kek
MIT
Airport Adem Jashari
tv dielli
Fillimi / Intervista / Skënder Plasari: Heqja nga ekrani e filmave të sistemit monist, jo e drejtë, jo e bazuar, jologjike dhe tinëzare
Skënder Plasari: Heqja nga ekrani e filmave të sistemit monist, jo e drejtë, jo e bazuar, jologjike dhe tinëzare

Skënder Plasari: Heqja nga ekrani e filmave të sistemit monist, jo e drejtë, jo e bazuar, jologjike dhe tinëzare

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Albert Z. ZHOLI

Sot, pas 27 vjetësh, shumë njerëz që në regjimin komunist kanë qenë të vegjël apo nuk kishin lindur ende, nuk e konceptojnë dot se në atë regjim, përveç estradave të qyteteve kryesore, kishte Estradë Shteti, Estradë të Ushtarit, madje edhe Estradë të Kufirit. Dhe më e bukura është se kjo trupë jepte shfaqje në të 220 pikat kufitare të vendit,  nga veriu në jug të tij. Herë në borë dhe herë në temperatura deri 40 gardë, kjo estradë i binte cep më cep Shqipërisë që t’i bënte të qeshnin sadopak dhe ushtarët tanë të kufirit. “Me Estradën e Kufirit, shfaqjen më interesante e kemi dhënë në viti 1955 para robërve grekë”, rrëfen vetëm një detaj nga ekzistenca e saj ish-aktori dhe regjisori Skënder Plasari, në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”. Duke shtuar më tej edhe faktin sesi kjo estradë kishte në përbërje të saj muzikantë të klasit të lartë si Agim Krajka, apo edhe koreograf të kalibrit të lartë si Bekim Zekthi…

Ju keni qenë qysh në krijimin e Estradës së Kufirit. Kur zë fill kjo estradë?

Kjo estradë zë fill në fund të vitit 1952 dhe në fillim të vitit 1953. Pra, u krijua nga Ministria  Punëve të Brendshme me qëllim që të jepnim shfaqje në të gjitha pikat e kufirit në Shqipëri. Mesa mbaj mend unë, ka pasur mbi 220 pika kufitare nga Vermoshi në Konispol. Unë në vitin 1952 shkova ushtar dhe aty me mobilizimin më bënë pjesë të Estradës. Mund të them se kemi shkuar në të gjithë territorin e Shqipërisë e pse terreni ishte mjaft i vështirë e shpeshherë rrugë pa rrugë.

Sa ishte personeli i Estradës së Kufirit?

Ishte afërsisht 40 vetë. Kishim këngëtarë, kishim valltarë, por edhe balerin. Pa diskutim, që orkestra ishte e nivelit shumë të lartë. Ishim një trupë e kompletuar, madje ashtu siç ishte edhe Estrada e Shtetit apo Estrada e Ushtarit. Atë kohë kishte shumë aktivitete kulturore.

Nga të gjitha shfaqjet që keni bërë, cila ju ka mbetur më shumë në mendje?

Ah, po! Ka qenë shfaqja e vitit 1955 në Burrel. Në atë kohë, në Burrel ishin robërit e EAMI-t grek, të cilët jetonin në një kamp pune. Ishin vite të vështira. Në mos gaboj, ka qenë korriku i këtij viti kur na thanë që të shkojmë të japim një shfaqje për robërit grekë, të cilët do të këmbeheshin me robërit shqiptarë. Kur shkuam atje, pamë njerëz që ishin katandisur si kufoma. Nga të pangrënët, ata kishin humbur dhe ngjyrën njerëzore. Njëri prej tyre dinte italisht. Fillova të flisja me të, teksa më qante hallin. Më tregonte se nuk zbatoheshin kurrë Konventat Ndërkombëtare për të drejtat e robërve. Punonin 10 orë me kazmë dhe lopatë sa rropateshin për hapje kanalesh apo rrugësh dhe kishin një trajtim të keq. Madje më tregonte se para disa kohësh në kamp kishte vdekur edhe një prift e ata e kishin mbajtur aty 10 ditë të vdekur vetëm për t’i marrë racionin e bukës… Vetëm kur kufoma filloi të binte erë e treguan si ngjarje tek drejtuesit e kampit. Ata u habitën me këtë situatë, gjë që tregonte se kujdesi ndaj tyre ishte fare i papërfillshëm. Më pas, më bëri me shenjë se i binte violinës dhe më kërkoi që t’i thosha violinistit tonë që t’ia jepte t’i binte. E mori në duar dhe filloi të qajë. Gishtat i ishin trashur dhe i ishin çarë. Duart i dridheshin. Violina nuk i bindej… Filloi t’i binte, por më kot. Filloi të më shpjegonte se kishte mbaruar Konservatorin e Athinës. Madje e kishte mbaruar shkëlqyeshëm dhe ishte një ndër violinistët më të mirë në  Athinë. Por ja që lufta kishte bërë të vetën dhe tani nga një violinist ishte katandisur në një rob lufte. U sforcua dhe njëherë që t’i binte një pjese, por siguria e duarve ishte jashtë kontrollit. “Eh, – tha, – kjo puna ime është si e një pjate me qumësht. Duket shumë e bardhë, shumë. E bardhë pjata, i bardhë qumështi, por ja bie një copë baltë e zezë padashur nga ambienti e gjithë ajo bukuri prishet. Magjia zhduket e të duket si diçka për të vjellë. Kështu është dhe puna ime. Tani pa bërë fare prova, pa kapur violinë për muaj të tërë, dukë bërë punë të rëndomta, ajo bukuri e artit tim është zhbërë, është bërë si qumështi me copën e blatës”. E filloi sërish të lotojë… Kur do iknim, violinisti grek m’u afrua dhe tha: “Ne jemi artistë, por fajet i kanë politikanët, ata na hedhin në luftë. Ne popujt shpesh herë biem viktima të politikave të gabuara. Kështu është bërë jeta e popujve, pre e politikanëve egoistë dhe psikologjikisht të sëmurë…”.

Si u prit shfaqja?

Shfaqja u prit shumë mirë me ato mundësi kuptimi që kishin, por këngët duartrokiteshin pasi kënga është tingull, melodi, është e përbotshme.

Në Estradën e Kufirit kishte edhe nga emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare dhe koreografisë. Cilët kanë qenë ata?

 

Kanë qenë shumë, por unë do të përmend dy emra. Kompozitorin e shquar, Agim Krajka dhe koreografin e madh, Besim Zekthi. Ata u formuan në këtë estradë dhe pastaj u bënë ndër njerëzit më të shquar të fushave përkatëse në artin shqiptar. Ishin të dy njerëz me talent, njerëz me ambicie profesionale që i shikoje gjithmonë në punë, orar e pa orar.

Kur shkonit në postat kufitare të veriut dhe kur në pikat e jugut?

Në pikat e jugut dhe ato bregdetare shkonim gjatë dimrit dhe vjeshtës pasi mund ta kalonim  më lehtë. Ndërsa në pikat kufitare të veriut dhe verilindjes shkonim në verë, kur kishte shkrirë bora dhe klima ishte më e ngrohtë. Në kushtet e dimrit kurrë nuk mund të shkonim në ato posta.

Po në Tiranë, a jepnit shfaqje për publikun e gjerë?

Posi jo. Kur nuk shkonim në pikat kufitare, ne jepnim shfaqje në Tiranë, për publikun e saj dhe shfaqjet i jepnim tek salla e kinemasë, aty ku është sot Partia Socialiste. E them me bindje se salla ku jepnim ne shfaqje mbushej plot e përplot, shumë herë më shumë se salla e Estradës së Shtetit.

A vinin udhëheqës të kohës në këto estrada?

Po. Di që për Estradën tonë interesohej Kadri Hazbiu, pasi ishte në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Kujdesi dhe interesimi ndaj artit ishte maksimal.

Cili është problemi më i madh i filmit shqiptar sot?

E para, se i njëjti person për të fituar më shumë, bën edhe regjisorin, bën edhe skenaristin, madje merr edhe ndonjë rol. Pra, regjisori bëhet skenarist, e skenaristi regjisor dhe aktor. Amalgamë rolesh që asnjëherë nuk çojnë për realizim të një filmi cilësor.

QËNDRIMI

“Heqja e filmave të sistemit monist? Jologjike e tinëzare”

 “Nëse kam dëgjuar një gjë që është katërcipërisht jo e drejtë, jo e bazuar, jologjike dhe tinëzare, është pikërisht ky mendim. Ne e dimë si i kemi realizuar ata filma. Ne e dimë sa jemi lodhur dhe sa na kanë kushtuar. Ka ideologji? Po, ka siç ka ideologji dhe në shumë filma gjermanë që jepen për Hitlerin, apo në shumë filma italianë ku përmendet Duçja. Ti shiko çka të pëlqen, merr atë çka të duhet. Si mund të hiqet një histori 50-vjeçare nga kujtesa e një populli? Mund të them se ata që hedhin tymuese të tilla, nuk janë marrë kurrë me filmin, nuk kanë parë sesi realizohet një film. Ata gjuajnë me gurë punën, djersën, mundin e të tjerëve për të mbrojtur vendin e tyre të punës apo të identifikohen si njerëz vizionarë për kohën. Çfarë do t’u thuhet brezave pas 50-100 vjetësh? Se nuk ka pasur Kinostudio “Shqipëria e Re?? Do t’u thuhet se nuk ka pasur aktorë, regjisorë, shqiptarë? Ata filma artistikisht janë shumë lart, përveç ndonjë ideologjizmi të papërshtatshëm për kohën e sotme, por ata filma mund t’i shikosh shumë mirë familjarisht. Ka shumë filma edukativë mes tyre. Kinostudio ka një datëlindje dhe atë nuk mund të shuajë dot asnjeri nga historia, kushdo qoftë. Ndaj të jemi më të ekuilibruar kur marrim nisma të tilla që godasin historinë dhe kulturën e vendit tonë. Po them diçka me shumë bindje: Filma të saj kohe me skena masive dhe me personazhe të panumërta zor se mund të realizohen sot. Çfarë i kujtohet Kinostudios “Shqipëria e Re”? Asgjë. Iku ai shkëlqim. Mund të them që gjithë ato materiale, si veshje, armë, makina, stolira, apo veshje popullore ishin një pasuri e jashtëzakonshme që sot nuk dihet ku janë. Ato sot mund t’u jepeshin me qira studiove të ndryshme filmike kudo në Europë, pasi ishin shumë të veçanta dhe që nuk gjenden”.

HISTORIA

“Skenari që më ka mbetur peng”

Çdo skenarist e ka ndonjë peng. Ka shumë të tjerë që kanë disa pengje. Skenaristi profesionist punon çdo ditë. Ideon skenare çdo ditë. Konkretisht, kam një skenar shumë interesant. Flet për ndihmën e madhe që i ka dhënë populli ynë ish-ushtrisë italiane në Shqipëri, pas kapitullimit të fashizmit. Shumë ushtarë u inkuadruan në radhët e Luftës Nacional-Çlirimtare, por shumë të tjerë u mirëpritën nga familjet shqiptare. I pritën dhe i strehuan. Shumë prej tyre filluan edhe të punojnë nëpër familje. Në atë kohë, ne familjarisht ishim në Qeparo. Unë isha i vogël dhe në një pyll aty afër pashë një ushtar italian të fshehur. U thashë në familje dhe ne e ofruam në shtëpi. Ai ishte kirurg. Në Qeparo hapi një dhomë si infermieri. I ndihmonte shumë fshatarët. Por pas thirrjes që bënë anglezët që ushtarakët e lartë italianë do t’i merrte një nëndetëse që do vinte në zonën e Himarës, ai donte të largohej. Largimi qe fatal pasi nëndetësja ishte gjermane dhe i vrau të gjithë ata që kishin mundur të afroheshin në vendin e pritjes. Një histori e pabesueshme kjo deri në fantazi. Por ka një realitet shumë tronditës, shumë shpërthyes. Skenarë të tillë i mungojnë shumë filmit të sotëm shqiptar. Por ky është fati i tyre, fati i shumë skenarëve të bukur që flenë në sirtarët tanë…

Kontrolloni gjithashtu

Sabedin Sherif Sherifi: Në lagjen tonë nga 25 shtëpi kishte 23 luftëtarë të UÇK-së, tre nga ata janë dëshmorë

Sabedin Sherif Sherifi: Në lagjen tonë nga 25 shtëpi kishte 23 luftëtarë të UÇK-së, tre nga ata janë dëshmorë

( Intervistë me Sabedin Sherifin, djali i dëshmorit të kombit, Sherif Sherifi) RKL: Mirë se ...