leoni

Smajl Xhemail Bazaj (31.5.1981 – 5.3.1998)

Smajl Xhemail Bazaj (31.5.1981 – 5.3.1998)

Në mëngjesin e datës 5 mars të vitit 1998, forca të mëdha të policisë serbe sulmuan vatrën e nderit shqiptar në Prekazin legjendar, duke rrethuar nga të katër anët lagjen Jashari. Cak i sulmit, përveç shtëpisë së Komandantit Legjendar Adem Jashari, ishte edhe shtëpia e Hamit Jasharit, jo vetëm pse edhe vetë ai shumë herë më parë i kishte thyer heshtat me armikun serb, por edhe pse dy bijtë e tij, Musa dhe Sahiti ishin bashkëluftëtarë të devotshëm të Adem Jasharit. Prandaj, fillimisht në drejtim të shtëpisë së Hamit Jasharit ishin nisur dy tanke të forcave serbe. Ato i kishte vërejtur luftëtari Valdet Jashari, i cili atë natë kishte bërë roje, prandaj së shpejti për këtë ngjarje i njofton luftëtarët dhe anëtarët e tjerë të familjes, brenda në shtëpi. Pa pritur që makineria serbe t’i afrohen më shumë shtëpisë, luftëtarët e ndodhur aty, nisin rrufeshëm breshërinë e gjuajtjeve kundër saj. Ndërkohë, gjuajtjet fillojnë edhe nga shtëpitë-kala të Shaban Jasharit e Sadik Jasharit. Edhe trupat ushtarake e policore të Serbisë po sulmonin në drejtim të shtëpive të rrethuara, nga të gjitha llojet e armatimit të rëndë. Në ato çaste filloi jo një betejë, por lufta e gjatë midis forcave çlirimtare shqiptare dhe atyre pushtuese serbe, e cila luftë nuk pushoi deri në largimin e pushtuesit serb nga Kosova, më 20 qershor të vitit 1999 dhe në dhënien fund të sundimit të egër serb gati njëshekullor.
Luftimet në Prekaz zgjatën tri ditë pa ndërprerë, më 5, 6 e 7 Mars 1998, ku luftëtarët dhe familjarët e familjve Jashari, duke përfshirë edhe fëmijët dhe pleqtë qëndruan deri në fishekët e fundit. Në atë vend të shenjtë therori, në altarin e lirisë ranë 12 anëtarë të familjes së Hamit e Sadik Jasharit dhe tre luftëtarë të tjerë të cilët që nga sulmi i mëparshëm policor kundër Familjes Jashari, më 21 janar të vitit 1998, nuk i ishin ndarë kësaj familjeje, duke qenë të gatshëm për beteja të reja. Ata ishin Fatime Bazaj e Smajl Bazaj, motër e vëlla, nga fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i Drenasit dhe nipi i Hamit Jasharit, Isak Halili nga Dubovci i Drenasit. Vëllai i Isakut, Sadiku, i cili po ashtu ishte në mbrojtje të dajave, mori plagë lirie.
Dëshmori Smajl Bazaj është i lindur më 31 maj të vitit 1981, në fshatin Qëndresë të Drenasit. Prindërit e tij, Xhemaili e Zadja kishin lindur e rritur dhjetë bij e bija: Xhavitin, Miniren, Zyrafeten, Ukën, Hajrinë, Fatimen, Smajlin, Shqipen, Afërditën dhe Ardionin. Dy prej fëmijëve të tyre ata i kishin rritur për t’ia falur lirisë së Kosovës: Smajlin e Fatimen.
Smajli e kishte kryer shkollimin fillor në shkollën “Zenel Hajdini” të fshatit Qëndresë. Pastaj kishte vijuar mësimet e arsimit të mesëm, në shtëpitë-shkolla, meqenëse objekti publik i shkollës së mesme në Drenas tashmë mbahej i pushtuar nga organet e pushtetit serb, të cilat nuk i lejonin fëmijët shqiptarë të hynin në të për shkak se në vitet ’90 të shekullit 20 ato kishin vënë në zbatim politikën raciste të apart’heidit kundër shqiptarëve. Rrethanat e krijuara ishin reflektuar fuqishëm në mendjen dhe ndërgjegjen e të riut nga Qëndresa, duke shtuar urrejtjen kundër pushtuesit serb dhe vendosmërinë për ta luftuar atë. Në këto ndjenja të tij, pa dyshim kishte ndikuar historia e kaluar e brezave të familjes Bazaj. Gjyshi i Smajlit, Ukë Nebihi (Bazaj) kishte bashkëluftuar me Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën. Ai ishte ekzekutuar nga ushtria serbe në vitin 1945, kur pas shpalljes së kryengritjes në Drenicë, si e përfunduar, Uka si edhe shumë kryengritës të tjerë ishte kthyer nga arratia në shtëpi, por forcat e pushtusit e kishin kapur dhe e kishin ekzekutuar. Së bashku me Ukën, kundër forcave serbe e malazeze kishte luftuar edhe vëllai i tij, Dërvishi, i cili si “bakshish” nga plaga e marrë u detyrua ta mbajë në trup plumbin deri në fund të jetës. Ishte ekzekutuar me prerje koke edhe kushëriri i tij, Ferizi si dhe shumë burra të tjerë të familjes Bazaj të fshatit Qëndresë.
Në formimin atdhetar të Smajlit kishin ndikuar edhe lidhjet familjare me familjen Jashari nga Prekazi dhe tradita e saj e organizimit për ta sfiduar armikun. Meqenëse Musa Jashari, bashkëpunëtor dhe kushëri i afërt i Komandantit të formacioneve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, ishte i martuar me motrën e Smajlit, ndonëse i ri, ky i fundit kishte mundësi të ishte në rrjedhë të ngjarjeve rreth organizimit të rezistencës kombëtare dhe të frymëzohej e angazhohej edhe vetë për të dhënë kontributin për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb.
Lidhjet e Smajlit me familjen Jashari të Prekazit u forcuan edhe më tepër në momentin kur ai u martua me vajzën e Qerim Jasharit, axhës së Musë Jasharit, Hatixhen. Qiftit të ri së shpejti u lindi edhe vajza të cilën e pagëzuan me emrin Xhejlane. Duke pasur tashmë lidhje të dyfishtë me familjen e veprimtarëve Musa e Sahit Jashari, Smajli e kishte bërë shtëpinë e tyre, pothuajse si shtëpinë e tij të dytë. Atmosfera e Prekazit kishte ndikuar që fryma atdhetare të depërtonte edhe më fuqishëm në edukatën e tij. Prandaj, pas sulmit të forcave serbe kundër Familjes Jashari në Janar të vitit 1998, Samjli dhe motra e tij, Fatimja, pothuajse përherë qëndruan në Prekaz, në pritje të ndonjë sulmi të ri, me qëllim të mbështetjes së rezistencës së luftëtarëve të UÇK-së. Ata tashmë ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jemi të vendosur të rezistojmë dhe nuk do të dorëzohemi deri në vdekje!”. Këto fjalë ua kishte thënë Smajli në bisedë telefonike vëllezërve të tij, Xhavitit e Ukës, të cilët ishin duke punuar në Gjermani, vetëm një ditë para se forcat serbe të ndërmerrnin sulmin kundër lagjes Jashari, kur ata ishin interesuar të dinin se si qëndronte situata në Prekaz. Këto fjalë burri e trimi Smajli i materializoi me aktin e tij të qëndresës dhe të flijimit në mbrojtje të tokës e të nderit shqiptar, në Prekaz, më 5, 6, e 7 Mars 1998. Ai qëndroi duke luftuar përkrah familjes së Hamit Jasharit dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë, deri në frymën e fundit dhe derisa shtëpia prej të cilës zbrazën tërë municionin që kishin, u bë hi e pluhur, duke i treguar pushtuesit serb se si qëndron shqiptari kur lufton për atdhe. Përkrah tij do ta ketë pasur edhe të motrën luftëtare, Fatimen.
Trembëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës, më 2011, pjesë të eshtrave të karbonizuar të dëshmorit Smajl Bazaj janë identifikuar në rrënojat e shtëpisë së Hamit Jasharit në Prekaz. Analiza e ADN-së ka vërtetuar se këta eshtra janë të trupit të tij. Pranë tyre ishin gjetur edhe mbetjet e dy revoleve, me të cilat kishte luftuar e rezistuar Smajli.
Në luftën çlirimtare të UÇK-së, nga rrethi i gjerë familjar me mbiemrin Bazaj nga Qëndresa kanë rënë edhe tre dëshmorë lirie: Bedri Bazaj, Ramiz Bazaj dhe Shefqet Bazaj. Nga serbët është vrar edhe Sokol Bazaj.
Në Varrezat e Dëshmorëve te Kompleksi Memorial Adem Jashari në Prekaz, ndodhen edhe Pllakat Përkujtimore të dëshmorëve Smajl Bazaj e Fatime Bazaj, si simbol i përjetësisë së kujtimit për ta dhe gjithë dëshmorët e kombit. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …