Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas vdekjes së punëtorit Arbenit Ahmeti, duke ngritur shqetësime për sigurinë në vendin e punës. Sipas sindikatës, gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti. Sindikata ka kritikuar menaxhmentin, Bordin dhe institucionet përgjegjëse për reagimin vetëm pasi ndodhin tragjeditë. “Pse këto institucione reagojnë vetëm pasi ndodh tragjedia?”, thuhet në reagim. Sipas saj, problemi qëndron te mungesa e parandalimit dhe identifikimit të rreziqeve para se ato të shkaktojnë viktima. Sindikata ka kritikuar edhe kulturën e menaxhimit në KEK, duke e cilësuar atë si represive dhe jo motivuese. Ajo ka kërkuar që punëtorët të kenë mundësi të raportojnë rreziqet pa frikë nga pasojat. “Siguria nuk fillon pas aksidentit. Siguria fillon para tij”, thekson sindikata. Menaxhmenti, Bordi dhe ministria janë ftuar të kalojnë nga reagimet pas ngjarjeve te masat parandaluese. Sindikata ka kërkuar që katër vdekjet të mos mbeten vetëm pjesë e komunikatave të ngushëllimit, por të pasohen me masa konkrete. “Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, përfundon reagimi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
