U përurua në Malishevë libri i Faton Mehmetajt: “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë

Sot në orën 13.00, në Sallën e Asamblesë Komunale në Malishevë, nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të kësaj komune është përuruar libri i studiuesit dhe publicistit, Faton Mehmetaj titulluar:  “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë-bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtar”.

Për vlerat ideore e tematike të librit,  foli, kryetari i komunës së Malishevës, z Ragip Begaj, i cili çmoi lartë kulturën e tolerancës fetare shqiptare, duke sjellë edhe shembuj konkretë të kësaj kulture të njohur tashmë në tërë botën. Ai falënderoi autorin i cili ka nxjerrë në dritë të libër të veçantë për personalitetet shqiptare nëpër shekuj, shumë prej tyre jo sa duhet të njohur në letrat tona.

Në vazhdim të përurimit duke folur për librin:  “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë…”,  Ahmet Qeriqi tha se në këtë libër janë prezantuar biografitë e rreth 600 personaliteteve të botës shpirtërore e fetare shqiptare, prej periudhës antike, prej Shën Astit e Konstandinit të Madh me prejardhje ilire,  e deri në kohën e sotme, shumë prej tyre ende të panjohur nga publiku ynë dhe gati krejt të panjohur nga fqinjët tanë e popujt e tjerë. E veçanta e punës hulumtuese e autorit, Faton Mehmetaj në shtjellimin e lëndës ka qenë qasja shkencore rreth definimit të personaliteteve, dhe natyrës komplekse të përzgjedhjes,   që paraqitet me rastin e definimit të këtyre dijetarëve.

Për vlerat e librit dhe të tolerancës fetare shqiptare foli edhe studiuesi i religjioneve,Fahrudin Shehu, i cili çmoi punën e palodhshme dhe tejet të frytshme të autorit në hartimin e librit, duke vlerësuar kulturën e tolerancës ferare të shqiptarëve.

Në fund autori i librit, Faton Mehmetaj përshëndeti kryetarin e komunës, recensentët dhe të pranishmit në përurim. Ky libër po zgjon interesim të madh tek opinioni dhe qarqet kulturore e shkencore vendore e ndërkombëtare.

Në një debat që u zhvillua në fund të përurimit, disa të pranishëm çmuan librin e autorit, Faton Mehmetaj, por paten edhe vërejtje të caktuara se recensentët, nuk kishin sjellë sa duhet informacione për librin.  (RKL)

Fjala e A. Qeriqit në përurimin e librit të Faton Mehmetajt: “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë

I nderuar z. Faton Mehmetaj, autori i librit: “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë, i respektuar kryetar i komunës së Malishevës, z Ragip Begaj, të nderuar të pranishëm, që po merrni pjesë në përurimin e këtij libri, voluminoz por edhe të veçantë nga përmbajtja.

Faton Mehmetaj është emër i njohur i letrave tona. Veprimtaria e tij publicistike është e kahershme, ndërsa e veçanta e krijimtarisë së tij janë librat e rrallë, botimet speciale, sidomos të atyre veprave që për nga tematika e përmbajtja  i përkasin temave të së kaluarës, traditës, brezave shqiptarë prej lashtësisë e deri sot. Në veprat paraprake: “Nëpër shtigje të historisë” dhe “Natë yje ndezur”, autori ka arritur të prezantojë shumicën e personaliteteve prej periudhës ilire, arbërore e shqiptare, prej Mbretit Pirro e deri te Legjendari i UÇK-së Adem Jashari. Ka shkruar monografi për veprimtarin e atdhetarin, Çelë Shabani dhe për njërin ndër komandantët  emblematik të UÇK-së, Ardian Krasniqin. Një pjesë të angazhimeve të tij ia ka kushtuar edhe aktivitetit subversiv antishqiptar të shërbimeve sekrete serbe në Kosovë, duke demaskuar përpjekjet e pareshtura të Serbisë kundër shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Pavarësisht angazhimeve publicistike në pasqyrimin e realitetit ekzistues, në trajtimin e temave të ndryshme të përditshmërisë, Faton Mehmetaj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë kulturës së tolerancës fetare ndër shqiptarë, këtij segmenti unik të botës shpirtërore shqiptare, që rrezaton një vlerë universale sa i përket tolerancës fetare, humanizmit, mirëkuptimit dhe traditave pozitive kombëtare, të denja për t’ i prezantuar ballëhapur botës dhe qytetërimit bashkëkohor.

Duke shkruar për fenomenin e Besës ndër shqiptarë, eruditit dhe kulturologu i madh i Rilindjes,  Sami Frashëri kishte afirmuar vlerat pozitive të trashëgimisë shqiptare, duke veçuar Besën si fenomen të nderit, respektit për fjalën e dhënë dhe tolerancën shqiptare, për të cilin Samiu thoshte se është një fenomen  i padëgjuar në botë.

Në këtë segment, autori i librit, “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë-bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtar”, ka bërë një hap para në zbardhjen shkencore të vlerave kombëtare, të vlerave unike, të cilat ende nuk ia kemi prezantuar, në nivelin meritor, botës së qytetëruar.

