Skënder S. Kapiti

Skënder S.KAPITI: Janë të patolerueshme epitetet fyese si “lopë” e “gomarë” të Edi Ramës për politikanët e Kosovës

Shqiptarët e Kosovës gjithnjë e kanë admiruar Shqipërinë dhe e kanë konsideruar atë si Shtet Amë, prandaj dhe për këtë  edhe u kanë besuar verbërisht  e deri në fanatizëm edhe politikës e pushtetit në Shqipëri edhe pse ata nuk është se kanë pasur ndonjëfarë respekti e përgjegjshmërie serioze për Kosovën .

Shqiptarët e Kosovës i kanë dashur dhe besuar të gjithë politikën dhe pushtetet në Shqipëri   pa marrë parasysh se cili udhëheqës dhe cila politikë ka sunduar në Tiranë. E kanë respektuar çdo pushtet dhe politikë në Shqipëri pasi e kanë dashur gjithmonë Shqipërinë më shumë se sa jetën e tyre.

E kanë dashur  dhe e duan Shqipërinë  pavarësisht se Shqipëria politike kurrë nuk është interesuar seriozisht për mbrojtjen e lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës; pavarësisht se edhe kurrë Shqipëria nuk ka bërë dhe as nuk ka hyrë në luftë me Serbinë për Kosovën.

E kanë dashur dhe respektuar Shqipërinë, shtetin dhe politikën shqiptare edhe pavarësisht se Shqipëria asnjëherë zyrtarisht dhe politikisht e diplomatikisht në asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka bërë kërkesë për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërkohë që për mbi një shekull shqiptarët e Kosovës kanë sakrifikuar aq shumë për bashkimin Kombëtar dhe se shqiptarët e Kosovës edhe e kane mbrojtur Shtetin Amë të Shqipërisë, Sovranitetin e saj kundër të gjitha përpjekjeve dhe synimeve serbo-sllave dhe greke për ta asgjësuar edhe Shqipërinë si shtet.

Respekti i madh që kanë shqiptarët e Kosovës për shqiptarët e Shqipërisë, për Shqipërinë dhe për politikën dhe pushtetin në Shqipëri të cilin e zgjedh populli shqiptar i Shqipërisë  kjo nuk do të thotë  që shqiptarët e Kosovës duhet ta tolerojnë p.sh.kryeministrin e Shqipërisë që të shprehet në mënyrë kaq të ulët duke i quajtur politikanët e Kosovës disa muaj më parë lopë që e derdhin qumështin , për Demarkacionin dhe pse ata kërkonin shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kur i quan politikanët kështu duhesh të matesh mirë se po fyen jo vetëm politikanët kosovarë por edhe qindra mijra shqiptarë të tjerë të cilët luftuan dhe derdhën gjakun për liri dhe për pavarësi. Nuk ka guxuar që ta bëjnë këtë fyerje as europianët por as edhe serbët dhe këtë e bën në mënyrë të papërgjegjshnme një Kryeministër shqiptar.

Ai duhet të matet shumë kur të flasë. Kjo tregon se sa respekt e ndjesi ka kryeministri i Shqipërisë për Kosovën dhe për shqiptarët e Kosovës, kjo tregon se sa  ai e njeh Shtetin dhe Pavarësinë e Kosovës dhe sa sa i dhimbset atij Kosova .

Ai duhet ta dijë  mirë se shtet i Pavarur do të thotë shtet  i cili ngre dhe ndërton institucionet  shtetërore të pavarura të tij pra edhe gjykatën, edhe drejtësinë vendore , dhe jo drejtesi të varur nga kushdoqoftë i huaj, qoftë edhe nga  BE-ja.

Po kështu edhe me rastin e festës së Pavarësisë Kryeministri i pakorigjueshëm i  Shqipërisë  fyen shumë rëndë politikanët e Kosovës duke i quajtur ata gomarë, ata të cilët kundërshtojnë  dhe nuk janë dakord me Thaçin , me presidentin e Kosovës.

Ky është faj i rëndë për të , pasi shumica e jo vetëm politikanëve kosovar, por edhe shumica dërrmuese e intelektualëve dhe e shoqërisë kosovare janë shprehur kundër  korigjimit të kufijve dhe kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Askujt nuk i lejohet që të ofendojë e të injorojë kombin e vet, as pjesë  të  të tij të cilët kundërshtojnë dhe nuk janë dakord me politikën e pozitës apo të opozitës , as ata të cilët kundërshtojnë qeverinë apo Presidentin.

E pyes Edi Ramën se si do të ndjehej ai dhe opozitarët e drejtuar prej tij sikur një Kryeministër i Kosovës t’i quante  gomar atë  dhe ata të cilët kanë qenë dhe kanë protestuar dhe janë akoma kundër pushtetit të ish-pozitës dhe të Sali Berishës?!

Politikani apo pushtetari i cili fyen dhe ofendon politikën dhe politikanët e zgjedhur nga populli njëkohësisht fyen edhe ata prej të cilëve janë votuar e zgjedhur  prej tyre.

Kur fyen një pjesë të kombit ke fyer tërë Kombin.

Shteti dhe pushteti i cili e drejton atë është i paanshëm dhe respekton dhe  u shërben të gjithëve njëlloj, aq më tepër që Kosova është shtet i Pavarur dhe nuk ka nevojë  as për patronazhin  dhe as për këshillime dhe ofeza të tilla që i bën vetëm njerka.

Unë jam një nga ata, por i paangazhuar politikisht, i cili kam mendimin tim që përputhet me atë të Thaçit që Kosova Lindore, t’ i bashkohet Kosovës në mënyrë që shqiptarët e atjeshëm të mos mbesin përgjithmonë nën Serbi, madje e kam shprehur këtë ide shumë vite para Thaçit, por kjo nuk do të thotë që unë të ndjehem mirë  politikisht  dhe as nuk duhet ,dhe askush , asnjë shqiptar nuk ka nevojë për një “mbështetje” të tillë të idesë së Thaçit me të tilla fjalë fyese të cilat ofendojnë rëndë shumicën  e politikës e politikanëve shqiptarë dhe të shoqërisë  kosovare të cilët me të drejtë kërkojnë pacënueshmërinë territoriale, mosndarjen e  Kosovës, nëse Thaçi e ka këtë si ide tinëzare dhe të padeklaruar akoma.

Ofendimi që iu bë politikanëve të Kosovës nga Kryeminisrtri shqiptar, prej tij ndjehet keq  çdo shqiptar i Kosovës.

Se sa dashamirës është kryeministri i Shqipërisë për Kosovën dhe për kosovarët e ka treguar edhe rasti i taksës së” Rrugës së Kombit” për të cilën jo vetëm se nuk u konsultua me politikën dhe me qeverisjen kosovare por nuk u pyet askush për të edhe as në Shqipëri madje. Me këtë taksë të lartë ky kryeministër pseudopatriot  i gjobit shqiptarët e Kosovës edhe për të ardhur dhe për ta festuar Festën Kombëtare të Pavarësisë në Tiranë dhe në Vlorë.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …