Brickos

Sot në Prishtinë u nënshkrua marrëveshja për sigurime sociale në mes Kosovës dhe Zvicrës

Sot në Prishtinë u nënshkrua marrëveshja për sigurime sociale në mes Kosovës dhe Zvicrës

Në një ceremoni rasti në Prishtinë, sot u nënshkrua marrëveshja për sigurime sociale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, e cila i hap rrugë realizimit të së drejtave të qytetarët të të dyja shteteve, në fushën e sigurimeve sociale. Në emër të Qeverisë së Kosovës, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ndërkaq në emër të Qeverisë Zvicerane ajo u nënshkrua nga ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet. Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë sepse në mënyrë direkte prek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët zviceranë, të cilët do të realizojnë të drejtat e tyre siç janë, e drejta në pension të moshës, pension familjar dhe pension invalidor të punës.

Reçica ka pohuar se ndërprerja e marrëveshjes për sigurime sociale e lidhur në mes Konfederatës së Zvicrës dhe ish-Jugosllavisë e vitit 1962, ka krijuar një zbrazëti ligjore në fushën e sigurimeve sociale në mes dy vendeve. Si rrjedhojë, qytetarët e dy vendeve, që nga viti 2010, në mungesë të kësaj marrëveshje, nuk kanë mundur që të realizojnë të drejtat e tyre në fushën e sigurimeve sociale në vendet e origjinës. Ambasadori zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është hap i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe të vendeve tona duke shënuar fundin e tri viteve të negociatave, ku në këtë rast ka falënderuar ministrin Reçica dhe ekipin e negociatave për bashkëpunimin e shkëlqyer. Marrëveshja për sigurime sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës hyn në fuqi pas ratifikimit nga parlamentet e të dyja shteteve. Paraprakisht, Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e parë ndërkombëtare për Sigurime Sociale me Mbretërinë e Belgjikës në shkurt të këtij viti, e cila është nënshkruar nga ministri Reçica dhe ministrja belge e Punëve Sociale dhe Shëndetit Publik, Maggie De Block, në një ceremoni rasti në Bruksel.

Kontrolloni gjithashtu

Rrezikohet rruga e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës pas rekomandimeve të Francës dhe Gjermanisë

Hapat e fundit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës shfaqin shenja të kthimit …