leoni

Sot u shënua 20-vjetori i Masakrës në Kralan

Sot u shënua 20-vjetori i Masakrës në Kralan

Sot u bënë plot 20 vite nga vrasja a 86 civilëve shqiptarë të komunës së Klinës në fshatin Kralan nga ana e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, masakër kjo për të cilën askush nga kriminelët e Serbisë nuk është ndëshkuar. Me rastin e këtij përvjetori të këtij krimi serb një grup i shoqatës ‘Familja dhe Shpresa’, ishin për ca çaste tek varrezat e më të dashurve të tyre të cilëve iu janë gjetur dhe kthyer eshtrat nga ku i kishin fshehur për vite të tëra ata që i vranë.

I përkujtuan në të njëjtën kohë me dhembje të madhe edhe ata për eshtrat e të cilëve edhe pas 20 vitesh ende nuk kanë marrë ndonjë lajm. Grupi i shoqatës i kryesuar nga Zana Bytyqi ishte sot edhe tek lapidari i viktimave dhe martirëve të luftës në qendër të qytetit të Klinës.  “E përhershme dhe thellë e ngulitur mbetet në zemrat tona dhembja dhe kujtesa për familjarët tanë të vrarë e të zhdukur nga kriminelët serbë,” tha Bytyqi me këtë rast gjatë vizitave.

Bytyqi ndërkohë tha se ajo dhe kolegët e saj, familjarë të tjerë të të vrarëve dhe të zhdukurve në Kralan, do të vazhdojnë fuqishëm që të kërkojnë që Kuvendi i Kosovës  ta plotësojë ligjin e vitit 2015 me të cilën deputetët e Kosovës me duart e tyre e themeluan gjykatën speciale në Hagë për pretendimet për krimet e individëve të UÇK-së, dhe me duart e tyre e amnistuan Serbinë dhe krejt kriminelët e saj përmes këtij ligji gjysmak, i cili përjashtoi trajtimin e krimeve të luftës që forcat serbe kryen anekënd Kosovës ndaj civilëve shqiptarë. “Vitet po kalojnë, por kërkesat tona mbeten dhe po bëhen edhe më të forta. Ky ligj duhet të plotësohet në mënyrë që kjo gjykatë të gjykojë krimet serbe. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të dorëzohemi përballë këtij ligji selektiv dhe kësaj gjykate të mbrapshtë e selektive,” tha Bytyqi.

Përfaqësuesja e shoqatës javën e kaluar ka bërë një kërkesë për takim me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj për t’i bërë atij edhe kërkesa të reja që ndërlidhen me këtë ligj dhe gjykatë të turpshme në formën e tyre të tashme, për të obliguar prokurorinë dhe gjykatën që të dërgojnë në Hagë kriminelët serbë që edhe pas 20 vitesh janë të lirë atje në shtetin fqinjë dhe të mbrojtur nga kryetari i tyre Aleksandar Vuçiç.

Bytyqi ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete nga Kryeministri për kërkesën për takim.

“Shpresoj që zotëri Haradinaj të mos na dëshpërojë, siç jemi të dëshpëruar tash e 20 vite me të gjithë atë që flasin kot e për çdo ditë për ‘drejtësi’, e që nuk bënë gjë ndaj kriminelëve serbë që na i vranë më të dashurit tanë, por përkundrazi në gusht 2015 e miratuan këtë ky ligj kaq të turpshëm për ta formuar këtë gjykatë kaq të turpshme në këtë formë të tashme,” përfundoi Bytyqi në komunikatën për mjetet e informimit me rastin e 4 prillit, 20 vjetorin e masakrës në Kralan.

Kontrolloni gjithashtu

Lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli ka paralajmëruar marrëdhënie të shkëlqyera të Kosovës me Ganen

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli ka përshëndetur zgjedhjen e John Mahama Dramani …