leoni

Ujësjellësi Prishtina kristalizon modalitetet e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare

Në kuadër të konferencës së Danubit për Ujë (Water Danube Conference) të organizuar nga data 12 dhe 13 maj 2016 në Vjenë të Austrisë, nga Asociacioni Ndërkombëtar i Pellgut të Danubit (IAWD), Qeveria Austriake, Gjermane dhe Zvicerane, po marrin pjesë përfaqësuesit e 20 shteteve të Pellgut të Danubit.

KUR”Prishtina” sh.a. po përfaqësohet në nivel të lartë nga drejtori i bordit, Ilir Rexhepi, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Ilir Abdullahu dhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit teknik, Sokol Xhafa.

Gjatë kësaj konference, përfaqësuesit e udhëheqjes së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” përveç që kanë takuar dhe bashkëbiseduar për modalitetet e bashkëpunimit me një mori të përfaqësuesve të ujësjellësve të vendeve të ndryshme, si Bullgarisë, Italisë, Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Hungarisë, Shqipërisë, Austrisë dhe Rumanisë, ata kanë takuar edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, GIZ, IAWD, NALAS dhe Komisionit Evropian me të cilët kanë bashkëbiseduar për modalitetet e bashkëpunimit dhe mundësitë financuese të projekteve të reja zhvillimore që kanë të bëjnë me zvogëlimin e humbjeve të ujit, menaxhimin e aseteve, krijimin e rrjetave inteligjente për menaxhimin e ujit dhe krijimin e një zone pilot për ndërrimin e ujëmatësve nga ata mekanik në ujëmatës digjital.

Ndërsa, në nivel teknik Ujësjellësi ”Prishtina” prezantoi para të pranishmëve projektin për zvogëlimin e humbjeve të ujit në qytetin e Lipjanit, nga i cili këtë vit KUR”Prishtina”  përmes procesit të konkurrencës ka përfituar financimin e pajisjeve për detektim të rrjedhjeve të ujit në vlerë prej 30 mijë eurosh.

Gjatë kësaj konference, nga të pranishmit u konkludua se Kosova në kontekst të menaxhimit të ujit ka shënuar progres të vazhdueshëm për kundrejt shumë vendeve tjera të pellgut të Danubit, gjë e cila mund të verifikohet edhe në raportet e fundit të Bankës Botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …