U zbulua busti i Afrim Abazit

Me një ceremoni solemne afër shkollës së lagjes Sherret të Ferizajt, u zbulua busti i dëshmorit Afrim Abazi dhe u shënua dita e shkollës e cila e mban këtë emër.

 Pjesëmarrësve u folën autoritetet komunale, veprimtarë dhe të afërm të dëshmorit.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa  tha se zbulimi i busteve të atyre që e kanë sakrifikuar jetën për liri, paraqesin momente të rëndësishme në jetën e një populli, sepse në këtë mënyrë ne vendosim gjurmë në kohë, si dëshmi të flijimeve të panumërta që janë bërë në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.

“Tani e tutje busti i Afrim Abazit do të na kujtojë përjetë peshën e rëndë të vuajtjeve, peshën e robërisë e të vështirësive në të cilat gjendej populli ynë para tri e më shumë dekadash, si dhe mizoritë e pafund që ishte në gjendje të zbatonte regjimi i atëhershëm ndaj të rinjve që kërkonin të drejta kombëtare e njerëzore. Duke parë bustin e Afrim Abazit, ne në fakt shohim idealet e brezit të tij, që ishin ideale të lirisë, barazisë dhe përparimit kombëtar e shoqëror. Këto ideale kemi nevojë t’i kujtojmë shpesh, për të mos harruar se sa shumë flijime janë dashur për të ardhur kjo ditë, kur ne vijmë në shkollë, shkojmë në punët tona, shfaqim mundësitë tona krijuese dhe e bëjmë jetën tonë të lirë, pa frikën e ndëshkimit për shkak të bindjeve tona. Ky bust na kujton se nuk ka qenë aspak e lehtë rruga që kemi bërë deri këtu si popull dhe se ne duhet ta kemi gjithnjë ndërmend këtë fakt, në mënyrë që jo vetëm ta shijojmë më mirë lirinë, por të përpiqemi t’i japim kuptim sa më të plotë asaj. E kuptimësimi i lirisë bëhet duke u përpjekur për ta bërë jetën tonë më të begatshme, më të plotë dhe më dinamike, duke qenë nxënës të mirë, krijues aktivë të së sotmes dhe të së nesërmes më përmbajtësore” tha, ndër të tjera, kryetari i Ferizajt.

Ndërsa drejtori i shkollës, Mustafë Zejna paraqiti një biografi të Afrim Abazit duke vënë theksin në organizimin e demonstratës së vitit 1982, përballjen me forcat e sigurisë, deri në vdekjen e tij me torturë dhe hedhjen nga kati i katër i ndërtesës së sigurimit famëkeq, po në këtë vit.

Me pietet për dëshmorin Artim Abazi kanë folur edhe Naim Zhitia (vëllai i dëshmorit Afrim Zhitia) veprimtari ferizajas Ramadan Haziri, pastaj Nazmi Viça, familjari Faton Abazi. Ky i fundit ka falënderuar gjithë ata që kontribuan për ngritjen e bustit, në veçanti  komunën e Ferizajt dhe kryetarin Svarqa.

Para zbulimit të bustit, pjesëmarrësit kanë bërë homazhe në varrezat e Lagjes Sherret, aty ku prehet Afrim Abazi, ndërsa nxënës të kësaj shkolle kanë shafqur një program shkollor.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …