Vaxhid Sejdiu: Në shërbim të gjuhës shqipe!

Vaxhid Sejdiu: Në shërbim të gjuhës shqipe!

Të dielën më, datë 25 shkurt 2024 anëtarët e Kryesisë dhe përfaqësuesit kantonalë të “Shkollës Shqipe” në Zvicër u bënë bashkë në një takim pune për biseduar rreth organizimit sa më të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Aty ku bëhen bashkë mësues dhe prindër, me të vetmin qëllim, si ta realizojnë misionin e tyre në shërbim të gjuhës shqipe…

Të dielën më, 25 shkurt 2024, anëtarët e Kryesisë dhe përfaqësuesit kantonalë, mësues dhe prindër të “Shkollës Shqipe” në Zvicër u bënë bashkë në një takim pune për të biseduar rreth organizimit sa me të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Vlen të përmendet se “Shkolla Shqipe” në Zvicër në këto 4 -5 vitet e fundit ka arritur rezultate të shkëlqyeshme, jo vetëm në organizimin sa më të mirë të pikave shkollore, por edhe në realizimin e programit të saj kombëtar në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën shqipe, pothuajse në mbarë Zvicrën. Mësues dhe prindër, nën drejtimin e prof. Vaxhid Sejdiut, kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve se janë të gatshëm në çdo kohë të veprojnë bashkërisht, në shërbim të gjuhës shqipe, sa herë  ka qenë e nevojshme, nga fshati në fshat, nga qyteti në qytet, nga njëri skaj në skajin të Zvicrës, duke u bërë bashkë me të vetmin qëllim që të kemi sa më shumë pika shkollore për fëmijët shqiptarë. Thënë shkurt “Shkolla Shqipe” Zvicër, kjo vatër arsimore, brenda një kohë të shkurtër u shndërrua në histori suksesi, ku mësues dhe prindër me punën e tyre vullnetare u bënë model për të ardhmen, se si punohet dhe veprohet në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën amtare. Mësues nga të gjitha trojet shqiptare të bashkuar rreth planit e programit mësimor, të miratuar nga të dy qeveritë tona të Republikës së Shqipërisë  dhe Republikës së Kosovës, vazhdojnë me përkushtimin e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se ky numër nxënësish që vijon mësimin në gjuhën amtare është shumë i vogël përballë numrit real të fëmijëve shqiptarë. Prandaj rrugëtimi ynë është jashtëzakonisht i vështirë, por në anën tjetër ka kënaqësinë  e vet, kur shohim që nga java në javë, hapjen e dyerve të pikave shkollore në qytete apo fshatra të ndryshëm të Zvicrës. Të gjithë njëzëri u pajtuan se gjatë këtyre viteve është bërë një punë e shkëlqyer, por ende nuk mund të themi që jemi të kënaqur. Bashkërisht vazhdojmë punën tonë të përditshme në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, duke besuar e shpresuar që të arrijmë rezultate edhe më të mëdha. Gjatë takimit u biseduan tema të ndryshme, por temë kryesore ishte organizimi dhe riorganizimi i pikave shkollore me qëllim që t`iu hapet rrugë edhe pikave të reja, për t’u përfshirë sa më shumë fëmijë në orët mësimore në gjuhën amtare. Mësues e mësuese  të “Shkollës shqipe” në Zvicër të gatshëm për të punuar në pikat shkollore sa më afër fëmijëve shqiptarë pavarësisht kilometrave që ata bëjnë rreth organizimit të mësimit.

Mësues/e të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, të cilët me angazhimin e tyre nga dita në ditë dëshmuan dhe dëshmojnë se dashuria ndaj gjuhës amtare është në rend të parë…

Hapja e dhjetëra e dhjetëra pikave shkollore kohëve të fundit dëshmon angazhimin atdhetar të këtyre mësuesve, të cilët sakrifikojnë jo vetëm kohën e lirë por edhe gjithë përkushtimin e tyre, me qëllim që ta ndryshojnë gjendjen aktuale në dobi të shkollave shqipe. Fakt është se gjërat kanë ndryshuar, por nevojitet edhe shumë punë dhe përkushtim në rrugëtimin tonë të përbashkët që quhet gjuha shqipe. Një punë e cila shoqërohet me angazhimin e përditshëm me prindërit shqiptarë, por edhe në pjesën administrative, kontaktet me veprimtarët, me mësuesit, organizimin e aktiviteteve të lira etj.

Të gjithë: Anita Duriçi, Lumnije Klinaku – Neziri, Minire Azemi, Albana Kaba, Besim Laci, Anila Muçaj, Iba Bulica, Teuta Myrtaj, Lazim Bakia, Alma Mico, Sejdi Rexhepi, Mirsime Durmishi, Mimoza Elshani, Valbona Alili, Zeqir Kelmendi, Nuraj Iljasi, Nedreta Ademi, Shkurte Kamberi, Besarta Halili dhe Vaxhid Sejdiu u pajtuan njëzëri, që të vazhdohet me këtë ritëm pune në dobi të shkollës shqipe. Dhe në fund të takimit mësuesja Mimoza Elshani nga Lugano  na bëri thirrje të gjithëve që më, 3 mars të jenë pjesëmarrës të manifestimit qendror  të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, në të cilin aktivitet nxënësit e shkollave shqipe Lugano dhe Roveredo do të këndojnë dhe recitojnë për festën e 7 marsit.

“Shkolla shqipe” – Zvicër

Sektori për informim

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …