Dëgjimet buxhetore për hartimin e Projektbuxhetit për vitin 2027 të komunës së Ferizajt kanë vazhduar me takimin e radhës me drejtuesit e Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe drejtorët e shkollave të Komunës së Ferizajt.
Të pranishëm në dëgjimin buxhetor ishin drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, udhëheqësja e Zyrës për Komunikim me Publikun, Shyhrete Topalli-Rexhepi, si dhe zyrtari komunal i Arsimit, Evlid Ibishi.
Në hapje të dëgjimit publik, drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, i njoftoi të pranishmit në detaje me projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, duke theksuar se ai parasheh një rritje të lehtë krahasuar me buxhetin e këtij viti.
Nga ana tjetër, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, tha se ky takim është organizuar për të dëgjuar prioritetet e dy sektorëve më të rëndësishëm të komunës, me qëllim që kërkesat dhe nevojat e tyre të trajtohen me prioritet gjatë planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit paraqitën kërkesat dhe nevojat e tyre. Shumica prej tyre kërkuan inventarizimin e objekteve, rregullimin e rrethojave, furnizimin me materiale shpenzuese për Qendrat e Mjekësisë Familjare, si dhe mbështetje për nevoja të tjera prioritare.
Ndërkaq, nesër, duke filluar nga ora 10:00, në sallën e Kuvendit të Komunës do të mbahet dëgjimi publik për buxhetimin gjinor. Në këtë takim janë të ftuar të marrin pjesë përfaqësuesit e OJQ-ve, të rinjtë, pensionistët, fermerët dhe përfaqësuesit e bizneseve.