Në këtë libër janë prezantuar biografitë e rreth 600 personaliteteve të botës shpirtërore e fetare shqiptare, prej periudhës antike, prej Shën Astit e Konstandinit të Madh me prejardhje ilire,  e deri në kohën e sotme, shumë prej tyre ende të panjohur nga publiku ynë dhe gati krejt të panjohur nga fqinjët tanë e popujt e tjerë. E veçanta e punës hulumtuese e autorit, Faton Mehmetaj në shtjellimin e lëndës ka qenë qasja shkencore rreth definimit të personaliteteve, apo sikur themi, të figurave të njohura kombëtare dhe natyrës komplekse  që paraqitet me rastin e definimit të këtyre dijetarëve. I udhëhequr me një metodologji të përparuar shkencore, autori ka arritur në përfundim se shumë personalitete të së kaluarës kanë lënë trashëgim një veprimtari komplekse në dobi të kombit e atdheut, në dobi të gjuhës, fesë, traditës, politikës, arteve, kulturës, shkencave dhe përgjithësisht në dobi të kombit, dijes e përparimit. Pikërisht, duke zbuluar këtë kompleksitet shpirtëror, fetar, filozofik e  shkencor të këtyre personaliteteve, ai është përcaktuar për ndriçimin e jetës dhe veprave të një game të caktuar të dijetarëve shqiptarë, që  kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë kolektive me angazhime të ndryshme, por me një qëllim të vetëm, me qëllim për të lënë pas dijen, emancipimin, vlerat humane, besimin hyjnor, por edhe besimin e njeriut të njeriu që rrezaton dije, emancipim  e përparim.

Këto personalitete të prezantuara në këtë libër janë dëshmia faktike, historike e kulturës së tolerancës fetare ndër shqiptarë, e cila është unike në botë, pavarësisht shkresurinave e shkarravinave të ndonjë analisti zevzek, trutharë e nihilist.

Janë të shumtë shembujt faktikë, realë, të shprehjes së tolerancës fetare ndër shqiptarë. Janë shembujt e këtyre personaliteteve, të cilët duke respektuar besimin e tjetrit, kanë respektuar edhe vetveten dhe fenë e tyre. Mbase nuk ka shembull tjetër, në botë, kur familja myslimane, kishte kërkuar ndihmë nga prifti për ta varrosur familjarin,  sikur ka ndodhur në Malësinë e madhe, në mungesë të hoxhës, i cili kishte udhëtuar për në Shkodër dhe nuk kthehej gjatë ditës.  Familja i drejtohet priftit të fshatit  për ta kryer ritualin e varrosjes së besimtarit islam, dhe ai pa hezitim merr një kapitull të përkthyer shqip të kuranit, shkon në varreza  dhe kryen ritin fetar. Këtë shembull e ka sjellë studiuesi, Genc Myftiu, në një studim të gjatë të tij. Ky rast nuk është i vetëm, dhe te shqiptarët nuk trajtohet si blasfemi. Vetëm disa ditë më parë ishim dëshmitarë kur prifti e hoxha morën pjesë bashkë në varrimin e eshtrave të martirëve në Gjakovë, ashtu sikur muaj më parë, hoxhallarë e priftërinj shqiptarë dora-dorës morën pjesë në Francë, në varrimin e viktimave të një sulmi terrorist.

Popat djallëzorë shkizmatikë të Malit të  Zi, në kohë e luftërave shqiptare-sllave, kishin prerë një derr dhe gjatë natës e kishin vendosur brenda në një xhami të Shkodrës, për të nxitur luftën fetare mes shqiptarëve, por hoxha mendjehollë, duke njohur mirë respektin e vëllezërve të gjakut e të gjuhës, dyshimin e kishte orientuar te popat e Cernagorës. Më vonë ishte dëshmuar kurdisja e tyre me prapavijë të rrezikshme. Raste të tilla nuk kanë ndodhur vetëm njëherë.

Kjo është bota faktike e tolerancës shqiptare, të cilën nuk e dobësojnë rastet individuale të anti tolerancës, sepse janë raste të izoluara që kanë më shumë motiv përfitimin material sesa atë fetar, por nga mediet të caktuara me qëllim djallëzor po iu jepet aq shumë vend, me përpjekje për përbaltjen e këtij fenomeni tipik të racës shqiptare. Ky libër, i Faton Mehmetajt,  i cili është përgatitur si botim i veçantë dhe i plotëson të gjitha kriteret shkencore, është dëshmia më e mirë e kulturës së tolerancës fetare shqiptare, është një monument shkrimor që përhapë mesazhe bashkëjetese fetare, mesazhe drejt zbutjes sa më shumë të dallimeve anësore fetare, ku secili njeri, do të jetë i lirë ta shpreh botën e tij shpirtërore të devotshmërisë, sepse Hyji është i të gjithëve, sepse njerëzit kurdoherë kanë pasur dhe kanë  nevojë për mirëkuptim, bashkëpunim, shtrirje të dorës për njëri tjetrin, pajtim dhe mbretërim të paqes.

Autorit të librit i dëshiroj sukses në punën e tij të palodhshme, të begatshme e të frytshme.

Ju faleminderit!

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …