të gjitha të mirat e jetës që sot i gëzojmë, të drejtën për të jetuar, vepruar e punuar të lirë e pa frikë, i kemi falë sakrificës së vashave dhe djemve më të mirë që kishte Kosova e Kaçaniku legjendar, e që ishin të bindur deri në përjetësi, se liria kishte vlerë më shumë se jeta e tyre. Sot po përkujtojmë Dëshmorët me idealin e tyre, ata që u bënë të pavdekshëm me veprat e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor, me gjakun e tyre dëshmuan vullnetin e paepur për liri. Ata të cilët dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre” tha mes tjerash Kryetari Ilazi, ndërsa porositi se tash patriotizmi duhet shprehur përmes veprave të mira dhe punës së drejt, duke qëndruar gjithmonë të bashkuar. Në emër të Organizatës së Veteranëve të luftës foli Hajrush Kurtaj ish Zëvendës Komandant i brigadës 162 “Agim Bajrami” i cili tha se ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Komandanti legjendar Adem Jashari, ishte arritja më kulmore në historinë tonë, e cila ndërroi rrjedhën e historisë, ndërsa përmendi emrat e gjithë dëshmorëve dhe martirëve të vrarë në luftën e fundit në Kaçanik. Para se të filloj akademia, janë bërë homazhe pranë monumentit të Komandantit Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, në fshatin Gabrricë, në kompleksin memorial te varrezat e dëshmorëve, homazhe pranë shtatoreve të Komandantëve Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi dhe busteve të veprimtarëve të çështjes kombëtare Idriz Seferi, Sali Bajra dhe Ismajl Raka.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për takimin e dytë publik të Kryetarit Latifi

Njoftohen të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit, grupet e interesit dhe palët e tjera …