Vendimi për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është arsyetuar në një dokument prej nëntë faqesh. Këshilli Prokurorial i Kosovës e mori vendimin javën e kaluar, duke përmendur, ndër të tjera, keqmenaxhimin dhe moskryerjen e detyrave të pozitës. Në arsyetim, KPK-ja e ka kritikuar Isufajn për mënyrën e ndarjes së lëndëve te prokurorët. Sipas Këshillit, ndarja elektronike dhe e rastësishme është garanci për paanshmëri dhe transparencë, sidomos në hetimet për korrupsion të nivelit të lartë dhe krim të organizuar. Isufaj nuk ka reaguar publikisht, por ka thënë se po e shqyrton mundësinë e ankesës. Ndërkohë, ai po vazhdon punën si prokuror special. KPK-ja ende nuk ka caktuar datë për konkursin e ri për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale. Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka cilësuar shkarkimin si të nxituar dhe ka vlerësuar se vendimi mund të kontestohet në gjykatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
