Tomor Kotorrit nga Përmeti i Shqipërisë i ndahet çmimi “Qytetarë Nderi i Komunës së Rahovecit”

Në sallën e mbledhjeve të kuvendit komunal të Rahovecit, në ceremoninë e organizuar nga kryetari i komunës Smajl Latifi, i është ndarë çmimi “Qytetarë Nderi i Komunës së Rahovecit”, Tomor Kotorrit nga Përmeti i Shqipërisë, me motivacionin “Për merita të veçanta në ruajtjen dhe afirmimin e kulturës kombëtare shqiptare”. Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latif në fjalimin e tij në ceremoninë e ndarjes së çmimit tha se, jemi këtu së bashku për të nderuar një vëlla, një aktivist të palodhshëm, një atdhetar të përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta morale-vëllaun tonë Tomor Kotorri. Unë, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Rahovecit, e pata pranuar me kënaqësi të madhe propozimin e arsimtarit Bekim Kelmendi, përfaqësues i shoqatës atdhetare “Zëri dardan” që, Tomori të shpallet Qytetar i nderuar i komunës tonë. Roli i Kotorrit në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore Rahovec-Përmet ka qenë i padiskutueshëm. Përmes tij ne patëm shkuar në Përmet e Frashër më 25 maj 2012, ku e kishim nënshkruar marrëveshjen për binjakëzim ndërmjet dy njësive tona administrative.  Atë ditë, në oborrin e shtëpisë-muze të vëllezërve Frashëri në Frashër, u bë nënshkrimi i marrëveshjes para busteve të atdhetarëve Abdyl, Naim e Sami Frashëri. Kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Përmetit Gilberto Jaçe pati deklaruar: “Kjo marrëveshje ka një peshë të madhe  për qytetarët e Përmetit dhe se do të ndikojë që përvojat e ekspertëve të fushave të caktuara të mund të barten në rajonet respektive. Ai ndër të tjera pati thënë; “Kjo  shtëpi në Frashër ka një simbolikë të veçantë për të gjithë shqiptarët, prandaj ne zgjodhëm pikërisht këtë vend dhe këtë datë, datëlindjen e Naim Frashërit, të nënshkruajmë marrëveshjen me komunën e  Rahovecit. Ka simbolikën e Rilindjes tonë kombëtare dhe duam ta japim si mesazh për të gjithë shqiptarët, që është edhe si mesazh në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Shpresojmë dhe besojmë se kjo marrëveshje do të sjellë rezultate të mira për qytetarët e të dyja rajoneve, që kanë shumë të përbashkëta”,  pati thënë ndër të tjera kryetari Jaçe. Prandaj, janë pikërisht këto motive që na patën shtyrë të vijmë, të shohim dhe të kthehemi përsëri në Përmet, në vendin ku lindi Abdyli, udhëheqës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ideologët e Rilindjes tonë kombëtare Naimi e Samiu. Lidhjet tona u intensifikuan dhe më pas ndodhi binjakëzimi i dy shkollave tona, u miratua nga Kuvendi i Komunës së Rahovecit dhe Këshilli Bashkiak i Përmetit marrëveshja e nënshkruar në Frashër. Kurse, kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha  ka thënë se Bashkia e Përmetit është një Bashki e vogël, në juglindje të Shqipërisë kilometra larg komunës suaj, çdo kush me të drejt mund të pyes, çfarë lidhje ekziston mes Përmetit dhe Rahovecit, ngjarjet gjatë depërtimit të vëllezërve Kosovarë në vitin 1999, ku qyteti ynë hapi dyert dhe zemrat duke pritur me dashuri familjet Kosovare dhe duke u bërë në këtë mënyrë bashkë në të mirë e në të keq. Nuk është e vetmja lidhje që ekziston, ekziston një tërheqje gjaku përveç kulturës. Një miqësi e bazuar në vlera dhe në dy kuptimesh, investimi më i mirë në këtë miqësi është fryma respektive reciproke dhe të qenit bashkë në këto momente. Dita e sotme është një ditë e veçantë, njëkohësisht edhe emocionuese jo vetëm për prezencën tonë dhe nderimi që ju bëni veprimtarëve Përmetar por si muaj që përkon me përkujtimin dhe nderimin e motrave dhe vëllezërve dëshmor të komunës suaj. Ne emrin time personal dhe të qytetarëve të bashkisë Përmet, ju përcjell ju dhe gjithë qytetarëve të komunës së Rahovecit nderime për dëshmorët dhe heronjtë e marsit të vitit 1999, të cilët sakrifikuan jetën për këtë vend. Jemi këtu sot, falë përpjekjeve titanike të popullit tuaj të trimave dhe luftëtarëve të Rahovecit. Ndërsa Tomor Kotorri, ka falënderuar kryetarin e komunës, Smajl Latifi, kryesuesin e kuvendit Komunal, Afrim Dina dhe të gjithë ata që kanë bërë të mundur që ai të marrë çmimin “Qytetarë Nderi i Komunës së Rahovecit”, duke thënë se bashkëpunimi i mirë që ka qenë me të gjithë ju do të vazhdoj edhe më tutje. Pas përfundimit të ceremonisë së ndarjes së çmimit, kryetari i komunës, Smajl Latifi i shoqëruar edhe nga, kryetarja e Bashkisë së Permetit, Alma Hoxha, Tomor Kotorri si dhe të pranishëm tjerë,  kanë bërë homazhe dhe nderime për të rënët në Krushë të Madhe dhe gjetkë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …