Me rastin e ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, një nga luftëtarët e orëve të para, bashkëluftëtari i Adem dhe i Hamëz Jasharit e i shumë e shumë luftëtarëve të lirisë, ka reagur kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl latifi me një postim në rrjete sociale.
“Një nga luftëtarët e orëve të para, bashkëluftëtari i Adem dhe i Hamëz Jasharit e i shumë e shumë luftëtarëve të lirisë, nuk jeton më fizikisht mes nesh, por ai dhe vepra e tij do të jetojnë ndër breza.
Sahit Jashari nga Prekazi i Drenicës, me veprën e tij në shërbim të lirisë së atdheut të robëruar, është i pavdekshëm.
Pa angazhimin vetmohues të Sahit Jasharit dhe të brezave që luftuan për çlirimin e Kosovës, pa burra si Ai, UÇK-ja nuk do të ishte organizata që u kthye në simbol të luftës dhe të lirisë, NATO-n nuk do ta kishim aleate në realizimin e qëllimit tonë për liri, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe shtetin nuk do ta kishim sot.
E kam takuar dhe njohur edhe në rrethana lufte, jam takuar shpesh edhe pas luftës, së voni jemi takuar vitin e kaluar në Shqiponjë (Jabllanicë), në përvjetorin e çlirimit, më 17 maj.
Njeri i mirë e i fortë si guri, i dashur e i afërt.
Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Sahit Jasharit, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën!
U prehsh në paqe, komandant Sahit Jashari!
Emri dhe vepra e juaj janë të gjallë, thuhet në postimin e kryetarit të Rahovecit, z. Smajl Latifi.