Sot do të varroset Rifat Stojkaj, drejtor i Bujqësisë në komunën e Deçanit.
Stojkaj, 35-vjeçar ndërroi jetë pas një vetëaksidenti të trafikut, duke lënë të pikëlluar përgjithmonë familjarët e tij.
Sipas njoftimit të familjarëve, ceremonia e varrimit do të mbahet nga ora 17:00 në varrezat e fshatit Lloqan, ndërsa nga ora 15:00, komuna e Deçanit do të organizojë mbledhje komemorative.
Në njoftimin e komunës së Deçanit thuhet:
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, drejtorit të Bujqësisë, Rifat Stojkaj.
Rifati ishte një njeri i urtë, punëtor, i afërt me qytetarët dhe gjithmonë i gatshëm për të dhënë më të mirën për komunën tonë. Ai la gjurmë të pashlyeshme tek të gjithë ne që patëm fatin ta njohim dhe të bashkëpunojmë me të.
Humbja e tij është e rëndë për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë komunën tonë.
Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Stojkaj, miqtë dhe gjithë ata që e deshën dhe e vlerësuan Rifatin.
Prehu në paqe, miku ynë.
Kujtimi dhe vepra jote do të jetojnë gjithmonë mes nesh.