Sokol Dodani: Ka ardhur koha të mendohet ndryshe, nuk është vetëm BE-ja

Sokol Dodani: Ka ardhur koha të mendohet ndryshe, nuk është vetëm BE-ja

Thuajse gjithmonë, në të kaluarën e saj, Shqipëria është parë kryesisht si një pozicion gjeostrategjik,  por asnjëherë ajo vetë si faktor. Në të njëjtën përmasë që Bashkimi Europian, në tendencën e globalizimit  në ditët tona, nuk mundet të neglizhojë vendet ballkanike, është e nënkuptueshme që në të njëjtin raport simetrik,  nuk mundet të neglizhohet rëndësia e mendësisë europiano-perëndimore në ndërtimin e shoqërive të sotme ballkanike.

Kjo, sot, është thuajse e kuptueshme nga të gjithë, me përjashtim të klasës politike të një pjese të vendeve ballkanike e po ashtu asaj të botës shqiptare. Që nga momenti i rrëzimit të komunizmit dhe deri në pavarësinë e Kosovës, popullatat me origjinë shqiptare e kanë jetuar këtë periudhë si atë të padrejtësive të rikorrigjuara, të cilat po e shoqërojnë gradualisht në të ardhmen e saj.

Brenda këtij kuadri të përgjithshëm dhe plot shpresë, rinia shqiptare aspiron integrimin e vendit të saj në komunitetin evropian.Në marshimin e saj drejt BE, vështirësi të shumta ngrihen përpara shoqërisë shqiptare të shekullit të 21-të. Në bazë të kërkesave të BE, rolin kryesor për momentin, e zë reforma në drejtësi. Por ndërtimi i saj, duket sa i vështirë, po aq dhe i domosdoshëm për shoqërinë e ditëve tona.

Nga e kaluara e saj komuniste e deri në ditët e sotme, shoqëria shqiptare ka ngelur në atë që e quajmë «periudha e tranzicionit», që përkon me 27 vitet, nga fillimi i viteve ‘90-të deri në ditët tona. Deri në vitet 90, Shqipëria ishte një kopje konforme e  Bashkimit Sovjetik të periudhës staliniane të viteve 50-të. Bazuar në ndërtimin shoqëror dhe kryesisht  shtetëror të saj, ku të gjitha organizmat sociale ishin të ndërvarura nga roli drejtues i Partisë së Punës së Shqipërisë

Kjo omniprezencë e partisë, shtrirë në të gjithë sektorët e shoqërisë të asaj periudhe, midis të tjerash, kishte ndikuar edhe në fushën e drejtësisë. Por vlen për t’u theksuar që, pavarësisht se duket paradoksal, niveli arsimor i kësaj kohe do të dilte realisht më i lartë se gjithë tjetri, i ndërtuar në periudhën e tranzicionit.

 

 Një analogji historike

 

«Ka vetëm dy mënyra për të qeverisur italianët, me forcën e bajonetave apo me anë të korruspionit»  Viktor Emanueli II.

Duket që edhe Shqipëria në të shkuarën e saj të afërt, ka kaluar nëpërmjet këtyre dy stadeve; të diktaturës komuniste dhe në atë të korrupsionit të periudhës së tranzicionit.

Në fillimet e viteve ‘90-të, në vrullin e pakuptimtë për të shkatërruar gjithçka të ndërtuar deri atëherë, pushteti i ri, i drejtuar nga z. Berisha, (të thuash që demokracinë në Shqipëri e solli «heroi» ish-komunist Sali Berisha, është njësoj po aq absurde, si të thuash që rrjetin e internetit në Shqipëri e solli dashuria e madhe e Edi Ramës për teknologjitë e avancuara, por le të dalim jashtë kuadrit partizan dhe naiv), shkatërroi deri në themel dhe ndërtimin e sistemit të arsimit duke hedhur në këtë mënyrë, me lëngjet e lindjes, edhe vetë fëmijën. Një shembull historik po ashtu si në Italinë e shek XIX të viteve të para të bashkimit të saj, në  luftën e bërë kundër establishmentit të kohës dhe kryesisht atij austriak, shumë ish të burgosur u bënë gjyqtarë, drejtorë policie, prokurorë, prefektë etj., gjë që krijoi atë shtrat të përshtatshëm për forcimin e mafias në shoqërinë italiane, e cila po e paguan këtë plagë edhe në ditët tona. Po ashtu,  në Shqipërinë e viteve 90-ë, moskuptimi i ndërtimit të shtetit nga ana e klasës së re politike shqiptare, solli në formën e saj si drejtues paaftësinë e theksuar të individëve që morën drejtimin e saj në duar.

Fenomen ky që preku rëndë si metastazë kanceri sistemin tonë të drejtësisë. Në disa fusha te zhvillimit të shoqërisë të sotme kërkohet një akumulim i madh i njohurive dhe i kulturës profesionale.

Të bësh gjykatësin, prokurorin apo të tjerë ndërmjetës në fushën e drejtësisë, përmes kurseve 6 mujore, është njësoj si të emërosh mjek, dikë (një) të pakualifikuar dhe t’i thuash që do të bëhesh mjek, pasi të kesh aksidentuar e vrarë një shumësi pacientësh. Në këtë situatë absurdi e vuri fushën e drejtësisë në fillimet e tij Revolucioni Salist, Shqipërinë.

Por e keqja nuk mbaron me kaq. Në mesin e viteve 2000, sistemi i arsimit shqiptar ka qenë i prekur nga një tjetër sëmundje e rëndë; e ashtuquajtura «informaliteti i shkollave private» i cili shpërndau thuajse tërësinë e diplomave të tij, si rezultat i pagesave në para dhe jo  të eliminimit në bazë të kritereve të përgatitjes profesionale dhe intelektuale, të domosdoshme për të arritur këtë shkallë ngritjeje, që dhënia e diplomës akrediton. Mjafton të përmendim faktin që, thuajse një në pesë diploma të nivelit universitar, janë të fushës të drejtësisë, për të kuptuar non-sensin e shpërndarjes së këtyre diplomave. Dhe kështu, si rezultat, kemi gjyqtarë thuajse analfabetë, prokurorë pa shkollë të mesme (thuhet që në shkollën e mesme ku ka mbaruar ish-prokurori i përgjithshëm  Adriatik Llalla paskan mbaruar edhe të tjerë dhe për çudi, kjo shkollë na qenka djegur me gjithë regjistrat e saj).

Në këtë mënyrë gjithë shtresa e sistemit të drejtësisë shqiptare u përshkua nga një mungesë e theksuar aftësie, profesionalizmi dhe minimal të treguesve të drejtësisë bashkëkohore.

Por sëmundja e sistemit të drejtësisë shqiptare nuk kufizohet vetëm nga mos aftësia profesionale. Vetë ekonomia shqiptare e kësaj periudhe është e lidhur ngushtë me të ardhura të cilat vijnë në një pjesë të madhe nga trafiqet e të gjitha llojeve, proksenteizmi, pastrimi i parave etj, të cilat në ndërtimin e tyre të nëndheshëm gjetën fijet lidhëse me sistemin e drejtësisë.

Ky handikap i drejtësisë ka shërbyer në mënyrë të drejtpërdrejtë klasën e re politike shqiptare post-komuniste. Një drejtësi me dy shpejtësi është vendosur tashmë në realitetin e përditshëm. Përgjatë thuajse 20 vjetësh, por edhe më shumë, klasa politike shqiptare ka qenë e akomoduar më së miri me këtë sistem drejtësie (nga ku ajo legjitimoi gjithë abuzimet e bëra), i cili nuk arriti as edhe në një rast të vetëm ta shqetësojë sferën e lartë, me gjithë skandalet e shumta të cilat janë kthyer thuajse (në) të përditshme.

E megjithatë, dëshira për të menduar ndryshe, ka filluar të ndjehet gjithmonë e më shumë. Ky fakt shtyhet nga një pjesë e madhe e diasporës shqiptare, e cila tashmë është integruar dhe është e aftë të kuptojë që edhe në Shqipëri duhet menduar si në Francë, Gjermani, Holandë, Itali, Amerikë, Kanada, Australi apo gjetkë, vende këto, modelin e të cilave po tentojmë të imitojmë apo drejt të cilave ëndërrojmë si shoqëri (me përjashtim të klasës politike, oligarkisë dhe hallkave që e ndjekin atë). Dhe në këto shoqëri, vendin kryesor e zë drejtësia.

Emanuel Kant shkruan në Kritiken e Arsyes së Pastër : «Në qoftë se drejtësia do të zhdukej, së bashku me të, do të zhdukej dhe vetë kuptimi i ekzistencës së racës njerëzore në tokë!» (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …