leoni

Sylejman Nazmi Jashari (23.1.1980- 22.4.1999)

Sylejman Nazmi Jashari (23.1.1980- 22.4.1999)

Sylejman Nazmi Jashari u lind më 23.1.1980 në fshatin Prapashticë, Komuna e Prishtinës në një familje me gjendje jo të mirë ekonomike por të shquar për qëndresën dhe luftën e paepur kundër pushtuesve. Prindërit: Nazmi dhe Xhezide Jashari patën tetë femijë, gjashtë djem dhe dy vajza. Sylejmani ishte fëmija i dytë në familje. Familja Jashari nga Prapashtica njihet në tërë malësinë e Gollakut por edhe më gjerë për kontributin e dhënë ndër breza për çlirimin e Kosovës. Stërgjyshi i Sylejmanit, Jashari ishte pjesë e lëvizjes kaçake prej vitit 1912 e deri në vitin 1924, ai duke mos u pajtuar me pushtimin e Kosovës, së bashku me bashkëluftëtarët e tij ndërmori shumë veprime luftarake në rajonin e malësisë së Gollakut dhe më gjerë. Në shenjë hakmarrje për veprimtarinë e lëvizjes kryengritëse, ushtria pushtuese serbe në vitin 1921 masakroi mijëra civil të regjionit të Llapit dhe Gollakut. Gjatë kësaj masakre të pushtuesit që njihet edhe si `Masakra e Prapashticës” për shkak të numrit të madh të civilëve shqiptar të masakruar në fshatin Prapashticë, u vranë dhe masakruan dhjetra anëtar të familjes së Jashar Behlul Jasharit i cili në vitin 1924 detyrohet të arratiset në Turqi për t’u kthyer dy vite më vonë në Shqipëri.  Jashari në përpjekje  për të kaluar kufirin me Kosovën, has në forcat kufitare serbe dhe dyshohet se është vrarë në luftim, kurse trupi i tij nuk është gjetur sot e asaj dite.

Persekutimet e regjimit serb ndaj familjes Jashari vazhduan brez pas brezi dhe kjo familje gjithmonë mbeti në shënjestër të forcave ushtarake dhe policore të okupatorit. Sylejman Jashari u rrit me tregimet e gjyshit të tij Ramës, për qëndresën e familjes kundër okupatorit dhe vuajtjet e familjes për shkak të kësaj qëndrese. Në shpirtin e Sylejmanit qysh si fëmijë, u brumos ideja liridashëse kombëtare dhe urrejtja për pushtuesin. Sylejman Jashari shkollën fillore e kreu në fshatin Keqekollë. Si nxënës i shkollës fillore u dallua nga bashkëmoshatarët e tij për sjelljen dhe pjekurinë që tregonte në shkollë. Ai vazhdoi shkollimin në shkollën e mesme ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” dega në fshatin Keqekollë, ku u dallua për rezultatet në mësime e sidomos për interesimin e veçantë që kishte për lëndët e historisë dhe gjuhës shqipe, lëndë në të cilat mësohej për gjuhën, atdheun dhe çështjen kombëtare. Sylejmani qysh si fe”mijë kishte një karakter të fortë, ishte i shoqërueshëm dhe i dashur për të gjithë. Ai kishte një fizionomi prej burri dhe ishte shumë bindës gjatë bisedave dhe diskutimeve. Sylejmani si nxënës i shkollës së mesme morri pjesë në të gjitha demostratat e viteve 1997-1998 që asokohe mbaheshin në Prishtinë e që kishin për qëllim shprehjen e pakënaqësisë popullore kundër okupatorit dhe dhunës që ushtronte ai kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Fillimi i aksioneve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ngjalli popullit të Kosovës shpresën për Iiri, këto aksione patën ndikim të jashtëzakonshëm në formimim e shpirtit luftarak të Sylejmanit. Këto akcione bënë që Sylejman Jashari të merrte vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij të njomë, vendimin për të braktisur shkollimin si maturant dhe për i’u bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sylejmani ishte i bindur që çlirimi i Kosovës do të vinte vetëm përmes grykës së pushkës dhe këtë bindje ai e shfaqte në të gjitha bisedat që bënte me profesorët dhe shokët e tij. Pasi merr lejen nga prindërit dhe betohet para tyre se kurrë nuk do te leshojë i gjallë armët nga dora, Sylejmani në janar të vitit 1999 paraqitet në shtabin e Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në fshatin Zllash.

Sylejman Jasharin, u sistemua nga komanda e Brigadës 153 si ushtar në Batalionin e dytë të kësaj brigade, batalion ky që operonte në Prapashticë dhe për rreth saj. Sylejmani ngarkohet me detyra të ndryshme luftarake dhe merr pjesë në disa akcione sulmuese kundër njësive ushtarake të ushtrisë serbe. Sylejman Jashari ishte pjesë e luftimeve që u zhvilluan me datën 07.04.1999, datë në të cilën njësi të mëdha të ushtrisë serbe tentuan të vendosin pozicione luftarake në fshatin Prapashticë, në këto luftime ushtria serbe pësoi shumë humbje si në njerëz ashtu dhe në teknikë. Shtëpia e Nazmiut babait të Sylejman Jasharit u shfrytëzua si bazë ushtarake e njësiteve të batalionit të dytë të Brigadës 153.

Me datën 10. Prill 1999 kjo shtëpi rrethohet nga forca të shumta ushtarake serbe. Sylejmani atë ditë ishte i caktuar me detyrë në një pikë vëzhgimi, pasi vëren lëvizjet e njësiteve armike në drejtim të lagjes, me shkathtësi arrin që të njoftojë njësitin e tij të vendosur në shtëpinë e tij. Sylejmani së bashku me bashkëluftëtarët e tij arrijnë që të çajnë rrethimin. Deri sa pjesa tjetër e njësitit vendoset në pozicione luftimi jashrd zonës së rrethimit, ai së bashku me disa bashkëluftëtar kthehen për të tërhequr tre familje duke përfshirë këtu dhe familjen e Sylejmanit që kishin mbetur të strehuara në bunkerin e ndërtuar të familjes brenda rrethit që kishte organizuar njësia ushtarake serbe. Me bashkëluftëtarët e tij arrin që t’i tërheq sigurt këto tre familje dhe më pas organizon, transportimin dhe sigurimin e rrugës së tyre deri në fshatin Keqekollë ku bënë strehimin e tyre në lagjen Miftaraj.

Pas vendosjes së një pjese të familjes në fshatin Keqekollë, Sylejmani së bashku me bashkëluftëtarët e tij kthehen në terenin e batalionit të dytë, vendosen në pikat e luftimit dhe vazhdojnë të ndërmarrin veprime luftarake kundër forcave ushatarake dhe paramilitare serbe të vendosura në fshatin Prapashticë. Me datën 18.04.1999 ushtria serbe fillon një ofanzivë të shkallës së gjerë kundër njësiteve të brigadës 153 UÇK-së të vendosura në regjionin e Gollakut. Ushtria serbe sulmoi njësitet e Brigadës 153 nga të gjitha drejtimet; nga Serbia përmes fshatit Mutivodë, nga Dardana përmes fshatit Marec, nga Prishtina përmes fshatrave Mramor dhe Siqevë, nga drejtimi i Rimanishtës, drejtimi i Sharbanit dhe nga Orllani në drejtim të fshatit Ballaban. Kjo ofenzivë e ushtrisë serbe kishte synim eliminimin pjesë—pjesë të njësiteve të Brigadës 153 me objektiv përfundimtar eliminimin e shtabit të brigadës të vendosur në fshatin Zllash. Në atë periudhë njësitet e Brigadës 153 të UÇK-së përpos mbrojtjes së pozicioneve luftarake ishin të detyruar të mbronin dhe kujdeseshin edhe për mijëra familje të vendosura në terenin e brigadës e të cilat ishin dëbuar më herët nga Prishtina, Podujeva dhe rajone tjera të Kosovës. Gjatë ofenzivës së prillit, Sylejman Jashari ishte i pozicionuar në pozicionet luftarake në lagjen Buzhgegaj në fshatin Prapashticë. Pozicioni ku ishte i vendosur Sylejmani ishte në viëjn e parë të frontit rreth 200 metra nga vija e zjarrit të forcave armike. Në atë pozicion luftimi ai qëndroi dhe luftoi nga data 18 deri më 22 prill 1999 duke mundësuar kështu edhe tërheqjen e ushtarëve të plagosur të Marecit, Zlashit e Keqekollës në drejtim të fshatit Koliq. Sulmi i pandërprerë i forcave serbe me artileri të rëndë dhe të gjithë arsenalin e armatimit detyroi njësitin e vendosur në pozicionet në lagjen e Buzhgegajve të lëvizë në një pozicion alternativ në vendin e quajtur Lugu i Arushës në fshatin Prapashticë. Në datën 22.04.1999 në vendin e quajtur Lugu i Arushës në fshatin Prapashticë, Szë një pozicion luftimi vetëm 40 metra nga rruga kryesore Prishtinë-Leskovc. Gjatë kohës sa ishte në atë pozicion në rrugën kryesore në afërsi të tij arrin një automjet ushtarak serb i tipit Pizgauer me plot ushtarë serb. Ushtarët serb ndalin automjetin dhe fillojnë zbarkimin e minahedhësve dhe armatimit tjetër nga automjeti me qëllim organizimin e një sulmi nga ajo anë në drejtim të fshatit Zllash. Sylejman Jashari me qëllim pengimin e organizimit të atij sulmi fillon luftimin kundër njësitit ushtarak serb. Pas fillimit të luftimeve dhe humbjeve që pësoi armiku, njësitit armik i vien në ndihmë forca të shumta shtesë. Për dy orë e gjysëm i rezistoi i vetëm njësiteve ushtarake serbe, ai edhe pse i armatosur vetëm me një pushkë M-48 dhe dy granata dore la të vrarë katër ushtar dhe paramilitar serb dhe plagosi shumë të tjerë. Këto humbje u pranuan nga vet oficer të ushtrisë serbe që ishin dëshmitar në vendin e ngjarjes. Gjatë atij luftimi të datës 22 Prill 1999 rreth orës 15:30 bie heroikisht dëshmori Sylejman Nazmi Jashari, njëherësh dëshmori më i ri në moshë i Brigadës 153 të ZOLL-it. Gjatë ofensivave të ushtrisë serbe në rajonin e Gollakut, familja Jashari pësoi edhe humbje dhe dëmtime tjera, përveç Sylejmanit, në luftime të ndryshme u plagosën edhe babai i tij Nazmiu dhe xhaxhai Jashari, kurse vëllau Bekimi u mor peng u mbajt për trembëdhjetë muaj në burgun famëkeq të Pozharevcit. Në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 7 mars 2017 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi Sylejman Jasharin me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …