leoni

Vaxhid Sejdiu: Një reflektim i shkurtër nën hijen e Seminarit të XVI-të Mbarëkombëtar për Mësuesit e Gjuhës Shqipe në Diasporë

Vlora jonë nuk i thonë vetëm vlonjatët, por i thonë të gjithë ata, të cilët e ndien Vlorën në shpirtin e tyre, në gjakun e tyre. Vlorën e lirisë dhe të atdhedashurisë. Sa e sa vajza dhe gra nga të gjitha trojet shqiptare mbajnë me krenari emrin e Vlorës sepse ashtu i kanë pagëzuar dhe edukuar prindërit e tyre. Dhe në këtë Vlorën tonë nga data 30 korrik deri më 2 gusht 2023 u zhvillua Seminari i XVI-të Mbarëkombëtar për Mësuesit e Gjuhës Shqipe në Diasporë.

Ishte një vendtakim i mësuesve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët me një përkushtim të veçantë iu mundësuan më se 150 mësuesve të bashkëbisedojnë, të bashkojnë forcat në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare në Mërgatën Shqiptare.

Në këtë seminar dhe pas këtij seminari kam pritur të dëgjoj dhe të lexoj analiza të mirëfillta shkencore, të cilat do të ilustroheshin me fakte dhe dëshmi nga puna e atyre mësuesve, të cilët ia kanë kushtuar gjithë jetën organizimit të mësimit në gjuhën amtare në Diasporë. Klasat në gjuhën shqipe, nxënësit, prindërit e organizuar rreth shkollave shqipe, janë fakte që dëshmojnë suksesin e shkollave shqipe.  Janë fakte që flasin vetë dhe mbajnë gjallë mësimin në gjuhën amtare. Dhe, këto fakte duhet të jenë motivuese për të gjithë ne, me qëllim që të sensibilizojmë prindërit shqiptarë në shkallë kombëtare.

Ky seminar edhe njëherë dëshmoi se në mesin e mësuesve ka të atillë, të cilët kanë dhënë dhe japin gjithçka në shërbim të përhapjes së diturisë në gjuhën shqipe. Mësues nga të gjitha trojet shqiptare, të gatshëm të punojnë dhe të veprojnë edhe më shumë sepse vetëm kaq nuk mjafton.

Ky seminar dëshmoi edhe njëherë se sa kemi nevojë për njëri – tjetrin, sa kemi nevojë që kërkesat, vërejtjet, sugjerimet, këshillat t`i drejtojmë drejt institucioneve tona. Ky seminar edhe njëherë dëshmoi se sa shumë kanë nevojë institucionet tona për ne dhe anasjelltas se sa shumë kemi nevojë edhe ne për ta. Ky seminar tregoi si çdo seminar tjetër, që të gjitha gjërat nuk mund të thuhen, por duhet të punohet që të thuhen, të përsëriten në vazhdimësi me qëllim që një ditë të realizohen kërkesat për një mësim të njehsuar, me tekste të përshtatshme shkollore në të gjitha nivelet, me mësues të licencuar, me certifikata unike për të gjithë nxënësit, e kështu me radhë.

Edhe pse tema kryesore ishte ” Teoria dhe praktika e mësimdhënies së gjuhës shqipe

dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë” dëgjuam edhe ligjërata të cilat trajtuan problemet sipërfaqësisht, kurse koha kërkon që problemet rreth organizimit të mësimit plotësues në diasporë të trajtohen thellë e më thellë, sepse gjysma e kombit është jashtë atdheut.

Dhe mijëra e mijëra fëmijë shqiptarë ashtu siç kanë nevojë për dritën, bukën e ujin kanë nevojë për gjuhën amtare.

Të shpresojmë që e ardhmja do t`iu sjell shkollave shqipe më shumë suksese kudo në botë, edhe pse një gjë e tillë arrihet me punë të përbashkët dhe sakrificë.

Dhe në fund, nuk mungoi vizita në muzeun e qytetit apo shëtitjet, të cilat na përballen me bukuritë mahnitëse të Vlorës sonë. E gjithë kjo është punë dhe përkushtim i organizatorëve Ministrive përkatëse, QBD-së, Universitetit “Ismail Qemali”, qytetit të Vlorës etj.

Kontrolloni gjithashtu

SEJDO HARKA; “Artisti i Popullit” Reshat Arbana në gjurmët e një ‘’bestselleri’’  tek Libri i Albert Zholit  

Të shkruash për ‘’Artistin e Popullit’’ Reshat Arbana, është si të gdhëndësh një  statujë prej …