leoni

Tafil Brahim Kasumaj (18.10.1950 - 29.5.1998)

Tafil Brahim Kasumaj (18.10.1950 – 29.5.1998)

Ndër shumë dëshmorë që u flijuan për lirinë e Kosovës është edhe Tafil Kasumaj. Ai u lind më 18.10.1950 në Lloçan të Deçanit. Ishte fëmija i dytë ndër katër fëmijët e Brahim e Havë Kasumajt.
Pas kryerjes së shkollës fillore në Carrabreg të Deçanit, Tafili e kreu gjimnazin në Deçan, ndërsa Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, degën e kimisë e kreu në Universitetin e Prishtinës. Detyrën e profesorit të kimisë e ushtroi në Pejë dhe në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Përveç profesionit të mësimdhënësit, ai kishte prirje të lindur edhe mjeshtërinë e gdhendjes dhe zbukurimit në dru të odave të Dukagjinit.
Me zbatimin e politikës raciste serbe të apart’heidit kundër shqiptarëve në Kosovë, kur nxënësit shqiptarë u larguan nga objektet e tyre shkollore, më 1990-91, Tafili bashkë me të vëllain, Zenelin, iu përkushtuan zhvillimit të procesit mësimor në shtëpitë private, në fshatrat Drenoc, Lloçan, Pobërgjë, Voksh, Carrabreg, Rrezar, Junik e Deçan. Më 1997, ai u keqtrajtua nga policia serbe në stacionin e policisë në Deçan, me pretekst të kërkimit të armëve.
Duke qenë në kontakt me veprimtarin e njohur të lëvizjes kombëtare, Ismail Haradinaj, Tafili kishte përcjellur me vëmendje rrjedhat politike në Kosovë, të cilat u kurorëzuan me organizimin e luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtetit serb dhe makinerisë së tij politiko-ushtarake, që synoi ta serbizojë Kosovën shqiptare. Në këto rrethana ai mezi priti të radhitet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo ditë arriti më 20 prill të vitit 1998. Fillimisht Tafili u mobilizua në Shtabin lokal të rajonit Carrabreg-Voksh. Ai vëzhgoi nga Kodra e Kuqe, në mes fshatrave Lloçan e Carrabreg, përballë pozicioneve serbe te Podi i Gështenjave. Ato ditë të fillimit të luftës, në komunën e Deçanit me rrethinë, por edhe në mbarë hapësirën e Dukagjinit, luftimet ishin të ashpra, pos tjerash, edhe me pretekstin e mbrojtjes së manastirit dhe pasurisë së saj, të banorëve serbë të Deçanit e të Lloçanit.
Pas një heroizmi të treguar në mbrojtje të pozicioneve kundër forcave ushtarake-policore serbe, Tafil Kasumaj bie dëshmor në ofansivën e 29 majit 1998. Përkrah tij bie edhe djali i axhës, Shabani Kasumaj, ndërsa plagoset bashkëshortja e tij, Hava.
Pas rënies heroike, për shkak të rrethanave të rënda e të vështira luftarake, tërheqja dhe varrosja e trupit të dëshmorit nuk ishte e mundshme. Prandaj, varrosja e tij u bë më 14 shtator 1998,në oborrin e shtëpisë.
Trupi i dëshmorit Tafil Kasumaj u rivarros në varrezat e fshatit Lloçan.
Dëshmori Tafil Kasumaj ka lënë bashkëshorten, Havën, vajzën, Besën dhe djemtë: Fatonin, Hekuranin dhe Besartin.
Në shenjë nderimi e përkujtimi për dëshmorin, në vendin e rënies së tij është vendosur pllaka përkujtimore, ndërsa lapidari i është ngritur te varri. Për meritën dhe heroizmin e tij të treguar gjatë operacioneve luftarake, si lufëtar fronti, familja e dëshmorit ka marrë Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga shoqatat e dala nga lufta, nga Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, nga Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, etj. Emërtimi i SHMT të Deçanit me emrin e dëshmorit Tafil Kasumaj ishte nder, mburrje e frymëzim për nxënësit dhe mësimdhënësit e saj. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …