Sipas të dhënave të publikuara të premten në orën 09:00, procesi ka përfunduar në 35 nga gjithsej 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN). Nga 2,498 vendvotime në nivel vendi, janë procesuar 2,349 prej tyre, që përbën 94.04% të totalit.

Megjithatë, numërimi dhe verifikimi nuk ka përfunduar ende në tri komuna të mëdha: në Gjilan janë procesuar 112 nga 127 vendvotime, në Prizren 202 nga 232, ndërsa në Prishtinë 158 nga 262 vendvotime.

KQZ bën të ditur se gjatë ditëve të kaluara procesi është përmbyllur me faza në të gjitha komunat e tjera, duke filluar nga komunat më të vogla më 8 qershor, për të vazhduar me shumicën e komunave gjatë 9 dhe 10 qershorit, ndërsa më 11 qershor janë përmbyllur edhe disa nga komunat më të mëdha si Ferizaj, Gjakova, Mitrovica e Jugut dhe Vushtrria.