Krojmir

Si po shkatërrohet dhe po përvetësohet prona publike dhe private në fshatin Krojmir

Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave të quajtura ‘shtetërore’ dhe private nga mujsharët e fshatrave, të cilët zakonisht  kanë lidhje afrie apo përfitimi me autoritetet e caktuara komunale, ka marrë përmasa jo vetëm  shqetësuese, por edhe degraduese për ambientin.

Më së keqi kanë pësuar pronat publike e private të atyre familjeve, të cilat për arsye ekomomike janë larguar  në ndonjë vend tjetër apo edhe  nëpër botë.

Në lagjen e epërme Qeriqi në Krojmirit janë prerë e përvetësuar pronat e Hajdar Xharrës të Parë ( 1790-1837), i ekzekutuar me tre familjarë në rezistencën kundër Jashar Pashës në vitin 1837. Ajo ngjarje tragjike e së kaluarës  është shënuar në një këngë popullore historike si dhe në tapitë e ruajtura në bibliotekën e Mulla Emin Miftarit të shkruara në gjuhën turke, të botuara në monografinë  “Krojmiri”, Prishtinë 2007.

Vendi i quajtur “Shorti i Hajdarit” mbi pronën e Hamit Brahim Miftarit shtrihet në një sipërfaqe rreth 30 ari që përcaktohet nga “Lançja” e deri te “Udha e Love”, në vendin e quajtur “Lugu i Madh” nën masivin guror ku ka qenë Kisha, të cilën deri në vitin e rrënimit, në vitin 1840 e kishte ruajtur familja, Hajdari. Me gurët e kësaj kishe është ndërtuar Kulla e Miftar Shemës, e Liman  Rexhës e shtëpi të tjetra, Disa nga  gurët e latuar gjenden edhe sot nëpër mure shtëpish, që po rrënohen. Pas konvertimit të plotë, me qëllim për të mos i kujtuar rrënjët e vjetra fetare, “Kroni i Kishës” u konvertua në “Kronin e  Arushës”.

Hajdari i dytë i lindur disa muaj pas vrasjes së babait, në vitin 1837, që trashëgoi emrin e tij   kishte lënë,  Salihun, i cili u vra në vitin 1896 në Lypjan, në moshën 17-vjeçare me rastin e gjakmarrjes për mixhën e tij, Miftar Shema. Po ashtu ai ka lënë edhe, Hajdinin, i cili është vrarë nga xhandarët serbë në përpjekje për likuidimin e një çetë të Adem Reçakut, në vitin 1921. Fillimisht, gjatë luftimeve e kishin  plagosur për vdekje, në Blinajë, ish-Lypovicë dhe  më pas  xhandarët e kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin masakruar në fshatin, Qagllavicë të Prishtinës.

Duke qenë se Hajdini kishte vetëm një motër, të martuar në Carralevë dhe një bijë, Feridën, e cila ishte martuar, në fshatin Bllacë, dhe nuk kishte lënë trashëgimtar mashkull, pronat  e tij i kishte marrë në mbrojtje, Hamit Brahim Miftari, kushëriri i tij. Më vonë, në vitin 1959 kjo familje u shpërngul dhe u vendos në Ferizaj. Ata shitën ara e livadhe, por jo edhe pronat  ku lanë shtëpitë dhe vendin “vakaf” të Kishës, në vendin e quajtur “Shorti i Hajdarit”.

Deri në vitin 2014 kjo pronë është prerë dhe është shkatërruar sistematikisht nga disa dëmtues pyjesh të lagjes Qeriqi, ndërsa po atë vit, vendin te “Shorti i Hajdarit”, komuna ia dha në shfrytëzim, Halim Muharrem Qeriqit i cili me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë e ka ngritur një fermë dhish, mu më oborrin e Kishës së dikurshme dhe në pronat e vete që shtrihen 200-200  metra më në veri. Duke qenë i vetëshpallur kryeplak dhe i përkrahur nga PDK-ja e komunës së Lypjanit, nuk pyeti asnjë familjarë të pronave, as të kushërinjve  por e përvetësoi me leje të komunës. Dhjetëra hektarë pronë të përgjithshme ai me kushërinjtë  e tij i shfrytëzojnë  për bagëtitë e tij.

Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave të quajtura ‘shtetërore’ dhe private nga mujsharët e fshatrave, të cilët zakonisht  kanë lidhje afrie apo përfitimi me autoritetet

Të gjitha pronat e lagjes Shemaj shfrytëzohen mizorisht nga banorët e lagjes Qeriqi,  sidomos ato prona te Varrezat e Lagjes, në veri dhe në lindje. Në vitin 201o pronarët e ligjshëm të trojeve hapen themelet për një godinë fushore  2o metra katrorë ne vendin te “Zabeli i Alisë”, ( familja posedon tapinë për pronësinë e Zabelit), por keqbërës të lagjes e rrënuan gjatë disa ditëve dhe kërcënuan pronarin e ligjshëm, i cili u detyra të  tërhiqet. Për më tepër dhe me qëllim  të dëbimit  nga pronat e tij, dikush, tinëz, gjatë natës, në pronën e A.E. Miftarit prenë 90 fidanë, katër-vjeçar më 21 korrik të vitit 2011. Atë kohë ishte lajmëruar polica e Lypjanit, e cila kishte arritur pas disa orësh, kishte bërë fotografimet dhe pronarit i kishin premtuar se do t i fillonin  hetimet, por asnjëherë deri sot nuk dha asnjë raport. Hetimet edhe nëse kanë filluar zyrtarisht, tani 7 vjet më vonë  ato janë mbyllur, krejtësisht kundërligjshëm….

Nga po këta uzurpues është prishur dhe është parcela me pemë qindravjeçare më e  njohura në fshatin Krojmir  e Halil Miftarit, në vendin që quhet, “Lugu i Vogël”. Keqbërësit fillimisht i kanë dëmtuar rrethojën e  gardhit, të cilin e kanë bartur për ta djegur, pastaj kanë kullotur dhe kullosin  bagëtinë, kanë prerë pemët dhe e kanë shkatërruar në tërësi.

Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave të quajtura ‘shtetërore’ dhe private nga mujsharët e fshatrave, të cilët zakonisht  kanë lidhje afrie apo përfitimi me autoritetet

Përpjekjet e disa mujsharëve të kësaj lagjeje, të lidhur me pushtetin aktual të komunës së Lypjanit për të përvetësuar të gjitha pronat e tri familjeve Shemaj që nuk jetojnë më në lagjet e tyre, po legjitimohet heshtas nga autoritetet e komunës, gjithnjë mbi baza  partiake të PDK-së dhe LDK-së.

Autori i këtij shkrimi disponon dokumente shkrimore për pronat qysh nga shekulli 19-të në kohën e Turqisë, tapitë e kohës së “kralevinës” serbe, të kohës së ish-RSFJ-së, por duke qenë se disa nga familjarët jetojnë në Amerikë, Austri, në Ferizaj, Shtime, e gjetkë, ata  nuk kanë treguar as tregojnë ndonjë interesim për ruajtjen e pronave, dhe ato kanë mbetur pre e shkatërrimit dhe dëmtimit nga keqbërës dhe dëmtues të njohur të pyjeve. Në këto  prona ata hedhin mbeturinat, duke zënë vijat e ujit me qëllim që pronat të vërshohen, duke menduar se me presione të tilla pronarët e ligjshëm do  t’i lënë edhe pronat e mbetura. Ata, edhe pse jetojnë shumë më larg, i presin pronat në malin e varrezave të atyre që i ndanë vetëm “Rruga e Zabelit” me pronat e tyre, ndërsa ato male e zabele që shtrihen më lartë i presin dhe i sheshin.

Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave bëhet edhe për shkak se Qeveria e pushteti nuk kanë interesim t’i ruajnë, por duke qenë se u duhen votat, në çdo katër vjet,  ata lejojnë militantët e tyre që të grabisin e të plaçkitin kudo ku ata duan,  madje u fshehin edhe lëndët penale dhe  nuk reagojnë fare kur lajmërohen për dëmtime të tilla.

Instalimi i kësaj logjike të tmerrshme të militantëve, të cilët bëjnë pushtetin nëpër fshatra është e rrezikshme, është retrograde dhe na kthen në kohën  e anarkisë totale, kur pushteti vlen vetëm për militantët e partive që na qeverisin dhe aspak për qytetarët e tjerë, të cilët kanë hallet e tyre ekzistenciale dhe  zyrtarët e qeveritarët  nuk përfillin  kërkesat as ankesat e tyre.

Të kota deri sot janë treguar të gjitha denoncimet. Për më tepër të denoncuarit jo vetëm që nuk janë ndjekur e dënuar për prerje të paligjshme të pyjeve, por ata janë hakmarrë kundër pronave që atyre që i kanë denoncuar.

Ahmet Qeriqi

Shkatërrimi dhe përvetësimi i pronave të quajtura ‘shtetërore’ dhe private nga mujsharët e fshatrave, të cilët zakonisht  kanë lidhje afrie apo përfitimi me autoritetet

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …