leoni

Skënder S. Kapiti

Skënder Kapiti: Ja pse e mbështes Thaçin për Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën

Duke gjykuar mendueshëm, realisht dhe me ndjesi e përgjegjshmëri kombëtare; duke vështruar tragjedinë dhe fatkeqësitë e shqiptarëve që u kanë ardhur nga padrejtësia europiane dhe genocidi serbo-sllav i tillë sa që kur përmenden Serbia dhe serbët te shqiptarët vijnë kujtimi i vuajtjeve, terroreve, përndjekjeve,vrasjeve, dëbimeve dhe i geonicidit 150 vjeçar, dhe për të gjitha këto serbët nuk kanë kërkuar as falje.

Është detyrë kombëtare e çdo shqiptari, e çdo politikani e pushtetari shqiptar dhe sidomos e dy shteteve shqiptare që të interesohen për bashkëkombasit e vet kudo që ndodhen ata.

Në rastin konkret Thaçi me të drejtë dhe me përgjegjësinë e detyrës së Presidentit të Kosovës interesohet me përkushtim dhe me përgjegjsi duke ndjerë dhe jetuar edhe me të drejtat e mohuara njerëzore e kombëtare, me problemet dhe shqetësimet reale që kanë shqiptarët e Kosoves Lindore.

Ai deklarohet me të drejtë se zgjidhja reale ,më e drejtë dhe përfundimtare është Bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën.

Prandaj unë e mbështes këtë qëndrim të tij dhe  jam kundër atyre të cilët realisht nuk kanë bërë asgjë dhe nuk janë në gjëndje që të bëjnë ndonjë gjë të duhur për problemin shqiptar të Luginës , përveçse  e kanë të lehtë dhe duan të duken  duke bërë zhurma mediatike shterpë , përçarëse,pseudoatdhetarizmi  dhe papërgjegjshmërie.

Shqiptarët e  Kosovës Lindore edhe sot nën Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Europë.

Prandaj edhe e mbështes deklarimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën dhe jam kundër atyre  intelektualëve, mediatikëve dhe  kundër  atyre politikanëve dritëshkurtër të Kosovës të  cilët për egoizëm ,xhelozi dhe për inate politike deklarohen kundër Presidentit Thaçi i cili kërkon me plotësisht të drejtë Bashkimin e Komunave shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Ndërsa politikanëve të Shqipërisë nuk është për tua vënë re kundërshtimin e tyre pasi ata gjithnjë kanë bërë politikën e njerkës me shqiptarët e Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare jashtë Shqipërisë. Tirana as sot nuk interesohet për shqiptarët dhe për Çamërinë shqiptare  dhe jo më  për Kosovën Lindore. Thaçi, politika, qeveria dhe shteti  i Kosovës  nuk do ta lejojnë që Kosova Lindore ta pësojë fatin e pastrimit etnik si e ka pësuar Çamëria dhe më heret Toplica.

Unë gjithashtu jam deklaruar  ndër të parët  edhe kundër instalimit të Gjykatës Speciale në Kosovë si një ndërmarrje e padrejtë dhe diskriminuese ndërkombëtare, si një akt disproporciteti sepse nuk është vepruar kështu me serbët , me autorët e vërtetë të krimeve  dhe të genocidit mbi shqiptarët e Kosovës ,por u ngrit një gjykatë për të gjykuar viktimat e krimit dhe të genocidit.

Unë në këtë shkrim nisem nga fakti se duhet bërë shumë ,dhe duhet përkushtim që të mos i braktisim bashkëkombasit tanë të Kosovës Lindore ashtu sikur është bërë deri më tani, por është momenti historik që të mund të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të duhur për bashkëkombasit tanë atje. Këtë duhet ta shikojmë si përgjegjsi kombëtare pavarësisht se Kosova  dhe Shqipëria sot ballafaqohen  me shumë probleme e pasoja të pakëndshme që vijnë nga keqpolitika, keqqeverisja, nga korrupsioni  dhe nga padrejtësia e drejtësisë.

Çështja kombëtare është parësore dhe duhet mbështetur çdo nismë e inisiativë që i shërben asaj, në rastin konkret zgjidhjes së problemit shqiptar të Kosovës Lindore, pa marrë parasysh se nga cili personalitet politik e shtetëror vjen ajo, dhe pa marrë parasysh edhe nga cila politikë propozohet, përkrahet e mbështetet ajo.

Duke u nisur jo nga preferenca politike dhe as nga konsiderata  dhe as nga simpati personale por nga ndjesia kombëtare së pari, ja pse edhe e mbështes Presidentin Thaçi për Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën:

1-Thaçin e mbështes në kërkesën e tij e cila përputhet me Referendumin e shqiptarëve të Kosovës Lindore të vitit 1992 ku ata deklarohen edhe për Bashkimin me Kosovën, së cilës kjo krahinë i përket.

2- E  mbështes sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore, janë komuniteti më i diskriminuar në Europë ku shkelen liritë dhe të drejtat njerëzore si dhe ato kombëtare, pasojë e të cilave është pastrimi etnik dhe boshatisja në vijimësi edhe sot e këtyre viseve shqiptare nga popullsia shqiptare e këtyre trevave ,pasi shqiptarët atje trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

3- Tirana dhe Prishtina deri më sot nuk kanë treguar interesim dhe as qasje serioze për të ndihmuar, përkrahur e mbrojtur bashkëkombasit e vet në trojet e tyre në Kosovën Lindore përveçse sipërfaqësisht sa për të kaluar radhën dhe vetëm në mënyrë deklarative dhe emocionale kur ndonjë kryetar partie nga Tirana dhe personalite shtetëror nga Shqipëria :Kryeministër, President apo Kryekuvendar  i kanë  pritur  në Tiranë apo  i kanë vizituar shqiptarët në Preshevë, dhe janë mjaftuar  vetëm me kaq .

Vetëm tani disa politikanë dhe intelektualë nga Shqipëria kanë filluar të flasin për reciprocitet të Veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës pasi më parë as këtë reciprocitet as nuk e kanë përmëndur.

Pra, kërkesa e Thaçit për Bashkim të Luginës me Kosovën e ndërshqiptarizoi problemin shqiptar të Kosovës Lindore pra e bëri problem kombëtar gjithshqiptar , si dhe aq më tepër edhe e ndërkombëtarizoi atë ashtu siç e ka bërë më parë UÇPMB-ja, ashtu sikurse që e bëri dhe e ndërkombëtarizoi  si kurrë më parë në histori Kosovën dhe Çështjen Shqiptare  Lufta e Lavdishme dhe Heroike e UÇK-së.

4-E mbështes Presidentin Thaçi  për faktin se përderisa nuk ka barazi dhe reciprocitet në krahasim me atë se çfarë lirish dhe të drejtash ka minioriteti serb në Kosovë me atë se çfarë kanë shqiptarët e Kosovës Lindore, ku serbët në Kosovë gëzojnë liri dhe të drejta si asnjë minoritet tjetër në asnjë vënd të botës, dhe përderisa nuk ka as gjasa që shqiptarët  autoktonë në trojet stërgjyshore të tyre  në Kosovën Lindore (sot akoma nën Serbi)  që  t’i fitojnë e t’i kenë po ato liri dhe të drejta të cilat i ka minoriteti  i kolonëve serb në Kosovë, atëhere dhe prandaj është më se e drejtë që Kosova Lindore t’i  bashkohet trungut të saj, Kosovës.

5- Thaçi ka plotësisht të drejtë kur kërkon  Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën edhe si një sfidë ndaj Europës e cila sillet me dy standarte: ku nga njëra anë kërkon dhe mbron me fanatizëm minoritetin serb në Kosovë dhe nga ana tjetër bën shurdh-memecin dhe toleron diskriminimin serb të shqiptarëve të Kosovës Lindore, dhe prandaj mbrojtja dhe zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare për trojet dhe shqiptarët e Kosovës Lindore është bashkangjitja e saj me Kosovën.

6Agjenda “Thaçi” për Bashkimin e Kosovës Lindore  me Kosovën e cila është një e drejtë kombëtare e jona ka rëndësinë e saj të jashtëzakonshme  të bërë ndonjëherë nga një politikan  dhe përfaqësues i rangut të lartë shqiptar për Kosovën Lindore, dhe është ajo: Thaçi me këtë kërkesë legjitime si  President  dhe  si një politikan i besueshëm ndërkombëtarish, i  guximshëm dhe real e ka ndërkombëtarizuar si kurrë më parë në Europë dhe më gjërë Çëshjen Shqiptare të  Kosovës  Lindore   e cila kërkon zgjidhje në kuadër të zgjidhjes së Çështjes së pazgjidhur në Ballkan,  që është Çështja Gjithkombëtare Shqiptare.

Zgjidhja  e të pazgjithshmes që është akoma  Ballkani, ku kryesore është Çështja Shqiptare,  përkrahet dhe mbeshtetet edhe nga aleati strategjk dhe miku i madh i shqiptarëve , SHBA-të, pa rolin vendimtar të tyre nuk do të ishte çliruar dhe as krijuar shteti i Pavarur i Kosovës që kemi sot.

Këtë duhet ta kenë mirë parasysh politika dhe politikanët shqiptarë si në Prishtinë dhe në Tiranë për të cilët kam një pyetjese se:  a janë ata në gjëndje të bëjnë integrimin e Veriut shqiptar të Kosovës në shtetin shqiptar të Kosovës, dhe a janë ata në gjëndje për t’i siguruar, garantuar e mbrojtur liritë dhe të drejtat qytetare dhe kombëtare të bashkëkombasve të tyre në Kosovën Lindore apo edhe a janë ata në gjëndje për ta bërë vetë ata këtë me strategji politike e diplomatike , apo ta bëjnë edhe me luftë mbrojtjen dhe Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën pa mbështetjen e SHBA-ve?!

(Skënder Sadri KAPITI , Durrës. Autor i Librit “TRIUMFI I KOMBIT”)

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …