Veterani i arsimit, Fetah Berisha, nxori në dritë dy vepra publicistike: “Ditari i një mësuesi” dhe “Me penë e pushkë për atdhe”

Veterani i arsimit, Fetah Berisha, nxori në dritë dy vepra publicistike: “Ditari i një mësuesi” dhe “Me penë e pushkë për atdhe”

Veterani i arsimit, veprimtari dhe luftëtari i lirisë, Fetah Sh. Berisha ka botuar dy vepra dokumentare, publicistike: “Ditari i një mësuesi” dhe “Me penë e pushkë për atdhe”.

Libri,  “Ditari i një mësuesi” është një kronikë  e dokumentuar në shumë segmente, e pajisur me të dhëna, dëshmi e dokumente të hapjes dhe vazhdimit të përhapjes së diturisë në  shkollën shqipe, në fshatin Strofc të Vushtrrisë, e shkolla të tjera në rrethin e Vushtrrisë. Në këtë vepër, veterani i arsimit dhe i luftës  së UÇK-së, Fetah Berisha, në mënyrë kronologjike ka përshkruar zhvillimin e arsimit në vendlindje, që nga koha kur ajo kishte qenë një “mejtep” dhe shndërrimi i saj në shkollë në gjuhën shqipe, shkolla të cilat për herë të parë ishin hapur në Kosovë, në vitin 1941 nga Qeveria shqiptare italiane e kohës, për të vazhduar më pas në regjimin e ish-RSFJ-së deri në ditët tona.

Fetahu i ri, i edukuar në frymë kombëtare, pasi kishte kryer shkollim fillor e të mesëm dhe atë universitar iu kishte kthyer punës në arsim, ku ka punuar deri në daljen në pension, me ndërprerje të caktuara, për shkaqe dhe rrethana tashmë të njohura.

Autori ia ka dalë me sukses, që  në këtë vepër të prezantojë një lëndë të begatshme, ku ka përfshirë edhe ngjarje e ndodhi të caktuara, të cilat në përgjithësi e kanë karakterizuar zhvillimin, përparimin e nganjëherë edhe stagnimin e veprimtarisë së shkollës shqipe në Kosovë dhe përgjithësisht në trojet shqiptare të mbetura nën Jugosllavi, e në veçanti për shkollat ku ai  ka mësuar e më vonë edhe ka arsimuar  breza të tërë…

Në veprën, “Ditari i një mësuesi” autori ka arritur të vërë në pah problemet kryesore,  me të cilat është përballur arsimi shqip në Kosovë, prej viti 1957 e në vazhdim. Pavarësisht se ai ka shkruar për vende të caktuara ku vetë ka punuar e vepruar, me të njëjtat probleme janë përballur po thuajse të gjitha shkollat në Kosovë, të cilat sidomos pas protestave të Marsit e prillit të vitit 1981, vihen në një  “vëzhgim të veçantë ideologjik”, duke prekur madje edhe plan programet e sidomos literaturën që vinte nga Shqipëria, e cila ishte  shpallur armiqësore, pasi ajo literaturë fajësohej për indoktrinim të rinisë shkollore, por edhe asaj universitare.

Duke shkruar për punën dhe problemet  me të cilat është përballur në shkollat ku ka mësuar e punuar, Fetah Berisha ka  rrëfyer me realizëm dhe pozicion të qartë për të gjitha problemet më të cilat është ndeshur prej kohës kur kishte marrë ditarin në dorë dhe kishte filluar arsimimin e brezave e shumë vjet më vonë…

Vepra ka 298 faqe, shtypi Lena, 2022.

Vepra tjetër, “Me penë e pushkë për atdhe” e autorit, Fetah Berisha i kushtohet kryesisht luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën ku ai ja jetuar dhe ka vepruar. Edhe kjo vepër është e mbushur me ngjarje dhe zhvillime në vitet e bujshme të luftës çlirimtare në vitet 1997-1999. Autori ka qenë edhe vetë pjesë e organizimit dhe pjesëmarrjes i luftës në rajonin e fshatrave rreth Vushtrrisë, të cilat ishin në bashkëveprim  me zonën e Drenicës, ku lufta çlirimtare ishte zgjeruar edhe në pjesën lindore të Qyqavisë, e Artakollit, që në pranverë të vitit 1998.

Vepra, “Me penë e pushkë për atdhe”, është pasqyrë besnike e zhvillimeve të kohës së luftës, në këtë pjesë të Kosovës, e kundruar në pasqyrimin subjektiv të realitetit, qoftë edhe në formë ditari, me tregime e rrëfime të ndryshme, ku zhvillimet ishin të pritura dhe të papritura, me plot sfida ndër më të ndryshmet, madje edhe me përçarje e ndasi, por falë syçeltësisë, angazhimit e përkushtimit në luftë për çlirimin e Kosovës të kuadrove të saj, ajo ishte kurorëzuar me sukses…

Fetahu, ashtu sikur edhe mijëra mësues të tjerë, kudo në shkollat e Kosovës, sidomos në zonat e luftës së UÇK-së, që në fillim iu ka bashkuar luftës për liri, i bindur se ishte luftë e drejtë dhe e vetmja mënyrë për ta çliruar Kosovën nga vargonjtë e robërisë shekullore. Në luftë për çlirimin e Kosovës, kanë rënë dëshmorë qindra mësues e mijëra të tjerë kanë qenë pjesëmarrës edhe me armë në dorë kanë luftuar kundër forcave kriminale serbe,  sikur edhe vetë autori i këtij libri.

Fetah Berisha, është  një burrë i sinqertë,  punëtor dhe kurdoherë buzëqeshur. Ai po ashtu në rrëfimet e tij  të paraqitura në këtë libër, qoftë në formë të kronikave të zhvillimeve,  apo në formë ditari është treguar shumë realist, në përpjekje për ta pasqyruar sa më bindshëm atë që e ka përjetuar vetë, pastaj familja e tij, bashkëluftëtarët dhe të gjithë njerëzit  me të cilët është njohur e ka vepruar gjatë asaj kohe.

Vepra,  “Me penë e pushkë për atdhe” ka 336 faqe, shtypi Lena, në Prishtinë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …