NATO ka paralajmëruar zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Kosovë, duke argumentuar se situata e sigurisë në vend po përmirësohet vazhdimisht.
Vendimi për reduktimin e trupave të KFOR-it vjen pas një shqyrtimi të plotë dhe një vlerësimi të bazuar në inteligjencë të situatës së sigurisë.
“Ndërsa siguria në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe do të përshtatë gradualisht nivelin aktual të forcës së tij gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatën e Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).
Në komunikatë rikujtohet se numri i ushtarëve të KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në përputhje me rrethanat në terren. Megjithatë, pas dhunës në veri të Kosovës në vitin 2023, ky numër u rrit me afro 1.000 trupa shtesë.
“Me situatën e sigurisë tashmë të stabilizuar, prania e KFOR-it mund të përshtatet sipas rrethanave, duke vazhduar të garantojë në mënyrë efektive një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin afatgjatë të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në komunikatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
