U shënua 19-vjetori i rënies heroike të Komandantit, Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve: Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca

U shënua 19-vjetori i rënies heroike të Komandantit, Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve: Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca

Sot  me aktivitete tematike e përkujtimore, u shënua  19- vjetori i rënies heroike të Komandantit, Agim Bajrami dhe  bashkëluftëtarëve: Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca. Pas vizitave te Monumenti i Komandantit Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve të tij në fshatin Gabrricë, u bënë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave të Dëshmorëve, dhe homazhe te shtatoret e komandantëve: Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi si dhe te pllakat e veprimtarëve të çështjes kombëtare: Idriz Seferi, Sali Bajra dhe Ismajl Raka.  Akademia përkujtimore u mbajt në  Pallatin e  Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik. Me këtë rast para të pranishmëve në Akademi kanë folur, ish-zëvendës-komandanti i Brigadës, Hajrush Kurtaj dhe kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ata kanë çmuar lartë gjakun e derdhur të dëshmorëve, i cili i solli vendit lirinë dhe pavarësisë.

Kryetari i komunës së Kaçanikut,  Besim Ilazi në fjalën e tij foli për rëndësinë e  luftës së UÇK-së, duke saktësuar se po të mos ishte gjaku i derdhur i dëshmorëve para 18 viteve, sot fjala Liri nuk do ta kishte kuptimin e saj. Ish-eprori i UÇK-së, Hajrush Kurtaj, vëllai i dëshmorëve Xheladin Kurtaj e Danush Kurtaj në fjalën  e tij mes tjerash ka lexuar edhe  emrat e 94 dëshmorëve të Zonës së Kaçanikut duke prezantuar ditën  dhe vendin e lindjes, po ashtu edhe ditën e vendin e rënies së dëshmorëve. Kurtaj ka lexuar edhe emrat e të dhënat për martirët e kohës së luftës. Të pranishmit në Akademi, në emër të familjeve të dëshmorëve  i ka përshëndetur bashkëshortja e heroit, Agim Bajrami, zonja,   Zarije-Zenuni Bajrami, e cila përcolli edhe amanetin e dëshmorëve për të luftuar deri në çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Në fund të Akademisë u dha një program i pasur artistik.

 

Kontrolloni gjithashtu

Matti Nissinen: Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, madje shumë shpejt

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka bërë të ditur se vendi i tij …