Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka reaguar lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke theksuar se këto procese nuk mund ta ndryshojnë, siç ka thënë ai, të vërtetën historike të luftës çlirimtare. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ismaili ka vlerësuar se liria e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrificë dhe histori, duke theksuar se ajo ka emra konkretë dhe kontribut të shumë njerëzve që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare. “Liria jonë ka emra, ka sakrificë dhe ka histori. Padrejtësia ndaj çlirimtarëve tanë në Hagë nuk mund ta zhbëjë të vërtetën: UÇK-ja ishte lufta e drejtë e një populli për liri,” ka shkruar Ismaili. Ai ka shtuar se, kur bëhet fjalë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk duhet të ketë ndasi politike apo shoqërore mes qytetarëve, duke theksuar se kontributi i secilit çlirimtar ka qenë pjesë e lirisë që gëzon Kosova sot. Ismaili gjithashtu ka apeluar për ruajtjen e kësaj lirie me dinjitet, unitet dhe përgjegjësi, duke theksuar rëndësinë e bashkimit rreth vlerave të luftës çlirimtare dhe historisë së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
