Sinan Latif Berisha (25.4.1971 – 7.5.1999)

Sinan Latif Berisha (25.4.1971 – 7.5.1999)

Vasileva është njëri ndër fshatrat e Drenicës që gjatë gjithë luftës ka dhënë kontribut të madh në strehimin dhe evakuimin e popullatës civile, e cila detyrohej ta braktiste vatrën e vet për t’iu shmangur falangave vrasëse të Millosheviqit. Në këtë vendbanim mikpritës dhe bujar lindi, u rrit, u burrërua dhe u flijua biri i Berishëve, Sinani, dëshmor i lirisë.

Sinan Berisha u lind më 25. 4. 1971 në Vasilevë të Drenasit. Prindërt Latif dhe Bahtie Berisha lindën gjashtë fëmijë: Izetin, Arifin, Sevdien, Nazifin, Sinanin dhe Limanin. Sinani shkollën fillore e kreu në Paklek e Vasilevë, kurse atë të mesmen–drejtimi i bujqësisë, në Drenas. Sikurse shumë të rinj të kësaj gjenerate, edhe Sinani rininë nuk do ta kalojë ashtu si rinia tjetër e botës së lirë, por i përbuzur dhe i diskriminuar vetëm pse nuk i përkiste “popullit hyjnor”, siç dëshironin t’ia bënin qejfin vetes pushtuesit serbë, që sollën shumë tragjedi në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Përveç varfërisë dhe skamjes, gjatë viteve 1980/1990, pushtuesi shkaktoi tragjedi të tjera përmes dhunës sistematike, duke mos lënë askend inferior kundrejt situatës së krijuar.

Sinani mori pjesë në shumë protesta, sidomos në ato ku shprehej mospajtimi dhe revolta kundër ndryshimeve kushtetuese duke i defaktorizuar tërësisht shqiptarët në institucione dhe në çdo fushë tjetër të jetës.

Punonte në kantierin e Gurëthyesit në Çikatovë dhe ishte dëshmitar i shfrytëzimit të pamëshirshëm të djersës së punëtorisë shqiptare, andaj që atëherë ngriti zërin kundër padrejtësive që po i bëheshin atij dhe kolegëve të tij.

Këto protesta dhe demonstrata të shumta që përfshinë gjithë Kosovën në mbrojtje 293 Feniksët e lirisë – 16 të dinjitetit dhe të trollit stërgjyshor, po e humbnin kuptimin përballë përshkallëzimit të situatës. Kthesa historike që ndodhi në fundshkurtin dhe fillimarsin e vitit 1998, ndërgjegjësoi të gjitha shtresat e robëruara të popullit shqiptar në Kosovë, duke e ngritur në nivel të lartë luftën për liri dhe mvetësi.

Fillimisht, Sinani angazhohet në roje dhe vëzhgim të terrenit, kurse më 5 maj të vitit 1998 armatoset me pushkë automatike dhe që nga ky moment Sinani realizoi një ëndërr të kahmotshme, të bëhet pjesëtar i ushtrisë që doli nga gjiri i popullit që të luftojë për lirinë e vendit.

I sistemuar në pikën ushtarake “Shkaba 4”, eprorët e ngarkojnë me detyra të ndryshme, të cilat i kryen me përgjegjësi të lartë. Shokët e luftës e kujtojnë si një ushtar të disiplinuar dhe të gatshëm për t’u sakrifikuar në çdo kohë.

Më 6 maj të vitit 1999, Sinani së bashku me Nuhi Berishën depërton në qendër të fshatit për të vëzhguar terrenin gjatë natës. Të nesërmen, më 7 Maj, derisa po tërhiqej përgjatë kanalit të ujitjes që përshkonte një pjesë të fshatit, militarët serbë kishin hetuar lëvizjet e tij dhe të Nuhiut. Befas dëgjohen krismat e armëve nga duart e bandave të uniformuara serbe. Dy luftëtarët e lirisë, ashtu siç ishin bashkë në luftë, kaluan edhe në përjetësi. Shokët e luftës i tërheqin dhe i varrosin në fshat, kurse rivarrosen në “Kopshtin e Dëshmorëve” së bashku me dëshmorët e tjerë të të rënë më 14 dhjetor 1998, si dhe me dëshmorët e 14 prillit 1999, ku në altarin e lirisë në vendin e quajtur “ Bregu i Sukës” u përjetësua pjesëtari i ”Tigrave të zinj” Bejtë Rexhepi, bashkëfshatari Agron Berisha dhe pesë luftëtarët e tjerë. Ndërsa, në vendin e quajtur “Gurina” në Vasilevë është ngritur përmendorja në të cilën janë gdhendur edhe emrat e tre dëshmorëve të këtij fshati: Agron Berisha, Nuhi Berisha dhe Sinan Berisha. Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, për kontributin dhe sakrificën e birit të tyre, familjes së dëshmorit Sinan Berisha nga Vasileva i ka ndarë fletënderimi, kurse dega e Shoqatës së dëshmorëve dhe Kuvendi komunal i Drenasit mirënjohje dhe falënderim . (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …