Në Malishevë u zhvilluan garat komunale në lëndën e Fizikës për nxënësit e klasave të nënta, të dhjeta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta. Këto gara u organizuan nga Drejtoria për Arsim dhe Edukim në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe komisionin e caktuar për mbarëvajtjen dhe vlerësimin e tyre.
Këto gara janë pjesë e përgatitjeve për garat e 26-ta shtetërore në Fizikë, të cilat do të mbahen më 1 shkurt 2025, në orën 11:00. Në këtë ngjarje konkurruan nxënësit më të mirë të shkollave të komunës, të cilët synuan të tregojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në këtë lëndë.
Të gjithë nxënësit pjesëmarrës dhanë maksimumin e tyre, ndërsa më të suksesshmit do të kenë nderin të përfaqësojnë Komunën e Malishevës në garat shtetërore.
Ngjarjen e ndoqi nga afër edhe Sabit Berisha, përgjegjës në Drejtorinë për Arsim dhe Edukim. Ai përgëzoi mësimdhënësit dhe nxënësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar, duke u uruar suksese në vazhdim. “Ju uroj shumë suksese të gjithëve, veçanërisht atyre që do të na përfaqësojnë në rang republike. Shpresoj që të arrini rezultate të shkëlqyera,” theksoi Berisha.